Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 12 qershor 2022

  • Published in Kanada

 

Salish sea British Colimbia

Partia Liberale e British Columbia pritet të ndryshojë emrin

Nën hetim ish-komandanti i anijes luftarake "Halifax" që po kryen mision me NATO-n në Europë 

Pandemia i ka kushtuar 15 miliardë dollarë Sistemit Publik Shëndetësor në Québec

Ditët e fundit në Ontario është shtuar shitja e armëve të zjarrit 

Banka e Kanadasë shpreh shqetësimin për rritjen e borxhit të qytetarëve dhe çmimit të shtëpive

 

British Columbia-Partia Liberale e provincës British Columbia ka miratuar një proces për ndryshimin e mundshëm të emrit dhe ka njoftuar se konsultimet do të zhvillohen në muajt e ardhshëm. Njoftimi që u bë dje (11.06) në kongresin e partisë që po zhvillohej në Penticton, ku u mblodhën rreth 800 delegatë, specifikonte se të gjithë anëtarët e partisë do mund të shprehin mendimin e tyre për këtë çështje gjatë një votimi që do të organizohet para fundit të vitit. “Një parti, anëtarët e së cilës vijnë nga prejardhje të ndryshme dhe perspektivat e të cilës janë të ndryshme, e bën atë më të mirë dhe më të fortë”, deklaroi lideri i ri liberal, Kevin Falcon. Sipas komenteve në media, ky vendim duket se është pjesë e tentativës së Falcon për të rinovuar dhe rindërtuar partinë në bashkëpunim me anëtarët e saj. Ndërkohë, kryesia e partisë ka caktuar një komision për të kryer procesin e konsultimit dhe për të përcaktuar afatin kohor.

Kevin Falcon

 

Nova Scotia-Zëvendësadmirali Bob Auchterlonie, aktualisht komandant i Canadian Joint Operations Command, ka liruar përkohësisht nga detyra komandantin e fregatës "Halifax", pas “një numri incidentesh të raportuar” në bordin e anijes gjatë operacionit "Reassurance" në Europë. Ky operacion pat filluar në mars dhe është pjesë e përgjigjes së NATO-s ndaj veprimeve të Rusisë në Ukrainë. Ministria e Mbrojtjes nuk ka dhënë detaje rreth asaj që ka ndodhur gjatë një vizite që anija luftarake kanadeze ka kryer në Swinoujscie, Poloni. Po ashtu, nuk e përmendi emrin e oficerit komandues në deklaratën për shtyp të së enjtes (09.06) në mbrëmje. Megjithatë, deklarata ka specifikuar se incidentet nuk kanë të bëjnë me sjellje të pahijshme, të dëmshme apo të papërshtatshme seksuale. Ndërkohë, kapiteni Paul Mountford mori detyrën e komandimit të fregatës "Halifax", e cila aktualisht ndodhet në Reykjavik të Islandës. Mountford do të vazhdojë komandimin e "Halifax" derisa anija të kthehet në kryeqytetin e Nova Scotia në mes të korrikut. Oficeri i liruar ka marrë detyra të tjera brenda Shtabit të Forcave Detare të Atlantikut në Kanada, deri në përfundimin e hetimit, thuhej gjithashtu në deklaratën e Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare.

Fregata e Marinës Mbretërore Kanadeze "Halifax"

 

Québec-Sipas raportit qeveritar mbi shpenzimet e pandemisë COVID-19, të publikuar të marten (07.06), fatura e shpenzimeve të institucioneve të rrjetit shëndetësor publik gjatë gjendjes së jashtëzakonshme në Québec arrin në 15 miliardë dollarë. Ligji për Shëndetin Publik e detyron Ministrin e Shëndetësisë dhe Shërbimeve Sociale të bëjë publik një raport të tillë të detajuar brenda tre muajve nga përfundimi i gjendjes së jashtëzakonshme shëndetësore. Raporti prej disa qindra faqesh përcakton të gjithë shpenzimet e bëra, duke theksuar që për shkak të urgjencës shëndetësore, qeveria i kreu shpenzimet pa shumë formalitete dhe pa shpallje tenderash, shuma bruto e të cilëve arrin në më shumë se 18,8 miliardë dollarë, midis marsit 2020 dhe marsit 2022. Megjithatë, nga kjo shumë duhet të zbriten 3,85 miliardë dollarë, që korrespondon me një rënie të shpenzimeve të rregullta shëndetësore për shkak të ngadalësimit të aktiviteteve të tjerë, jo të lidhur me COVID-19. Raporti në fjalë nuk përfshin shpenzimet e bëra nga ministritë e tjera, për shembull mbështetjen për bizneset në vështirësi, por saktëson që nga data 13 mars 2020 deri më 23 mars 2022, rrjeti shëndetësor, për një shumë mbi 6 miliardë dollarë, ka lidhur 4,505 kontrata, nga të cilat 4,485 me prokurim të drejpërdrejtë, pa ftesë për tender. Bëhet fjalë për blerjen e furnizimeve, pajisjeve mbrojtëse, barnave ose për shpenzime që lidhen me punime sepcifike ndërtimi. Raporti shpjegon që disa nga këto blerje duhej të bëheshin me nxitim dhe në një kontekst të konkurencës së fortë në fillim të pandemisë, e cila kishte rritur kostot. Vihet re në veçanti se vetëm marrja me qira e sallës perëndimore të Stadiumit Olimpik për vaksinim, i ka kushtuar Qendrës Rajonale Shëndetësore të zonës Lindore në Montréal 7,5 milionë dollarë.

 

 

Ontario-Dy javë pasi qeveria federale e kryeministrit Trudeau paralajmëroi një "ngrirje kombëtare" me ligj të shitjes së armëve të zjarrit, të apasionuarit pas tyre në Ontario po nxitojnë të blejnë modelet më të fundit të disponueshëm në dyqanet e armëve. Kujtojmë se qysh më 2 qershor, nga mediat në të gjithë vendin, u raportua se numri i armëve të shitura në Kanada u rrit në shifra të papara menjëherë pas depozitimit të Bill C-21 në Dhomën e Komunave. “Ishte normale, sepse njerëzit e konsiderojnë mundësinë e tyre të fundit për të blerë një pistoletë”, i ka deklaruar Radio-Canada Wayne Goble, pronar i dyqanit Goble's Firearms në London, Ontario. Biznesi i tij, i themeluar në vitin 1978, ofron si armë të gjata supi, ashtu edhe pistoleta, si dhe një gamë të gjerë municionesh dhe aksesorësh. Nga ana e tij, Douglas Lightheart, president i Shoqatës Sportive East Elgin, ka pohuar se ka shumë të pasionuar pas qitjeve sportive të cilët fatkeqësisht tani mendojnë se do të humbasin të drejtën e tyre për të blerë armë”. Projektligji i paraqitur nga qeveria synon të kufizojë numrin e pistoletave dhe të nxisë riblerjen nga shteti të armëve të sulmit. Megjithatë, sipas opinionit të shumë pronarëve të armëve, kufizimet dëmtojnë pronarët e ligjshëm, jo ​​ata që kryejnë krime.

 

 

Ottawa-Banka e Kanadasë i ka konsideruar aktualisht nivelet e larta të borxhit të familjeve dhe çmimet e larta të banesave si rreziqe kryesore për sistemin financiar kanadez. Në edicionin më të fundit të Financial System Review 2021, banka qendrore ka njoftuar se këta dy faktorë të ndërlidhur, shtojnë rrezikun e një ngadalësimi të rritjes ekonomike, pasi rritja e normave të interesit, që synon të frenojë inflacionin, rrit edhe gjasat që familjet të detyrohen të zvogëlojnë konsumin e tyre për të shlyer borxhet. Konteksti i kushteve të shtërnguara financiare, inflacioni i lartë global dhe tensionet e rritura gjeopolitike i kanë komplikuar dobësitë e sistemit financiar dhe rrisin rreziqet, deklaroi banka në raportin e saj, duke shtuar se vlerësimi i pasigurisë së vazhdueshme të nivelit të lartë të borxhit të familjeve, është bërë më kompleks gjatë dy viteve të fundit. Megjithatë, sipas raportit në fjalë, financat e familjeve janë përmirësuar përgjithësisht, edhe pse nivelet e borxhit janë rritur, e nxitur kjo kryesisht nga rritja e çmimeve të banesave, por edhe nga rritja e tregut të aksioneve dhe fitimeve të tjera.

 

©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada