Kanada

Pensioni i sigurisë për të moshuarin në Kanada - Nga Kostandin Ristani

  • Published in Kanada

Në vazhdim të shkrimit tim të mëpërparshëm mbi një përshkrim historiko-statistikor mbi moshën e daljes në pension në Kanada po mundohem të jap një njohuri më të fokusuar dhe të përgjithëshme mbi Old Age Security (OAS) pension në Kanada. Kjo e nxitur edhe më tepër nga miratimi Mbretëror i marrëveshjes së Sigurisë Sociale ndërmjet Kanadasë dhe Shqipërisë e cila hyn në fuqi zbatimi në fillim të muajit gusht 2022.

Në parantezë duhet të sqaroj për lexuesit shqiptarë që nuk jetojnë apo nuk kanë jetuar ndonjëherë në Kanada se identiteti i vetëm që mundëson mbledhjen, ruajtjen dhe kërkimin e të drejtës së pensionit në Kanada, është Social Insurance Number (SIN) - Numri i Sigurisë Sociale. Ky numër është i shoqëruar me shumë të dhëna personale (por pa foton e numër mbajtësit), që mblidhen e ruhen që nga çasti kur personi aplikon për të marrë këtë numër identifikimi, në qoftë se tregohet i vëmendshëm për të aplikuar që ditët e para të rezidencës ligjore në Kanada - përndryshe humbet nga koha e regjistrimit të rezidencës ne Kanada për efekt të OAS. Ky numër identifikimimi është shumë i rëndësishëm gjithashtu për regjistrimin e historikut të punësimit në Kanada, për pagesën e taksave personale çdo vit që automatikisht regjistrojnë kontributin e pensionit nga punësimi për efekt të CPP dhe për hapjen e llogarive bankare, financiare dhe ndërtimin e vlerësimit të besueshmërisë së gjithanëshme të çdo personi rezident në Kanada. Ky vlerësim besueshmërie ka mjaft zbatime dhe ndikim shumë të rëndësishëm në mbarëvajtjen e lehtësirat apo vështirësitë që ndeshet ky person çdo ditë në Kanada. Këto janë drejtpërdrejt të dukshme apo shpesh here të padukshme për personin, por me pasoja të pa vëna re apo edhe të injoruara nga mosthellimi i personit që mbart këtë numër.

Në Kanada çdo dokument tjetër personal zyrtar federal apo provincial është i lidhur me këtë numër identifikimi, por çuditërisht, në ndryshim nga Evropa, dokumenti i identifikimit në mënyrë të saktë të individit është leja e drejtimit të automjetit. Ky dokument është i pajisur me foton e individit dhe ka të njejtën shkallë rëndësie e mbrojtje nga falsifikimi si kartmonedha. Përsëri, e çuditshme është se ky dokument nuk është federal por provincial dhe i ngarkuar me ligj për Ministrinë e Transportit përkatës provincial. Ky dokument identifikimi krijonte mjaft probleme me ata, që për arsye të ndryshme, nuk kishin ose nuk merrnin leje drejtimi automjeti. U desh qe bashkitë të autorizoheshin me ligj nga qeveria provinciale që të lëshonin një dokument identifikimi të barazvlefshëm me atë të drejtimit të automjetit pa të drejtë drejtimi automjeti. Ky e fundit është për provincën e Ontarios, për provincat e tjera nuk zotëroj asnjë informacion në këtë drejtim.

Old Age Security (OAS) Pension - Pensioni i sigurisë për të moshuarin është një nga tre burimet përbërëse të të ardhurave të një personi që del në pension në Kanada. Dy burimet e tjerë janë Canada Pension Plan (CPP) - Plani i Pensionit Kanadez dhe Employment Pension Plans/Individual Retirement Savings - Plani i Pensionit nga Punësimi/Kursimet Personale për Pension.

Pensioni OAS është një e ardhur e taksueshme mujore për të moshuarit që mbushin 65 vjeç dhe që plotësojnë kushtet e kësaj të drejte. Në ndryshim nga CPP, përfitimi i OAS nuk është i varur aspak nga historia e punësimit. Rezidenti kanadez mund të ketë të drejtë të përfitojë pensionin OAS edhe në qoftë se nuk ka punuar kurrë ose vazhdon akoma të punojë pas moshës 65 vjeç.  

Pensioni OAS quhet universal në Kanada, por ka edhe tre të ardhura pensioni të tjera për të moshuarit me të ardhura vjetore të ulta nën një nivel të caktuar që ndryshon në rritje çdo vit sipas ritjes së kostos së jetesës. Këto tre shtesa të ardhurash janë The Guaranteed Income Supplement (GIS) - E ardhura Suplementare e Garantuar, Allowance - Kompensimi, dhe Allowance for the Survivor - Kompensimi për Pasardhësin - në rastin e vdekjes së marrësit të kësaj të ardhure dhe të mbeturit pas personi tjetër që ka në vartësi. Këto tre lloj të ardhurash nuk janë pjesë e këtij përshkrimi informativ.   

Kush ka të drejtën për pensionis OAS?

  • Minimumi i moshës për të filluar marrjen e këtij pensioni është 65 vjeç
  • Në qoftëse pensionisti jeton në Kanada ai/ajo duhet të jetë shtetas kanadez ose ligjërisht rezident dhe të ketë jetuar në Kanada së paku 10 vjet pas moshës 18 vjeç.
  • Në qoftë se pensionisti jeton jashtë Kanadasë ai/ajo duhet të ketë qenë shtetas kanadez ose rezident ligjor në Kanada përpara se është larguar nga Kanadaja dhe duhet të ketë banuar në Kanada së paku 20 vjet pas moshës 18 vjeç.
  • Në rast se Kanadaja ka vendosur marrëveshje për sigurinë sociale me vendin ku pensionisti ka jetuar më parë, e drejta për pensionin OAS mund të ketë kushte të tjera favorizuese shtesë nga ato si më sipër. Ky është rasti që diaspora shqiptare në Kanada po pret me shumë padurim që të mësojë përfitimin e pensionit pas publikimit të kësaj marrëveshje ne gushtin e ardhshëm.

Për t’u kualifikuar për pensionin e plotë OAS, pensionisti duhet të ketë banuar në Kanada së paku 40 vjet pas moshës 18 vjeç. Për çdo banim më pak se 40 vjet, pensioni do të jetë pjesor proporcionalisht me thyesën që ka për numerues numurin e viteve të plota të jetuara në Kanada ndaj emruesit 40. P.sh. në qoftë se pensionisti ka jetuar në Kanada 20 vjet pas moshës 18 vjeç ai/ajo do të marrë pension sa 20/40 e përfitimit të plotë d.m.th. gjysmën e tij.

Pensioni OAS indeksohet çdo tremujor në janar, prill, korrik dhe tetor mbi bazën e Consumer Price Index (CPI) - Treguesit të Çmimit të Konsumatorit. Në muajin prill pensioni i plotë i OAS është indeksuar në shumën 648.67 dollarë në muaj.

Shtyrja a marrjes së pensionit pas moshës 65 vjeç

Qysh prej 1 korrikut 2013 pensionisti mund të shtyjë vullnetarisht marrjen e pensionit OAS deri në pesë vjet pas moshës 65 vjeç. Kjo shtyrje i jep mundësinë pensionistit për një shumë më të madhe pensioni në muaj. Për çdo muaj shtyrje të pensionit OAS shuma mujore e pensionit rritet me 0.6% për një total prej 36% nga 65 vjeç deri në 70 vjeç, pas së cilës shtyrja nuk pranohet dhe nuk lejohet për efekt përfitimi rritje pensioni. Në rastin e pensionit të plotë, në rast se pensionisti e shtyn nga mosha 65 në 70 vjeç, përfitimi mujor i OAS së plotë nga muaji prill bëhet 648.67 x 1.36 = 882.19 dollarë në muaj.

OAS Clawback - shprehja idiomatike për OAS pension recovery tax - rikthim/restaurim i OAS personal tax

Ç’do të thotë kjo? Kanadaja ka një sistem social nga më të përparuarit në botë dhe një barazpeshë mirëqënie të votuar e të pranuar nga shumica dërmuese e qytetarëve kanadezë dhe e bizneseve shumë të pasur kanadezë ose të huaj që ushtrojnë veprimtari ekonomike nën legjislacionin kanadez. Vendosja e OAS kishte për qëllim që të ndërtonte një minimum të ardhure për çdo të moshuar në Kanada sepse autorët e kësaj të ardhure pranuan principin që i moshuari nuk duhet të vuajë nën nivelin e varfërisë zyrtare të matur me tregues sintetikë në çdo vit nga Statistics Canada. Por nga ana tjetër, meqenëse OAS është universale për çdo të moshuar u vu re që nuk është e drejtë nga ana sociale dhe buxhetore që individët me të ardhura shumë të mëdha mbi moshën 65 vjeç të përfitojnë pensionin OAS pa qenë aspak e nevojshme. Për këtë shteti federal vendosi me ligj taksimin shtesë prej 15% të OAS për individë që kanë të ardhura neto gjatë vitit kalendarik ndërmjet një dyshemeje dhe një tavani të ardhurash neto sipas raportimit të detyrueshëm me ligj të të ardhurave vjetore që individi bën në të ardhurat personale për efekt detyrimi taksativ personal. Keta kufij dyshemeje dhe tavani ndryshojnë çdo vit në rritje sipas ndryshimit të treguesit të kostos së jetesës të monitoruar nga Statistics Canada. Për vitin 2022 dyshemeja e të ardhurës neto është 81,761 dollarë dhe tavani është 133,527 dollarë. Kjo do të thotë që për ata individë që kanë të ardhura neto nën 81,761 dollarë në vit, pensioni OAS nuk taksohet me 15% shtesë. Ndërsa për ata individë që kanë të ardhra neto mbi 133,527 dollarë në vit, pensioni OAS u reduktohet në zero. Ndërmjet këtyre dy kufijve zbatohet 15% i taksës shtesë mbi shumën që rezulton nga diferenca ndërmjet të ardhurës neto të individit dhe kufirit të poshtëm - dyshemesë, prej 81,761 dollarë.

Besoj se ky informacion e shpjegon, përshrkuan dhe artikulon mjaftueshëm pensionin OAS për çdo shqiptar të interesuar me rezidencë në Kanada.

Për sa i përket dy përbërësve të tjerë të të ardhurave të pensionit në Kanada - CPP dhe Employment Pension - Pensioni nga Punësimi apo Punëdhënësi, informacioni dhe shpjegimi është shumë më i ndërlikuar dhe unë nuk jam specialist i fushës së të ardhurave financiare personale për të ndërmarrë këtë lloj përpjekje shumë profesionale në këtë drejtim. Më tej duhet të sqaroj se CPP dhe Employment Pension janë shumë të personalizuar dhe informacioni i përgjithshëm nuk ndihmon aspak rrethanat konkrete të çdo individi që synon këshillim për të ndërtuar një pension personal CPP dhe të Punësimit të përshtatshëm.

Për këtë qëllim do të këshilloja me shumë kembëngulje që shqiptarët kudo që jetojnë e punojnë duhet të angazhohen seriozisht me Finacial Advisers - Këshillues Financiarë, profesionistë për të arritur synimet e të ardhurave të tyre kur të dalin në pension. Me sa jam i njohur, komuniteti Shqiptar në Kanada ka mjaft Financial Advisers shumë të përgatitur e të aftë për t’i angazhuar në këshillim financiar afatgjatë individual e familjar.

Bëj thirrje qe nuk duhet neglizhuar ky këshillim - asnjëherë nuk është shpejt në stadin e jetës personale apo familjare dhe asnjëherë nuk është vonë për të filluar këtë këshillim financiar me plan dhe objektiva konkrete të arritëshme.

Dhe, me që erdhi rasti, rekomandimi im i fuqishëm është që çdo familje apo individ duhet të marrë këshillim mjeksor, ligjor dhe financiar të pandërprerë dhe të vazhdueshëm në mënyrë proaktive dhe jo reaktive. Ndërsa për bizneset që aspirojnë të përparojnë e mbijetojnë në tregun e konkurimit të ashpër me përqafimin dhe futjen e digjitalizimit transformues duhet patjetër të këshillohen nga një Enterprise Architect dhe jo nga specialistë IT.

©Kostandin Ristani