Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 29 maj 2022

 

St. John's - Kryeqyteti i Newfoundland dhe Labrador

British Columbia, rritet numri i vizitorëve në parqet rajonalë të Vancouver

Alberta, një 85 vjeçar merr pjesë në maratonën e Calgary

Manitoba, qeveria provinciale synon përmirësimin e pagës minimale

New Brunswick, residentët përmanentë mund të marrin pjesë në zgjedhjet lokale më 2026

Nova Scotia, një kamping i ri turistik tërësisht me energji diellore

Newfoundland, për arsye të inflacionit qeveria ul taksën e karburantit dhe rrit pagën minimale

Québec, mbërrin avioni i posaçëm me 306 refugjatë ukrainas në Montréal

Ottawa, kampioni i të drejtave autoktone ish-senatori Murray Sinclair dekorohet me Urdhërin e Kanadasë

 

Vancouver - Sipas të dhënave të Metropolitan Vancouver, ku përfshihen 21 bashki dhe një komunitet autokton, parqet rajonalë të metropolit të British Columbia janë vizituan nga 16.3 milionë qytetarë apo turistë gjatë vitit 2021, shifër kjo 37% më e lartë se viti 2019. Kjo rritje e vizitorëve mendohet se është ndikuar prej rregullave të distancimit social të vendosur gjatë pandemisë, çka duket se i ka detyruar njerëzit të lëvizin më shumë jashtë shtëpisë në hapësirat publike. Numërimi i vizitorëve është bërë përmes sporteleve me detektorë në hyrje të parqeve. Sigurisht shifrat influencojnë dhe miratimin e fondeve për mirëmbajtje. Gjatë pandemisë, të 24 parqet rajonalë të Metropolitan Vancouver u mbajtën hapur.

 

 

Calgary - A është e mundur të marrësh pjesë në një maratonë pasi ke mbushur 80 vjeç? Përgjigja është po, nëse i referohesh Gerald Miller, i cili, në moshën 85 vjeçare ka përshkuar sot (29.05) 21.1 kilometra në maratonën e Calgary-t në një kohë rreth 2 orë e 40 minuta. Miller mban edhe një rekord botëror. Ai ka marrë pjesë në gjashtë garat kryesore të maratonës në mbarë botën pasi ka mbushur moshën 80 vjeç. Në metropolin e Alberta-s, Gerald Miller është një personazh i famshëm i botës së vrapimit. Gjatë karrierës së tij atletike, ai ka marrë pjesë në më shumë se 40 maratona, duke përfshirë Boston, Çikago, Nju Jork, Londër dhe Berlin. Ky profesor universiteti në pension e zbuloi pasionin e tij për vrapimin disi vonë në jetën e tij. Ai filloi të vraponte pikërisht në Vancouver, në aktivitetet e universitetit ku punonte dhe në moshën 58-vjeçare mori pjesë për herë të parë në një garë maratone. Edhe sot pas 30 vitesh, vazhdon të ruajë të njëjtin pasion.

 

Gerald Miller

Winnipeg - Kryeministrja e Manitoba-s, Heather Stefanson, ka konfirmuar të premten (27.05) synimin e qeverisë së saj, që provinca të jetë konkurruese me pjesën tjetër të Kanadasë kur bëhet fjalë për pagat, duke parajmëruar rritjen e pagës minimale. Për këtë qëllim nesër (30.05) do t’i paraqitet dhe një projektligj për miratim Asamblesë Legjislative Provinciale. Manitoba aktualisht ofron një pagë minimale prej 11,95 dollarë në orë. Deri më 1 tetor, paga minimale do të indeksohet me inflacionin për të arritur në 12.35 dollarë, pra një rritje prej 40 cent, por nisur nga realitetit kjo nuk është e mjaftueshme. Në Manitoba, sipas të dhënave të Statistics Canada, gjatë vitit 2021 më shumë se 23,000 punëtorë u paguan me pagë mininale.

 

Heather Stefanson

Fredericton - Partitë politike kryesore të provincës New Brunswick po mbështesin idenë e dhënies së të drejtës së votës për emigrantët që kanë statusin e rezidentit të përhershëm. Megjithatë, për shkak të komplikimeve që mund të shkaktonte, një ndryshim i tillë, nuk ka gjasa të bëhet realitet përpara zgjedhjeve lokale të vitit 2026. Prej 10 vjetësh, disa bashki kanadeze si Vancouver, Yellowknife, Toronto, Montréal apo Halifax, kanë miratuar mocione ose kanë nisur një debat mbi të drejtën e votës në nivel lokal për rezidentët e përhershëm, por deri tani asnjë provincë nuk ia ka dhënë të drejtën e votës kësaj kategorie. Në New Brunswick, shoqatat lokale e mbështesin idenë dhe projektligji përkatës është depozituar në Parlamentin provincial nga deputeti liberal Keith Chiasson qysh në dhjetor 2020. Në Kanada, përveç të drejtës së votës, personat që marrin statusin e qëndrimit të përhershëm kanë të njëjtat të drejta dhe detyrime si kanadezët e tjerë. Ata mund të blejnë prona, janë të detyruar të paguajnë taksa dhe mbrohen nga Karta Kanadeze e të Drejtave dhe Lirive. Qeveria Progresiste Konservatore e New Brunswick nuk ka dalë zyrtarisht në favor të së drejtës së votës për banorët e përhershëm, por as nuk e ka kundërshtuar. Nëse projektligji miratohet, New Brunswick do jetë e para provincë kanadeze që do u japë të drejtën e votës në nivel lokal rezidentëve të përhershëm.

 

 

Cap Breton - Turistët që planifikojnë të kalojnë pushimet në Parkun Kombëtar të Cap Breton Highlands të Nova Scotia këtë verë do kenë mundësinë të zgjedhin edhe një kamping të ri. Parcs Canada ka deklaruar se do të hapë kampingun Cap-Rouge/Mkwesaqtuk më 1 korrik. Sipas autoritetit federal të parqeve, emri i kampingut, që ndodhet vetëm disa minuta larg nga Chéticamp, konsiderohet një emër që përputhet si duhet me vendndodhjen dhe ky është kampingu i parë që do mbajë një emër në frëngjisht dhe në gjuhën autoktone Mi'kmaw. Emri u përzgjodh në konsultim me komunitetet për të theksuar lidhjet e autoktonëve me rajonin e Cap Breton dhe në respekt të banorëve akadianë që u shpronësuan kur u krijua parku kombëtar në vitin 1936. Kampi Cap-Rouge/Mkwesaqtuk është gjithashtu një ndër të parët kampingje tërësisht të furnizuar me energji diellore. Që nga 12 maji, personat e interesuar mund të bëjnë rezervim për qëndrime duke filluar nga 1 korriku 2022 në faqen e internetit Parcs Canada Reservation Service.

 

 

St. John’s - Qeveria e Newfoundland dhe Labrador ka njoftuar të enjten (26.05) disa masa për t’u ardhur në ndihmë banorëve të provincës që të përballen me rritjen e kostos së jetesës për shkak të inflacionit të lartë. Kështu, taksa provinciale e benzinës do të ulet përkohësisht me 7 cent për litër (deri më 1 janar 2023) ndërsa familjet me të ardhura nën 100,000$ do të marrin një çek 500$ për pagesën e ngrohjes në dimër. Paga minimale do të rritet gradualisht në 15 dollarë në orë, në pak më pak se një vit e gjysmë. Këto ditë, një litër benzinë është shitur rreth 2.22 dollarë në Newfoundland dhe deri në 2.47 dollarë në Labrador. Nafta kushton rreth 2.25 dollarë në Newfoundland dhe gati 3 dollarë për litër në Labrador. Ndërkohë, paga minimale është 13.20 dollarë në orë. Më 1 tetor 2022, ajo do të rritet me 50 cent në 13.70 dollarë në orë,  më 1 Prill 2023 do të rritet me 80 cent në 14.50 dollarë në orë, ndërsa më 1 tetor 2023 do të arrijë 15.00 dollarë në orë. Këto rritje të njëpasnjëshme të pagës minimale do të shoqërohen me një plan njëvjeçar prej rreth 5 milionë dollarësh, për të mbështetur punëdhënësit e vegjël. Bizneset që punësojnë 20 ose më pak punonjës do të marrin ndihmë 50 cent në orë për punonjës.

 

 

Montréal - I nisur nga Polonia me 306 refugjatë ukrainas në bord, ka mbërritur sot (29.05) rreth orës 11:00 paradite në aeroportin ndërkombëtar Pierre Elliott Trudeau të Montréal-it, avioni i dytë çarter i kontraktuar nga qeveria kanadeze. Refugjatët ukrainas u pritën nga Ministrja e Punëve të Jashtme, Mélanie Joly, Ministri i Emigracionit, dhe Integrimit të Québec, Jean Boulet, si dhe nga anëtarë të familjeve të tyre që jetojnë në provincën frankofone. Ky ishte fluturimi i dytë, nga tre që qeveria federale ka marrë përsipër të organizojë, për të sjellë refugjatë ukrainas në vend. Avioni i parë u ul të hënën e kaluar në Winnipeg të Manitoba, ndërsa avioni i tretë pritet të mbërrijë në Halifax të Nova Scotia më 2 qershor. Ministri Federal i Emigracionit Sean Fraser pat deklaruar që tre fluturimet pritet të sjellin në total disa qindra refugjatë nga rreth 92,000 ukrainas të cilëve u lejohet aktualisht qëndrimi në Kanada me leje të posaçme urgjente.

 

 

Ottawa - Ish-senatori autokton Murray Sinclair, është dekoruar këtë të enjte (26.05) me Urdhrin e Kanadasë për përkushtimin e tij ndaj kauzës së të drejtave dhe lirive të popujve indigjenë. Kur u ngrit për të marrë dekoratën nga Guvernatorja e Përgjithshme Mary Simon, publiku prezent në sallë u ngrit gjithashtu në këmbë dhe e përshëndeti me ovacione. Në një intervistë me Radio-Canada, Sinclair deklaroi se dëshira e tij ishte t'i tregonte gjithë vendit se puna dhe përpjekjet e tij për çështjet autoktone meriton vëmendje dhe pjesëmarrje kombëtare. 71 vjeçari Murray Sinclair ka drejtuar Komisionin e të Vërtetës dhe Pajtimit të Kanadasë, që hetoi dosjen e fëmijëve autoktonë të dërguar në shkollat rezidenciale. Për rolin e tij në këtë komision si dhe hartimin e raportit të tij përfundimtar, ish-senatori Sinclair  pat marrë me parë edhe Kryqin e Shërbimit të Meritës.

Murray Sinclair

 

©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Getty Images, Radio-Canada, The Canadian Press/Justin Tang