Kanada

Kanada - Opozita kërkon dorëheqjen e ministrit të Rendit Marco Mendicino

  • Published in Kanada

Pasi e cilësuan në parlament “Pinoku” (personazhi fiction që i zgjatej hunda sa herë gënjente) i qeverisë Trudeau, Konservatorët federalë kanë deklaruar sot (14.06) që ministri i Rendit Publik të Kanadasë, Marco Mendicino, e ka humbur besueshmërinë, duke bërë thirrje në të njëjtën kohë që ai të japë dorëheqjen.

Për të mbështetur qëndrimin e saj, opozita u është referuar deklaratave kontradiktore të ministrit në lidhje me vendimin që qeveria mori për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, duke përdorur për herë të parë Aktit e Masave Urgjente shkurtin e kaluar, kur mijëra demonstrues bllokuan qendrën e kryeqytetit kanadez, Ottawa, për të protestuar kundër masave kufizuese shëndetësore.

Marco Mendicino u vu në shënjestër intensivisht nga deputetët konservatorë që nga momenti kur ai i deklaroi komisionit të posaçëm hetimor të Dhomës së Komunave, se ishte policia ajo që i kërkoi qeverisë të përdorte legjislacionin për gjendjen e jashtëzakonshme. Ndërkohe që më parë, RCMP dhe policia e Ottawa, patën deklaruar të kundërtën, pra që nuk e kishin kërkuar zbatimin e Aktit të Masave Urgjente.

Nga ana e tij, ministri Mendicino u përpoq të justifikohej duke deklaruar se qeveria ishte konsultuar me policinë se çfarë kompetencash i duheshin për t'i dhënë fund bllokimit të Parliament Hill dhe se përdorimi i Aktit për Masat Urgjente ishte mënyra e vetme për t'i dhënë asaj këto kompetenca.

Komisioni i posaçëm që po heton vendimin e qeverisë për masat e jashtëzakonshme është mbledhur sërish sot në mbrëmje, për të dëgjuar dhe marrë në pyetje zëvendëskryeministren Chrystia Freeland dhe ministrin e Mbrojtjes Civile dhe Emergjencave Bill Blair.

©Flasshqip.ca

Foto: Radio-Canada/The Canadian Press