Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 5 qershor 2022

Niagara Falls

Marrëveshje historike mes qeverisë kanadeze dhe Komunitetit Autokton Siksika

Kanadaja akuzon aviacionin ushtarak kinez për manovra të rrezikshme

Shuhet në moshën 86 vjeçare piktori i famshëm kanadez Christophes Pratt

Negociatat e pagesës për Botërorin anulojnë stërvitjen e ekipit kombëtar kanadez të futbollit

Travis Toews hyn në garën për kreun e Partisë Konservatore në Alberta

Çarteri i qeverisë kanadeze me 319 refugjatë ukrainas mbërrin në Halifax

 

Siksika (Alberta) - Qeveria kanadeze zyrtarizoi të enjten (02.06.22) një marrëveshje të cilësuar si historike, që parashikon pagesën e shumës prej 1.3 miliardë dollarësh, lidhur me rivendikimet territoriale të komunitetit autokton Siksika, për tokën që iu sekuestrua atij me forcë dhe në mënyrë të jashtëligjshme në vitin 1910. “Sot korrigjuam një gabim të së kaluarës, kur qeveria veproi në mënyrë të pandershme duke marrë mbi 46,500 hektarë nga toka juaj bujqësore dhe minerare më e pasur dhe më produktive”, ka deklaruar kryeministri Justin Trudeau, i pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit, sëbashku me Ministrin e Marrëdhënieve të Kurorës me Autoktonët, Marc Miller. Shefi i komunitetit Siksika, Ouray Crowfoot, e mirëpriti arritjen e marrëveshjes, por megjithatë deklaroi se ky kompensim, edhe pse shumë i madh në vlerë monetare, kurrsesi nuk do të riparojë plotësisht dëmin e shkaktuar nga qeveria e para një shekulli, sepse tokat nuk mund të kthehen më në gjendjen e atëhershme. Sipas tij, Kanadaja nuk duhet të vazhdojë me përdorimin e termit pajtim. Falë këtij kompensimi, komuniteti Siksika do të shpërndajë 20,000 dollarë për secilin prej anëtarëve të tij në korrik. Nënshkrimi i dha fund një sage të vërtetë negociatash. Kjo çështje ishte depozituar në gjykatë qysh në vitin 1960, por pas vitit 2008, palët filluan negociatat për të evituar zgjidhjen me rrugë gjyqësore. Komuniteti Siksika miratoi zgjidhjen e propozuar nga qeveria fedreale pas një referendumi që u mbajt dimrin e kaluar, në të cilin vota pro fitoi me 77%, me pjesëmarrje 70%. Deri më sot, 590 rivendikime për tokën dhe pronën nga popujt autoktonë në të gjithë vendin janë zgjidhur përmes marrëveshjeve me qeverinë.

 

 

Ottawa - Kanadaja ka akuzuar Forcat Ajrore Kineze për veprime “joprofesionale” që ditët e fundit kanë “vënë në rrezik sigurinë” e pjestarëve të Forcave Ajrore të Ushtrisë Kanadeze në hapësirën ajrore ndërkombëtare në Azi. Avionët kanadezë u vendosën në Japoni si pjesë e ndërhyrjes shumëkombëshe për të zbatuar sanksionet kundër Koresë së Veriut. “Gjatë fluturimit, avionët kanadezë u përballën me avionë ushtarakë kinezë të cilët padyshim po përpiqeshin t'i bënin ata të ndryshonin kursin, pa respektuar standardet ndërkombëtare të sigurisë”, shpjegon deklarata për shtyp e publikuar të mërkurën (01.06.22) në mbrëmje nga Forcat e Armatosura Kanadeze. “Në disa raste, pilotëve kanadezë iu desh të ndryshonin papritmas kursin e tyre për të shmangur një përplasje të mundshme me avionët që përpiqeshin t'i arrinin ata”, thuhej më tej në deklaratë, duke shtuar se “avionët kinezë ndonjëherë ishin aq afër, sa ekuipazhet e tyre dukeshin qartë”. Një ditë më pas, kreu i diplomacisë kanadeze reagoi ndaj asaj që ajo e quajti një gjest domethënës. “Jam jashtëzakonisht e shqetësuar nga fakti që ka pasur incidente në këtë rajon të botës”, u shpreh Ministrja e Jashtme Mélanie Joly. Ajo shtoi se bisedimet diplomatike midis Kanadasë dhe Kinës rifilluan vetëm rreth një muaj e gjysmë më parë pas vitesh tensioni. Marrëdhëniet diplomatike midis Pekinit dhe Ottawa u përkeqësuan shumë vitet e fundit pas arrestimit në vitin 2018 të Drejtoreshës së Financave të Huawei, Meng Wanzhou, me kërkesë të Shteteve të Bashkuara dhe ndalimit të mëpasshëm të ish-diplomatit Michael Kovrig dhe biznesmenit Michael Spavor, të dy shtetas kanadezë, si kundërpërgjigje nga autoritetet kineze.

 

 

St. Mary’s Bay (Newfoundland) - I rrethuar nga familja dhe miqtë, sot në mëngjes (05.06.22) ka ndërruar jetë në moshën 86-vjeçare, në shtëpinë e tij në St. Mary's Bay, Newfoundland, piktori dhe grafisti i njohur me fame botërore, Christopher Pratt. Lindur në vitin 1935 në St. John’s të provincës Newfoundland, gjatë gjithë karrierës së tij të gjatë ai është konsideruar si një ndër artistët më të mëdhenj kanadezë. Tablotë e tij, të cilat luhaten midis imagjinatës dhe realitetit, janë peizazhe nga Newfoundland dhe Labrador të mbushura me mister dhe magji. Ato ndër të tjera, paraqesin pamje nga rrugët, arkitekturën e shtëpive, detin dhe varkat. Origjina e punës së tij është në thelb autobiografike. Pikturat e tij mbizotërohen nga magjia, ka shpjeguar për Radio-Canada drejtori i Galerisë Beaverbrook në Fredericton, njëkohesisht dhe autor i librit “Christopher Pratt: Six Decades”. Pratt është dekoruar Oficer i Urdhrit të Kanadasë dhe gjithashtu i Urdhrit të Newfoundland dhe Labrador. Punimet e tij janë ekspozuar në të gjithë Kanadanë apo jashtë saj, duke përfshirë dhe Galerinë Kombëtare. Christopher Pratt e ka kaluar pjesën më të madhe të jetës së tij në bregun lindor të Newfoundland. Ai u shkollua në Universitetin Mount Allison në Sackville, New Brunswick, ku mori një diplomë përgatitore në mjekësi dhe gjithashtu përfundoi një Bachelor në Artet e Bukura. Më pas shkoi në Skoci për të studiuar në Shkollën e Artit në Glasgow. Në vitin 1980, Christopher Pratt projektoi flamurin zyrtar të Newfoundland dhe Labrador. Qeveria provinciale e miratoi atë në të njëjtin vit, duke zëvendësuar kësisoj Union Jack.

Christopher Pratt

Vancouver (British Columbia) - Sipas rrjetit TSN, dy seanca stërvitore fizike të ekipit kanadez të futbollit për meshkuj, të planifikuara për të premten (03.03.22) janë anuluar për shkak të negociatave lidhur pagat. Trajnerët i vendosën pajisjet në terrenin e stërvitjes në Vancouver Whitecaps, por më pas i morën të gjitha dhe u larguan nga fusha disa minuta përpara fillimit të stërvitjes. Stërvitja e planifikuar për ditën e djeshme (04.06.22) gjithashtu nuk u zhvillua. “Canada Soccer është aktualisht në diskutime me lojtarët e ekipit kombëtar në lidhje me kompensimin financiar të drejtë dhe të barabartë përpara Kupës së Botës FIFA”, deklaroi federata në njoftimin e mbrëmshëm për mediat. Ekipi kanadez ndodhet në Vancouver për një miqësore sot (05.06.22) kundër Panamasë si dhe për një ndeshje të Ligës së Kombeve të CONCACAF kundër Curaçao-s të enjten e ardhshme. Negociatat e kontratës përfshijnë pjesërisht dhe pagesën e lojtarëve për pjesëmarrjen në Kupën e Botës në Katar në fund të këtij viti. “Unë besoj se ajo që lojtarët kërkojnë është normale”, ka deklaruar mesfushori Jonathan Osorio, sipas të cilit, lojtarët e përfaqësueses nuk duhet të trajtohen ndryshe nga skuadrat me të cilat krahasohet Kanadaja. Presidenti i Canada Soccer, Nick Bontis ka shkuar dje në Vancouver, por zëdhënësi i federates ka theksuar megjithatë që vizita e tij në British Columbia ishte planifikuar tashmë përpara se stërvitja të anulohej. Nga ana e tij, trajneri kryesor i ekipit, John Herdman, citohet nga Radio-Canada të ketë thenë se “çdo minutë që ekipi kalon sëbashku është vendimtare, pasi përgatitet të garojë në garën më të madhe të futbollit ndërkombëtar”.

 

 

Edmonton (Alberta) - Deputetit i Grande Prairie-Wapiti, Travis Toews, ka shpallur kandidaturën për kreun e Partisë së Bashkuar Konservatore të Alberta-s, pas dorëheqjes nga posti i kryetarit nga ana e Kryeministrit Jason Kenney. Ish-ministri i Financave dhe Presidenti i Bordit të Thesarit të provinces e ka bërë njoftimin publik dje (04.06.22), duke komunikuar në të njëjtën kohë se ministrja e Energjisë Sonya Savage dhe deputeti Chris Warkentin janë bashkëkryesuesit e fushatës së tij. Ai pohoi gjithashtu se ka mbështetjen e 23 deputetëve, duke përfshirë ministrin e Drejtësisë Tyler Shandro, Ministrin e Komunitetit dhe Shërbimeve Sociale Jason Luan, Ministren e Arsimit Adriana LaGrange dhe deputeten e Grande Prairie Tracy Allard. E cituar nga Radio-Canada, komentatorja dhe anketuesja politike Janet Brown, ka shpjeguar se kandidatura e Travis Toews mbështetet nga një pjesë e mirë e Grupit Parlamentar, gjë që nuk ka gjasa të jetë rasti për kandidatët e tjerë. Sipas saj ai është favorit i garës dhe ka mbështetjen më të madhe nga anëtarët e qeverisë, por pavarësisht kësaj mbështetje, është e vështirë të parashikohet rezultati i garës për momentin, sipas saj, sepse nuk dihet ende se kur do të zhvillohet gara dhe cila do të jetë lista e plotë e kandidatëve.

 

Travis Toews

Halifax (Nova Scotia) - Pas Montréal, Winnipeg dhe St. John’s në Newfoundland, ishte radha e Halifax, Nova Scotia, të mirëpriste një kontigjent prej 319 refugjatësh nga Ukraina. Dhjetra njerëz dhe zyrtarë të qeverisë federale e provinciale i përshëndetën ata të enjten (02.06.22) në mbrëmje pasi zbritën në aeroportin ndërkombëtar Halifax Stanfield. Refugjatët, të ardhur nga Varshava në Poloni, do të strehohen nga familje vullnetare në Nova Scotia si dhe në hotele. Sipas qeverisë provinciale, komuniteti ukrainas në Nova Scotia tashmë numëron më shumë se 9,000 anëtarë. Ky fluturim me çarter i organizuar nga qeveria federale është i treti. Më 23 maj, 328 ukrainas mbërritën në Winnipeg dhe gjashtë ditë më vonë, 306 të tjerë zbarkuan në Montréal. Ndërkohë, Newfoundland dhe Labrador, e vetmja provincë kanadeze që hapi një zyrë imigracioni në Poloni, organizoi gjithashtu një fluturim çarter duke transportuar 166 refugjatë, përfshirë 55 fëmijë. Ata patën mbërritur në St. John’s më 9 majin e kaluar. Ukrainasit që zbarkuan në Halifax të enjten iu bashkuan rreth 300 refugjatëve të tjerë ukrainas që kanë mbërritur në provincë kohët e fundit, deklaroi për mediat Ministrja e Punës dhe Emigracionit të Nova Scotia, Jill Blaser. Nga ana e tij, Kryeministri i Nova Scotia, Tim Houston, shkoi personalisht në aeroport për të mirëpritur të ardhurit, sikurse dhe Sean Fraser, Ministri federal i Emigracionit, Refugjatëve dhe Shtetësisë, i cili është edhe deputet i Nova-Center. Ky i fundit ka pohuar se 115,000 refugjatë ukrainas janë autorizuar deri tani të vijnë në Kanada dhe 32,000 prej tyre kanë mbërritur tashmë.

Aeroporti Halifax Stanfield

©Flasshqip me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada; The Canadian Press/Jeff Mcintosh/Darryl Dick; AFP; Ned Pratt;

*Në foton kryesore kryeministri Justin Trudeau dhe Shefi i Komunitetit Autokton Siksika Ouray Crowfoot.