Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 17 prill 2022

  • Published in Kanada

 

Porti i Charlottetown - Prince Edward Island

British Columbia, radhë gjatë fundjavës në kufi, terminale tragetesh dhe aeroporte

Manitoba, hapet një qendër pritjeje për refugjatët ukrainas

New Brunswick, gjykata deklaron antikushtetues emërimin e lejtënant-guvernatores nga Justin Trudeau

Newfoundland, Auditori i Përgjithshëm konstaton abuzime me kartat e kreditit të qeverisë

Québec, ndërtimi i linjës së furnizimit me energji elektrike të New York nis këtë verë

Ontario, numri i dyqane të kanabisit dy herë më i lartë se i atyre të alkoolit

 

British Columbia - Banorëve të British Columbia që përfituan nga kjo fundjavë e gjatë e Pashkëve për të udhëtuar, u është dashur të bëjnë durim për shkak të radhëve të gjata në aeroporte, terminale tragetesh dhe pika kufitare qysh nga e premtja (15.04). Shumë automjeteve iu desh të prisnin më shumë se dy orë e gjysmë për të kapërcyer vendkalimet kufitare që çojnë në shtetin e Uashingtonit. Policia Mbretërore Kanadeze (RCMP) deklaroi se pritjet kanë qenë shumë më të gjata se zakonisht për të kaluar kufirin drejt SHBA në Peace Arch dhe Pacific Highway. Aeroporti Ndërkombëtar i Vancouver raportoi gjithashtu një numër të paprecedentë udhëtarësh prej dy vitesh, mesatarisht 46,000 kalime ditorë, duke u bërë thirrje qytetarëve të paraqiten aty sa më herët të jetë e mundur.

Manitoba - Një qendër pritjeje për refugjatët ukrainas do të hapet së shpejti pranë aeroportit ndërkombëtar Richardson në Winnipeg, ka deklaruar qeveria e Manitoba gjatë kësaj jave. Qendra do të sigurojë strehim dhe ushqim të përkohshëm për ukrainasit që mund të mos kenë të afërm në provincë. Refugjatëve do t'u ofrohet ndihmë për kujdesin shëndetësor, si dhe shërbime për të lehtësuar integrimin e tyre në Manitoba, duke përfshirë trajnimin gjuhësor dhe aksesin në tregun e punës. Një grup vullnetarësh pranë qendrës do t’i mirëpresin të ardhurit në gjuhën e tyre amtare. Qendra po krijohet në partneritet mes provincës, degës së Kongresit të Ukraino-Kanadezëve në Manitoba dhe disa organizatave të tjera të komunitetit. Provinca Manitoba ka ofruar 800,000 dollarë ndihmë humanitare për Ukrainën që nga fillimi i sulmit ushtarak rus.

 

New Brunswick - Vendimi i qeverisë së Justin Trudeau për emërimin e një anglofoneje që nuk flet gjuhën frëngjisht në postin e lejtenant-guvernatores të provincës u hodh poshtë nga Gjykata e Mbretëreshës në New Brunswick, me motivacioni që mangësitë gjuhësore e pengojnë Brenda Louise Murphy të kryejë në mënyrë adekuate detyrat e saj zyrtarisht dygjuhëshe. Kësisoj, emërimi i saj është shpallur antikushtetues, pasi bie ndesh me nenet e Kartës së të Drejtave dhe Lirive që garantojnë statusin dygjuhësh të New Brunswick. Vendimi i gjykatës u përshëndet nga partitë e opozitës në Ottawa dhe nga organizatat që mbrojnë të drejtat e gjuhëve të pakicave në të gjithë vendin. Emërimi i Brenda Murphy, u bë në vitin 2019 pas një rekomandimi nga Justin Trudeau dhe u kundërshtua më pas në gjykatë nga Société de l'Acadie e New Brunswick.

Newfoundland - Sipas Radio-Canada, disa nëpunës publikë në Newfoundland dhe Labrador kanë shpenzuar më shumë se 600,000 dollarë nga fondet publikë për arsye personale, përmes kartave të kreditit të qeverisë që nga viti 2015. Dokumentet e verifikuar nga CBC mbi bazën e ligjit për të drejtën e aksesit në informacion, veçanërisht një shënim informues i përgatitur për Këshillin Ekzekutiv, ofrojnë detaje mbi shkallën dhe shtrirjen e mashtrimit të supozuar të kryer nga zyrtarët në fjalë. Ky dokument i brendshëm ngre pyetje rreth asaj se si mund të ketë ndodhur mashtrimi i supozuar dhe çfarë po bëhet për të parandaluar që ai të mos përsëritet. Të dhënat u publikuan për herë të parë në raportin vjetor të Auditores së Përgjithshme Denise Hanrahan, në janar të këtij viti. Raporti, që nuk e specifikon shumën, pohon se ajo është rimbursuar në një masë të konsiderueshme dhe provinca nuk ka pësuar asnjë humbje financiare. Sipas Dave Oswald, një ekspert krimi ekonomik nga Ontario, që citohet nga Radio-Canada, mundësia e punonjësve për të përdorur kaq shumë fonde publikë dëshmon për një dobësi të sistemit. Ndërkohë, zyrtarë të qeverisë së Newfoundland kanë deklaruar se janë marrë masa të shpejta që veprime të ngjashme të mos ndodhin më në të ardhmen.

 

Québec – Projekti madhor i furnizimit me energji elektrike të shtetit të New York nga Hydro-Québec ka kapërcyer një etapë të rëndësishme. Ndërtimi i linjës në anën amerikane pritet të fillojë këtë verë. Hydro-Quebec njoftoi miratimin të enjten (14.04) nga Komisioni i Shërbimeve Publike të New York të kontratës midis korporatës shtetërore të Québec dhe Autoritetit të Kërkimit dhe Zhvillimit të Energjisë të Shtetit New York. Ky ishte hapi i fundit që duhej të ndërmerrej përpara fillimit të punës në territorin e SHBA. Projekti parashikon frunizimin me 10,4 terawat/orë energji elektrike në vit për qytetin e New York me anë të një linje transmetimi nëntokësore prej 545 km, Champlain Hudson Power Express. Sipas Hydro-Québec, linja synohet të bëhet funksionale në vitin 2025. Në përputhje me Memorandumin e Mirëkuptimit të firmosur në qershor 2021, Këshilli Mohawk i Kahnawake dhe Hydro-Québec do të jenë bashkëpronarë të linjës që do ndërtohet në territorin e provincës.

Ontario - Dyqanet e marihuanës vazhdojnë të shtohen në Ontario. Nga 1,115 shitës me pakicë të autorizuar në shtator 2021, numri ka arritur në 1,333 këtë vit. Pra, aktualisht në Ontario ka dy herë më shumë dyqane kanabisi se sa dyqane tregëtimi alkooli të Liquor Control Board (LCBO). Në raportin e saj të fundit tremujor, Ontario Canabis Society (OCS) konfirmon megjithatë se hapja e dyqaneve të rinj ka aktualisht një ritëm më të ngadaltë se më parë. 20% midis 1 tetorit dhe 31 dhjetorit 2021, krahasuar me 34% gjatë tremujorit të mëparshëm. Shifra e shitjeve në provincë arrin në 383 milionë dollarë për një sasi totale prej 57 milionë gram. Në Ontario, dyqanet rekreative të kanabisit janë privatë. Për të hapur një të tillë, duhet marrë leje nga Komisioni i Alkoolit dhe Lojërave të provincës. Për më tepër, dyqanet mund t’i marrin furnizimet e tyre vetëm nga një burim: Ontario Canabis Society. Ky organ shtetëror është e vetmja platformë e autorizuar e shitjes me shumicë dhe online në Ontario.

©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada