Kanada

Kanada - Qeveria miraton 4,9 miliardë dollarë për modernizimin e mbrojtjes ajrore

  • Published in Kanada

Qeveria federale kanadeze do të investojë 4.9 miliardë dollarë gjatë gjashtë viteve të ardhshme për modernizimin dhe rritjen e kapaciteteve të Komandës së Mbrojtjes Aerospaciale të Amerikës së Veriut (NORAD - North American Aerospace Defense Command), ka deklaruar sot (20.06) ministrja e Mbrojtjes e Kanadasë, Anita Anand, gjatë një konference për shtyp të dhënë me shefin e shtabit të Forcave të Armatosura Kanadeze, Wayne Eyre, në bazën e Forcave Ajrore Trenton, Ontario.

Sipas ministres, fondi i miratuar është investimi më i madh pas katër dekadash në këtë fushë dhe kjo shifër i bashkohet edhe 8.5 miliardë dollarëve shtesë që iu akorduan sektorit të Mbrojtjes në buxhetin e fundit të qeverisë Trudeau, si pjesë e një plani më të madh investimi prej 40 miliardë dollarësh gjatë 20 viteve të ardhshme.

Komanda e Mbrojtjes Aerospaciale të Amerikës së Veriut (NORAD), është një organizatë e kombinuar e Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë që kontrollon hapësirën ajrore dhe sovranitet ajror të Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara. Shtabi i NORAD dhe qendra NORAD/Qendra e Komandës Veriore të Shteteve të Bashkuara (USNORTHCOM) janë të vendosura në bazën e forcave hapësinore Peterson në kontenë El Paso, pranë Kolorado Springs, Kolorado. Në kompleksin malor Cheyenne aty pranë ndodhet Qendrën e Komandës Alternative. Komandanti dhe zëvendëskomandanti i NORAD janë, përkatësisht, një gjeneral ose ekuivalent me katër yje i Shteteve të Bashkuara dhe një gjeneral-lejtnant kanadez ose ekuivalent.

Në veçanti, ministrja Anand sot ka konfirmuar se Sistemi aktual Paralajmërues i Veriut do të zëvendësohet përfundimisht nga një seri sistemesh radarësh të rinj që do t’i mundësojnë Kanadasë të paralajmërohet më shpejt dhe më saktë në rast nisjesh raketash në drejtim të saj nga një shtet armik. Po kështu është njoftuar dhe instalimi i teknologjive të avancuara, përfshirë inteligjencën artificiale, çka do të mundësojë që ushtarakët dhe politikanët të marrin më shpejt vendime të karakterit ekstrem në rast të një sulmi të mundshëm. Nisur nga konteksti i luftës në Ukrainë dhe qëndrimi i Kanadasë ndaj Rusisë, këtu nënkuptohet kjo e fundit, me të cilën Kanadaja ndan kufij në zonën e Arktikut.

Po kështu, parashikohet që Kanadaja të blejë raketa të reja ajër-ajër që do të jenë kompatibël me 88 avionët luftarakë F-35 që do furnizohen nga prodhuesi amerikan Lockheed Martin, avionë të cilët do të zëvendësojnë ata të tipit F-18 në përdorim prej dyzet vitesh nga aviacionit ushtarak kanadez dhe që tashmë konsiderohen të vjetëruar. Investime parashikohen edhe për rritjen e kapaciteteve të mbrojtjes ajrore me bazë në tokë si dhe për mjetet e nevojshme për të kryer operacione në Veriun e Kanadasë. Për këtë qëllim do të blihen edhe katër avionë të rinj për furnizim me karburant ajër-ajër.

Sot është njoftuar gjithashtu krijimi i një programi të ri shkencor në fushën e teknologjisë për mbrojtjen e Amerikës së Veriu, i inkuadruar pranë Agjencisë së Zhvillimit të Mbrojtjes së Kanadasë, institucioni kombëtar i kërkimeve në sektorin e mbrojtjes. Sipas ministres Anand, të gjithë këto investime do të ofrojnë mundësi të jashtëzakonshme për kompanitë vendase të sektorit të mbrojtjes, përfshi dhe biznese të fushës, të cilët u përkasin individëve nga komunitetet autoktone.

Sipas argumentave të ekspertëve ushtarakë të paraqitur gjatë viteve të fundit, sistemet e vëzhgimit të NORAD konsiderohen tashmë të vjetruar, sepse ata nuk janë në gjendje të detektojnë ato që quhen raketa lundruese, apo edhe raketat hipersonike, siç ka në zotërim Rusia. Një raketë lundruese (Cruise missile) është një raketë me rreze të gjatë veprimi (nga disa qindra deri në disa mijëra kilometra), e gjuajtur drejt një objektivi tokësor ose detar të përcaktuar paraprakisht, të cilin e arrin gjatë fluturimit në atmosferë, ndryshe nga raketat balistike, trajektorja e të cilave në pjesën më të madhe përshkohet jashtë atmosferës.

©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada