Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 15 maj 2022

  • Published in Kanada

Québec, qyteti i vjetër

 

17-19 maj, Princi Charles dhe Dukesha Camilla do vizitojnë Kanadanë

Përcaktohen qytetet kanadezë ku do qëndrojë Papa Françesku në fund të korrikut

Bashkia Montréal propozon të drejtën e votës në nivel lokal për rezidentët permanentë

New Brunswick, apelohet nga Ottawa vendimi i gjykatës kundër emërimit të lejtënant-guvernatores

Lisi shpallet pema zyrtare e qytetit të Torontos

 

Kanada - Princi i Uellsit, Charles dhe Dukesha e Cornwall, Camilla, do vizitojnë Kanadanë nga 17 deri më 19 maj, duke filluar me qytetin e Saint John, në Newfoundland dhe Labrador. Kjo do të jetë vizita e 19-të në Kanada për Princin Charles dhe e pesta për Dukeshën Camilla. Ata e kanë vizituar Kanadanë për herë të fundit në vitin 2017, me rastin e 150 vjetorit të Konfederatës Kanadeze. Pas qëndrimit ditën e parë në Saint John, më 18 maj çifti princëror do shkojë në Ottawa, ndërsa më datën 19 maj do vizitojë Yellowknife dhe Dettah në Territoret Veriperëndimorë. Në Ottawa, Princi Charles do gradohet Komandant i Jashtëzakonshëm i Urdhrit të Meritës Ushtarake nga Guvernatorja e Përgjithshme Mary Simon në Rideau Hall. Më pas, Charles dhe Camilla do marrin pjesë në një ceremoni përpara Memorialit Kombëtar të Luftës, ku do të takohen edhe me anëtarë të komunitetit ukraino-kanadez. Programi i vizitës në kryeqytetin federal do vazhdojë me një takim me kryeministrin Justin Trudeau, ndërsa në mbrëmje, çifti princëror do të marrë pjesë në një pritje në Rideau Hall, të organizuar nga Guvernatorja e Përgjithshme për të festuar Jubileun Platinum të Mbretëreshës Elizabeth II.

 

 

Edmonton - Vatikani ka konfirmuar zyrtarisht tre qytetet kanadezë që Papa Françesku do të vizitojë gjatë udhëtimit të tij apostolik në Kanada, në datat 24-29 korrik. Ati shpirtëror i katolikëve do të ndalet në Edmonton, Québec dhe Iqaluit. Lajmi u bë i ditur të premten (13.05) nga Drejtori i Shërbimit për shtyp të Selisë së Shenjtë, Matteo Bruni. Sipas kryepeshkopit të Edmonton Richard Smith, koordinator i përgjithshëm i vizitës papnore për Konferencën Kanadeze të Peshkopëve Katolikë, kjo vizitë do të jetë një hap tjetër në dialogun midis Kishës Katolike dhe komuniteteve autoktonë që nisi në Romë në fillim të prillit. Pritet që Papa, ashtu si në Romë gjatë takimit me delegacionet e autoktonëve, të kërkojë falje në emër të Kishës Katolike, për keqtrajtimin e ushtruar ndaj fëmijëve autoktonë në shkollat rezidenciale të administruara nga kisha. Është parashikuar që gjatë vizitës në Kanada, kreu i Vatikanit të vizitojë edhe ambientet e një ish-shkolle rezidenciale.

 

Montréal - Administrata e Valérie Plante është shprehur në favor të pjesëmarrjes së rezidentëve permanentë në zgjedhjet lokale. Vendimi i komitetit ekzekutiv të Bashkisë Montréal, i miratuar të mërkurën (13.03) e ka futur këtë propozim në rendin e ditës për mbledhjen e radhës të këshillit bashkiak që do të nisë nesër (16.03). Synimi i komitetit ekzekutiv është që të gjithë rezidentët permanentë të moshës 18 vjeç e lart të mund të votojnë dhe të kenë të drejtën të kandidojnë që nga zgjedhjet lokale të vitit 2025, me kushtin që të kenë banuar për të paktën 12 muaj në territorin e qytetit. Për ta bërë realitet këtë synim, duhet të amendohen disa ligje dhe Bashkia merr përsipër të ndërmarrë hapat e nevojshëm jo vetëm në Québec dhe Ottawa, por edhe me Unionin e Bashkive të Québec, me qëllim që kërkesa të bashkërendohet mes gjithë anëtarëve. Për të lejuar ushtrimin e të drejtës për të votuar dhe për t'u zgjedhur për banorët rezidentë permanentë, duhet të amendohet neni 47 i ligjit të Québec për zgjedhjet dhe referendumet në bashki. Sipas regjistrimit të nëntorit 2020, 9,2% e banorëve të Montréal janë rezidentë permanentë dhe mbi 100,000 të tillë mund të fitojnë të drejtën e votës, nëse merret parasysh propozimi i Bashkisë.

 

Ottawa - Qeveria federale e ka apeluar vendimin e një gjykate të New Brunswick që shpalli jokushtetues procesin e emërimit të lejtënant-guvernatores së provincës për shkak se ajo nuk zotëron gjuhën frënge. Rreth një muaj më pare, ishte Kryetarja e Gjykatës së Mbretëreshës në New Brunswick, e cila deklaroi që personi i emëruar në këtë funksion duhet të jetë në gjendje të kryejë detyrat e tij në të dyja gjuhët zyrtare. Ajo u shpreh se qeveria federale shkeli Kartën e të Drejtave dhe Lirive duke emëruar Brenda Murphy. Ishte Société de l'Acadie e New Brunswick që kundërshtoi pranë gjykatës vendimin e kryeministrit Justin Trudeau për emërimin e saj. Në njoftimin e tij të apelit, Prokurori i Përgjithshëm i Kanadasë argumenton se Kryetarja i Gjykatës së Mbretëreshës ka gabuar juridikisht. Sipas tij kompetenca e emërimit të lejtënant-guvernatorit është diskrecion i plotë i Kurorës dhe nuk parashikon domosdoshmërisht bilinguizmin. Topi është tani në fushën e Gjykatës së Apelit të New Brunswick, gjykata më e lartë e provincës. Gjyqtarët do duhet të vendosin nëse pranojnë ose jo të shqyrtojnë ankesën e qeverisë federale.

Brenda Murphy

Toronto - Prej tani e tutje, pema zyrtare e Torontos do të jetë lisi. Kështu ka njoftuar kryebashkiaku John Tory të shtunën (14.05) gjatë një ceremonie të zhvilluar në një park të Scarborough. Gati 11,000 qytetarë të metropolit e votuan lisin si pema simbol që e përfaqëson më së miri qytetin. Votimi publik, i mbajtur nga 21 prilli deri më 10 maj, u dha banorëve mundësinë të zgjedhin mes 4 lloj pemësh, ndër të cilat thupra (birch), panja, lisi dhe pisha. Bashkia u konsultua gjithashtu edhe me përfaqësuesit e komunitetit autokton të qytetit. Sipas njoftimit zyrtar, në përfundim të votimit online lisi mori 47% të votave, panja u rendit e dyta me 31%, thupra (birch) mori 14% dhe pisha 8%. Lisi është një komponent i rëndësishëm i pyllit urban të Torontos, ka deklaruar kryetari i Bashkisë John Tory. Ceremonia zyrtare e shpalljes së lisit si simbol i Torontos u mbajt në Cedar Ridge Park, pranë Lawrence Avenue East dhe Scarborough Golf Club Road. Tashmë Lisi do të jetë pjesë e simboleve zyrtarë të qytetit, ku përfshihet flamuri dhe stema.

 

©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada, Getty Images/Joe Giddens/Chris Jackson