Merr fund “lufta me uiski” Kanada-Danimarkë: Nga sot, Europa në kufi tokësor me Kanadanë
- Published in Aktualitet

Ishulli Hans (Tartupaluk)
Kanadaja dhe Danimarka i dhanë fund sot (14.06) një konflikti që zgjat prej 49 vjetësh, ndofta më të pazakontit në botë, për një mini ishull të shkretë dhe të pabanuar në Arktik, konflikt gjatë të cilit të dy vendet “luftuan” me njeri tjetrin me flamuj, uiski dhe shnaps.
Gjatë një ceremonie në Ottawa ku morën pjesë ministrja e Punëve të Jashtme kanadeze Mélanie Joly, homologu i saj danez Jeppe Kofod dhe kryeministri i Groenlandës Mute Bourup Egede, të dy vendet nënshkruan zyrtarisht një marrëveshje për të ndarë ishullin Hans, që ndodhet përballë brigjeve veriperëndimore të Groenlandës, duke krijuar kështu dhe kufirin e parë tokësor mes Kanadasë dhe Europës.
Ishulli shkëmbor Hans (Tartupaluk në gjuhën inuit), me një sipërfaqe prej 1.3 km katror dhe i pabanueshëm, ndodhet në ngushticën Nares, midis ishullit Ellesmere në veri të Kanadasë dhe Groenlandës, që është territor i Mbretërisë së Danimarkës. Mosmarrëveshja daton që nga viti 1973, kohë kur u vendos një kufi detar midis dy vendeve.
Për vite me radhë, danezët dhe kanadezët dërgonin njeri pas tjetrit helikopterë në ishull, në shenjë rivendikimi për territorin, çka rregullisht provokonte protesta diplomatike, fushata në internet, deri edhe thirrje që Kanadaja të bojkotojë ëmbëlsirat daneze. Gjatë këtyre vizitave, secila palë ngulte një flamur dhe linte pas një shishe uiski ose shnaps për palën tjetër.
Teksa këmbenin sërish shishe sot pas nënshkrimit të marrëveshjes, Mélanie Joly dhe Jeppe Kofod u zbavitën edhe me idenë që Kanadaja mund të bashkohet me Bashkimin Evropian, tani që të dy entitetet ndajnë një kufi tokësor.
©Flasshqip.ca
Fotot: Radio-Canada/AP/Alamy