Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 24 prill 2022

Newfoundland

 

British Columbia, shtyhet për në vitin 2023 Formula E në Vancouver

Alberta, 35,000 kirurgji okulare sivjet do kryhen nga klinikat private

Saskatchewan, rritje 2,6% e pagave për klasën politike

Price Edward Island, pas dy vitesh pandemi mbërrin trageti i parë turistik në Charlottetown

Québec, ofrohen këshilla judidike falas me telefon nga avokatë vullnetarë në Montréal

Ontario, interesim i madh në Sudbury për takimin e Pierre Poilievre

 

Vancouver - Pas 4 vitesh, Kanadaja do t’i kthehet sërish Formula E, por gara e planifikuar për në 2 korrik në Vancouver është shtyrë për vitin e ardhshëm. Komiteti organizator, grupi OSS, zyrat e të cilit ndodhen në Montréal, e konfirmoi lajmin të premten (22.04) përmes një deklarate për shtyp. “Pas eksplorimit të të gjithë opsioneve të mundshëm me Bashkinë Vancouver, Grupit OSS i duhej të merrte vendimin e vështirë për ta shtyrë E-Prix të Vancouver për vitin 2023. Bashkia e Vancouver e mbështet këtë vendim. Prezantimi i një eventi të nivelit botëror është prioritet i organizatorëve”, thuhej në deklaratë. Duket se pandemia e ka penguar grupin OSS që të përmbushë afatet e përcaktuar në bazë të marrëveshjes me grupin FEO (Formula E Operations). Sipas organizatorëve, deri tani ishin shitur rreth 30 mijë bileta. Shtyrja e aktivitetit nuk sjell asnjë pasojë financiare për Bashkinë Vancouver. Kjo pjesë do mbulohet 100% nga grupi OSS.

Edmonton - Shërbimi Shëndetësor Publik i Alberta ka nënshkruar kontrata me klinika private të kujdesit për sytë për të kryer gjithsej 35,000 ndërhyrje kirurgjikale këtë vit. Kjo shifër është 7000 më e lartë se një vit më parë. Ministria e Shëndetësisë e provincës ka konfirmuar se këto ndërhyrje do vazhdojnë të financohen nga qeveria dhe do jenë falas për publikun. Sipas ministrisë, kjo zgjidhje do zvogëlojë kohën e pritjes dhe kostot. Në vitin 2020, klinikat private kryen afërsisht 40,000 ndërhyrje kirurgjikale të financuara nga fondet publikë, ose 15% e numrit total të ndërhyrjeve të kryera në provincë. Ky raport tani është 17%. Qeveria ka deklaruar që synimi është arritja e shifrës 30%. Institucionet privatë të kontraktuar duhet të plotësojnë të njëjtët standarde të cilësisë si institucionet publikë. Klinikat private kryesish kryejnë operacione oftalmologjikë, ortopedikë, estetikë dhe operacione të fytit dhe hundës, ndërsa operacionet më kompleksë, si dhe operacionet kardiakë, kryhen vetëm në institucionet publikë.

Regina - Gjatë prillit 2022, indeksimi vjetor i pagave për deputetët e provincës Saskatchewan rezultoi me një rritje prej 2.6%. Kësisoj, paga vjetore e tyre do të jetë 103,285 dollarë për dymbëdhjetë muajt e ardhshëm. Kjo përfaqëson një rritje prej 2,617 dollarës krahasuar me pagën bazë prej 100,668 dollarësh të miratuar në 2021, rritje vetëm 600 dollarë në muaj (0,6%). Rritjet e pagave në Saskatchewan bazohen te indeksi i kostos së jetesës së vitit aktual. Rritja prej 2.6% këtë vit përfshin anëtarët e kabinetit, kryetarët e grupeve parlamentarë dhe kryetarët e komisioneve. Në 5 vitet e fundit pagat e deputetëve të Saskatchewan kanë qenë në këto shifra:  2018 - 96,183 dollarë; 2019 - 2.2% rritje (98,395 dollarë); 2020 - 1.7% rritje (100,068 dollarë); 2021 - 0.6% rritje (100,668 dollarë); 2022 - 2,6% rritje (103,285 dollarë).

Charlottetown - Të premten (24.04), pas dy vitesh situatë pandemike, Viking Octantis, me rreth 400 pasagjerë në bord, ishte trageti i parë turistik që ankorohej në portin e Charlottetown, kryeqyteti i Prince Edward Island. Për të lundruar në ujërat kanadezë, tragetët turistikë duhet të respektojnë rregullat striktë të Health Canada. Në veçanti, ata duhet të kenë një plan menaxhimi të COVID-19 me udhëzime që synojnë parandalimin dhe kufizimin e përhapjes së virusit në bord. Në këto plane duhet të specifikohen edhe masat e izolimit për rastet e dyshuar ose të konfirmuar. Ekuipazhi dhe pasagjerët duhet të jenë plotësisht të vaksinuar. Transport Canada dhe autoritetet lokalë duhet gjithashtu të informohen nëse pasagjerët ose anëtarët e ekuipazhit shfaqin simptoma ose nëse rezultojnë pozitivë. Gjatë vitin 2019, kroçierat turistike i sollën afro 22 milionë dollarë buxhetit të provinces dhe Autoriteti Portual i Charlottetown shpreson të mirëpresë më shumë se 100,000 pasagjerë këtë vit. Sipas parashikimeve, gjithsej 74 anije turistike priten të ankorohen sivjet aty.

Montréal - Përsëri e disponueshme këtë vit Klinika Telefonike Ligjore e Young Bar of Montreal. Në fund të kësaj jave (23-24 prill), qytetarët mundën të marrin këshilla ligjore falas të ofruara me telefon nga njëqind avokatë dhe noterë vullnetarë. Vitin e kaluar falë kësaj nisme u pranuan dhe iu dha përgjigje mbi 4000 telefonatave. Sipas statistikave të prillit 2021, e drejta familjare është fusha për të cilën ka më shumë të interesuar, 23% e pyetjeve. Tema e kontratave përfshinte 22% të pyetjeve ndërsa ajo e banimit (qiramarrjes) 11%. Me afrimin e 1 korrikut mendohet që numri i pyetjeve për strehimin do të jetë shumë i lartë. Klinika Telefonike Ligjore është një projekt i Young Bar of Montreal i realizuar në bashkëpunim me Young Bar of Quebec, Shoqatën Rajonale të Avokatëve të Rinj dhe Qendrën për akses në informacionin ligjor. Numri në dispozion të qytetarëve është 1 844 779-6232 nga ora 9 e mëngjesit deri në 4 pasdite.

Sudbury - Kandidati favorit për kreun e Partisë Konservatore të Kanadasë, Pierre Poilievre, arriti të mbledhë shumë qytetarë në takimin e Sudbury të shtunën (24.04) gjatë turneut të tij në Ontario Veriore. Militantët konservatorë ndoqën fjalimin e deputetit të Carleton në një atmosferë të elektrizuar në sallën e një hoteli në qendër të qytetit. Gjatë fjalimit të tij, Poilievre që synon të marrë postin që mbante Erin O'Toole, ripërsëriti temat kryesore të fushatës së tij, lirinë, ekonominë dhe luftën kundër inflacionit. Ai përsëriti gjithashtu mbështetjen e tij për kamionistët që protestuan kundër masave shëndetësore në fillim të vitit. Poilievre kritikoi sërish Justin Trudeau dhe rivalin Jean Charest, të cilët të dy e ishin kundër protestës së kamionistëve për respektimin e lirisë dhe të drejtave të tyre. Përveç militantëve, kandidatin për kreun e Partisë Konservatore e kanë përshëndetur me fjalime edhe ish-kandidatët konservatorë në zgjedhjet e mëparshme.

©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada