Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 19 qershor 2022

  • Published in Kanada

British Columbia, 80 vjet pas shkatërimit rindërtohet në Vancouver një sallon çaji japonez;

Alberta, iniciohet programi Edmonton Safewalk në ndihmë të femrave muslimane;

Saskatchewan, qeveria provinciale do sjellë 230 refugjatë ukrainas me çarter nga Polonia;

Newfoundland, Gjykata e Lartë cilëson antikushtetues kontrollin e pakove nga Canada Post;

Quebéc, së shpejti një kopësht ditor fëmijësh në ambientet e Parlamentit provincial;

Ontario, zvogëlohet me ritme të larta sipërfaqja e tokës bujqësore për shkak të rritjes së urbanizimit;

 

 

Pista e Formula 1 Gilles Villeneuve - Montréal

  

British Columbia - Një simbol reference kulturore për komunitetin japonez është rindërtuar së fundi në ishullin Vancouver, tetë dekada pasi u shkatërrua. I pari kopësht dhe sallon çaji japonez i ngritur nga ky komunitet ekzistoi për rreth 30 vjet në Gorge Park të Esquimalt, deri në momentin kur u shkatërrua dhe u grabit në vitin 1942. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, qeveria kanadeze izoloi dhe shpronësoi individë me origjinë japoneze që jetonin në British Columbia, duke përfshirë edhe ata që e themeluan dhe punonin në atë objekt. Kësisoj salloni mbeti si mall pa zot dhe u vandalizua. Struktura e re dykatëshe eshtë ndërtuar sërish me arkitekturë japoneze dhe sipas kryetares së Bashkisë Esquimalt, Barb Desjardins, “ngjan me një ëndërr në mes të pyllit”.

 

 

Alberta - Pas disa rastesh agresioni ndaj femrave muslimane në Edmonton gjatë viteve të fundit, një pjesë e të cilave kanë bërë dhe bujë në media, një nismë e re ka marrë jetë, me synimin që ta bëjë këtë kategori të ndihet më e sigurt kur del nëpër qytet apo kur shkon drejt vendit të punës. Programi Edmonton Safewalk do organizojë një grup personash që do jenë vullnetarë shoqërues për femrat muslimane, veçanërisht për ato black. Programi u konceptua nga Sisters Dialogue, një organizatë komunitare që ofron hapësira kulturore të sigurta dhe mbështet gratë dhe vajzat muslimane. Në grupet e mbyllura vetëm për gratë në Facebook, gratë muslimane të Edmonton prej kohësh gjithashtu këmbejnë këshilla si të mbrohen dhe si të përdorin mjete vetmbrojtjeje në rast agresioni.

 

 

Saskatchewan - Një grup prej 230 refugjatësh ukrainas pritet të mbërrijë në Regina më 4 korrik. Refugjatët do nisen nga Polonia me një fluturim çarter të organizuar nga qeveria e Saskatchewan. Sipas ministrit provincial të Emigracionit dhe Formimit Profesional Jeremy Harrison, Saskatchewan priste që një nga tre fluturimet e organizuara nga qeveria federale muajin e kaluar të ulej në Regina, por kjo nuk ndodhi. “Na zhgënjeu vërtet”, shpjegoi ministri për Radio-Canada, “veçanërisht kur e dimë se një numër i këtyre njerëzve që zbarkuan diku tjetër, u nisën drejt Saskatchewan me shpenzimet e tyre”. Për këtë arsye, qeveria e Saskatchewan ka hyrë në diskutime dypalëshe me Ukrainën për të organizuar një fluturim çarter. Provinca po e koordinon këtë iniciativë me Kongresin e Kanadezëve Ukrainas, organizatat pritëse dhe partnerët e komunitetit. Sipas ministrit Harrison, Saskatchewan e ka deklaruar qartë politikën e dyerve të hapura për të mirëpritur një numër të pakufizuar refugjatësh ukrainas që dëshirojnë të vijnë në Kanada. Deri tani rreth 600 syresh kanë mbërritur në këtë provincë që nga 24 shkurti.

 

 

Newfoundland - Sipas Gjykatës së Lartë të Newfoundland dhe Labrador ligji që i lejon Canada Post të kontrollojë pakot postare, madje edhe ato që përmbajnë kokainë, shkel të drejtën e privatësisë. Vendimi i gjykatës megjithatë nuk do t’i bëjë të pavlefshme provat e mbledhura gjatë këtyre kontrolleve deri tani. Gjykatësi Daniel Boone i ka dhënë Canada Post dhe qeverisë federale një vit për ta ndryshuar ligjin që i lejon korporatës të ​kontrollojë gjithçka, përveç letrave, për të përcaktuar nëse përmbajtja e pakove është e rrezikshme apo e paligjshme. Në vendimin e tij, gjykatësi Boone shpjegon se ky seksion i Aktit të Korporatës Canada Post shkel pjesën e Kartës Kanadeze të të Drejtave dhe Lirive, e cila garanton të drejtën për t'u mbrojtur nga verifikimi apo sekuestrimi i paarsyeshëm. Ky vendim erdhi pas ankimimit të një qytetari nga Newfoundland dhe Labrador, i akuzuar për trafik kokaine.

 

 

Québec - Më në fund deputetët e rinj në provincën frankofone që janë edhe prindër, kanë arritur të plotësojnë një kërkesë të shtruar prej kohësh. Parlamenti provincial ka vendosur të zbatojë një projekt pilot të një qendre kujdesi ditor për fëmijët, brenda ambienteve të tij, për të promovuar ekuilibrin punë-familje. Kjo qendër do jetë e aksesueshme për fëmijët nga 0 deri në 10 vjeç para fillimit të legjislaturës së dyzetë e tretë që do të fillojë pas zgjedhjeve të 3 tetorit dhe do vendoset në katin e parë të godinës Jean-Antoine-Panet. Mbetet për t'u përcaktuar buxheti si dhe orari i funksionimit. Sipas deputetes së Québec Solidaire të zgjedhur në Rouyn-Noranda-Témiscamingue, Émilise Lessard-Therrien, ky projekt do inkurajojë më shumë prindër të rinj të merren me politikë. Ajo vetë duhet të jetë prezent në Parlament katër ditë në javë dhe duhet t'i lërë fëmijët në shtëpi shumicën e kohës.

 

Ontario - Federata e Bujqësisë së Ontarios ka deklaruar se provinca po përballet me një zvogëlim të konsiderueshëm të sipërfaqeve të tokës bujqësore, pasi zgjerimi i zonave urbane po gëlltit zonat e përdorura më parë për prodhim bujqësor. Të dhënat nga Regjistrimi i Bujqësisë 2021, dëshmojnë se Ontario po humbet gati 130 hektarë tokë bujqësore në ditë, ekuivalente me humbjen ditore të një ferme mesatare familjare. Nënkryetari i Federatës së Bujqësisë të Ontarios, Mark Reusser, i cituar nga Radio-Canada, pohon se shtrirja urbane dhe ndërtimet e reja të banesave janë faktorët kryesorë që kontribuojnë në zvogëlimin e sipërfaqes së tokës bujqësore në Ontario, ku vetëm 5% e sipërfaqes tokësore të provincës është tokë bujqësore e shfrytëzueshme. Ai gjithashtu ka theksuar faktin që pandemia dhe lufta në Ukrainë treguan se sa lehtë mund të ndërpriten zinxhirët e furnizimit, çka nënkupton domosdoshmërinë e rritjes së prodhimit të brendshëm ushqimor kanadez. Ndaj dhe federata e drejtuar nga fermerët po u bën thirrje bashkive dhe provincës që të marrin në konsideratë rëndësinë e mbrojtjes së tokave bujqësore dhe prodhimit vendas të ushqimeve kur planifikojnë zona të reja banimi për të lehtësuar krizën e strehimit. Sipas Reusser, toka bujqësore ka kufizimet e veta, por mund të jetë një burim i përhershëm ushqimor kur trajtohet si duhet.

 

©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada, The Canadian Presse/Jacques Boissinot