Kanada

Anulohet takimi miqësor Kanada-Panama, futbollistët e kombëtares kanadeze në grevë

  • Published in Sport

Ndeshja miqësore e futbollit mes Kanadasë dhe Panamasë, e cila ishte planifikuar të zhvillohej dje (05.06.22) në Vancouver, ashtu siç u paralajmërua që të shtunën, u anulua. Lojtarët e ekipit kombëtar kanadez, i kualifikuar tashmë në Botërorin e Katarit, kanë refuzuar të dalin në fushë për shkak të një mosmarrëveshjeje financiare me Canada Soccer. Të pakënaqur me kushtet e pagave të propozuara nga federata kombëtare në një kontratë të re kolektive, lojtarët kanadezë e kanë refuzuar atë, duke vendosur të zgjedhin grevën si mjet presioni, pasi bojkotuan radhazi dy seanca stërvitore të premten dhe të shtunën e kaluar.

Sipas deklaratës së përfaqësuesve të ekipit, sekretari i përgjithshëm dhe presidenti i federates pranuan për herë të parë të diskutojnë me lojtarët vetëm në datën 4 qershor pasdite. “Është koha të pozicionohemi qartë për të ardhmen e futbollit në Kanada”, kanë deklaruar ata, duke shtuar se “dëshira për të bashkëpunuar e lojtarëve ekziston, por marrëdhënia me federatën është e tensionuar prej vitesh, Canada Soccer nuk respekton ekipin tonë dhe po komprometon përpjekjet tona për të ngritur standardet dhe për të avancuar futbollin në Kanada”.

Ylli i kombëtares kanadeze Alphonso Davies

Ndër të tjera, futbollistët kanadezë kanë kërkuar trajtim të barabartë me kombëtaren e femrave, për sa i përket të ardhurave nga ndeshjet dhe përqindjet e fitimeve nga pjesëmarrja në Kupës e Botës, që kësaj radhe për ekipin e meshkujve është e para pas 36 vjetësh. Siç është berë e ditur, Kanadaja në grupin F të Botërorit do të ndeshet me Belgjikën, Kroacinë dhe Marokun.

Nga ana e tij, Presidenti i Canada Soccer Nick Bontis, deklaroi në një konferencë shtypi të dielën se propozimi i lojtarëve nëse pranohet, i krijon organizatës që ai drejton një situatë financiarë të paqëndrueshme. Bontis, njëkohësisht ka shprehur dhe zhgënjimin e tij për vendimin e lojtarëve, duke pohuar se federata është përpjekur të gjejë një zgjidhje që është e drejtë për të gjithë.

Nick Bontis

Ndërkohë pritet zhvillimi i mëtejshëm i kësaj ngjarjeje të pazakontë për futbollin kanadez. Të enjten, sipas planifikimit, ekipi i Kanadasë duhet të përballet me atë të Curaçao, sërish në Vancouver, në kuadër të takimeve të Ligës së Kombeve të CONCACAF.

Foto: AP/Kamil Krzaczynski