Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 26 qershor 2022

 

Port au Port Peninsula - Newfoundland

 

Ottawa, kriza e pasaportave, qeveria federale krijon Task-force për reduktimin e vonesave

British Columbia, ja cilët janë aktivitetet më interesante për këtë sezon veror

Alberta, promovohet kultura autoktone përmes valleve dhe lojërave në Calgary

Manitoba, së shpejti do krijohet Autoriteti Shëndetësor për Autoktonët

Nova Scotia, Claudia Chender zgjidhet në krye të New Democratic Party

Newfoundland, projekt i rëndësisishëm për energjinë e prodhuar nga turbinat me erë

Québec, në Montréal gjatë fundjavës mund të udhëtohet falas në Metro

 

Ottawa - Pas skandalit që mori emrin “skandali i pasaportave”, qeveria federale kanadeze ka vendosur krijimin e një Task-force të posaçme për t’i trajtuar dhe dhënë zgjidhje vonesave të konsiderueshme jo vetëm në marrjen e pasaportave, por edhe në trajtimin e dosjeve të emigracionit si dhe situatës kaotike në aeroportet më të mëdha në të gjithë vendin. “Nuk përjashtohet që situata të përkeqësohet edhe më tej”, ka bërë me dije bashkëkryetari i këtij grupi, ministri i Marrëdhënieve mes Kurorës dhe Autoktonëve, Marc Miller. “Më e rëndësishme se kërkesa e faljes, është të ndërmerren veprime për të zhbllokuar diçka që, padyshim, nuk funksionon”, vuri në dukje ai, në një intervistë për Radio-Canada. Sipas tij, vonesat aktuale në marrjen e pasaportës apo në emigracion janë provë se diçka ka dështuar. “Është shumë e qartë, nuk bëhet fjalë të përpiqemi ta fshehim”, ka pranur Miller. Task-force do të përbëhet nga anëtarë të Këshillit të Ministrave. Roli i saj do të konsistojë jo vetëm në ekzaminimin e ofrimit të shërbimeve, por edhe në identifikimin e mangësive që shkaktojnë vonesa me synimin për t'i korrigjuar ato, duke bërë më pas dhe rekomandimet përkatës në adresë të qeverisë federale. Task-force do të shqyrtojë gjithashtu çështjet e mungesës së fuqisë punëtore, që ka shkaktuar vonesat në aeroporte. Sipas nënkryetarit ekzekutiv rajonal të Aleancës së Shërbimit Publik të Kanadasë, Yvon Barrière, i cituar nga Radio-Canada, nuk ka ndonjë shpresë të madhe që Task-forca do ta ndryshojë situatën, që është rezultat i planifikim të mangët. Nëse ministria përkatëse nuk do kishte gabuar, kriza mund të ishte shmangur, ka theksuar ai, sepse shumë nëpunës të sektorit të pasaportave u dërguan në departamente të tjerë, për t'u marrë me pagesat e papunësisë dhe shpërndarjen e ndihmës ekonomike emergjente në situatën e pandemisë. Nëse qeveria do kish punësuar më shumë njerëz në vend se t’i transferonte nga një sektor në tjetrin, kjo situatë do ishte shmangur.

 

British Columbia - Me shfaqje cirku, koncerte në natyrë dhe një festival pikturash murale, oferta kulturore duket se është bollshmë këtë verë në British Columbia. Ja disa prej aktiviteteve më interesante për t’u ndjekur. Së pari, spektakli OVO, nga Cirque du Soleil. OVO, që do të thotë vezë në portugalisht, e fut spektatorin në ekosistemin e vrullshëm të insekteve që punojnë, luajnë, luftojnë dhe shoqërojnë njëri-tjetrin në një ndërthurje të përhershme lëvizjesh. I konceptuar në Montréal në vitin 2009, spektakli OVO, që mbledh së bashku rreth pesëdhjetë artistë, do prezantohet nga 30 qershori deri më 3 korrik në Qendrën CN në Prince George. Po kështu, Vancouver Island Musicfest, që konsiderohet si një nga festivalet më të vjetër në ishullin e Vancouver, në program këtë vit do ketë kitaristin legjendar të blues Taj Mahal, mjeshtrin Femi Kuti dhe kitaristen blues nga Montréal, Cécile Doo-Kingué. Festivali do zhvillohet nga 8 deri në 10 korrik. Pas dy vitesh mungesë, Victoria Symphony rikthehet me Splash Around Town: Symphony in the Summer Festival, një ngjarje e madhe muzikore e prezantuar në katër anët e kryeqytetit. Koncerti përmbyllës do ketë në program edhe Steven Page, ish-këngëtarin e Barenaked Ladies, i cili do shoqërohet me këtë rast nga Victoria Symphony, në një performancë në natyrë, në sheshin përpara Parlamentit provincial. Splash Around Town: Symphony in the Summer Festival do zhvillohet në datat 22-31 korrik në Victoria. Ndërsa Festivali i Jazz Kaslo do zhvillohet nga 29 deri më 31 korrik.  Po kështu, Festivali Sunshine Coast i Artit letrar do zhvillohet në 11-14 gusht në Qendrën Rockwood, Sechelt. Më në fund, Festivali Ndërkombëtar Mural i Nelson, nga 12 deri më 14 gusht do ofrojë të paktën shtatë vepra të reja që do t'i shtohen koleksionit të deritanishëm të qytetit. Nelson ndodhet në malet Selkirk, në krahun perëndimor të liqenit Kootenay, në pjesën e brendshme jugore të British Columbia.

 

OVO - Cirque du Soleil

 

Alberta - Qindra qytetarë të origjinave të ndryshme asistuan dje (25.06) në aktivitetin kushtuar Ditës Kombëtare të Familjes Autoktone në parkun Stampede të Calgary-t. Për të festuar sipas traditave të popujve autoktonë, organizatorët ofruan aktivitete të ndryshme falas, si për të rinjtë ashtu edhe për të moshuarit, përfshi dhe një turne lojërash me dorë. Po kështu vallëzimi, muzika tradicionale, pow-pow dhe lojëra të ndryshme, krijuan një atmosferë festive, ashtu siç ndodh në tokat e Siksikës, Kainai, Piikani, Stoney-Nakoda dhe Tsuut'ina, fiset autoktonë të Traktatit 7. Me qëllim promovimin e produkteve artizanale ishin ngritur edhe disa kioska. Për Diana Frost, një vullnetare e Aboriginal Awareness Week Calgary (AAWC), organizata që kujdeset për këtë aktivitet, eventi ishte një mundësi për të promovuar kulturat autoktone. Sipas saj, ky lloj manifestimi nxit më tej prosperimin e komuniteteve autoktonë. AAWC organizon aktivitete për promovimin e kulturave autoktone në zonën e Calgary qysh nga viti 1990 dhe festimet e djeshme ishin të parat në natyrë qysh nga nisja e pandemisë. Ndërsa sipas Flora Johnson, një artiste nga Cree First Nation of Mosakahiken, këto lloj aktivitetesh ndihmojnë në shërimin e plagëve të së kaluarës, ndërkohë që rrisin edhe ndërgjegjësimin për ngjarjet e përjetuara nga popujt autoktonë. Për faktin se në to marrin pjesë gjithnjë e më shumë qytetarë jo autoktonë, e bëjnë sigurisht më të lehtë edhe procesin e pajtimit.

Stampede Park - Calgary

 

Manitoba - Tre vjet pas vendosjes së gurit të parë në themelet e transformimit të ofrimit të kujdesit shëndetësor autokton, Organizata e Shefave të Manitobës Jugore (Southern Chief’s Organization) është në prag të krijimit të autoritetit të saj shëndetësor. Në një deklaratë të përbashkët për shtyp të publikuar të premten (24.06), organizata dhe qeveritë provinciale e federale, njoftuan se Manitoba është angazhuar të vërë në zbatim një marrëveshje në parim për të zyrtarizuar angazhimin e tre palëve. Shefi i madh i Southern Chief’s Organization (SCO), Jerry Daniels, e ka konsideruar marrëveshjen historike, duke pohuar se ky ishte hapi tjetër për mbylljen e hendekut 11-vjeçar midis jetëgjatësisë së autoktonëve dhe pjesës tjetër të banorëve të provincës Manitoba. Tryeza tripalëshe, e udhëhequr nga SCO, do të ketë për detyrë krijimin e një sistemi të kujdesit shëndetësor holistik, përfshi dhe trajtimin e traumatizmave, për komunitetin Anishinaabe dhe Dakota First Nations. Kujdesi parësor, aksesi më i mirë në shërbimet e shëndetit mendor, shërbimet e përmirësuara për të moshuarit, aksesi në metodat tradicionale të shërimit dhe aksesi i komunitetit në kujdesin shëndetësor janë identifikuar si prioritetet kryesore. Ende nuk është komunikuar ndonjë datë për nënshkrimin e marrëveshjes dhe nisjen nga puna të autoritett të ri shëndetësor. Ministrja e Shëndetësisë së Manitoba, Audrey Gordon, e ka konsideruar nismën si një detyrë monumentale.

Jerry Daniels

 

Nova Scotia - Nga dje (25.06) Claudia Chender, do jetë zyrtarisht udhëheqësja e New Democratic Party në provincën Nova Scotia, pas konventës së partisë të zhvilluar në Halifax. Ishte rezultat që pritej, pasi ajo ishte e vetmja kandidate në garë. Ish-avokatja 45 vjeçare, është deputete provinciale e zonës elektorale Dartmouth South që nga viti 2017. Në kohën kur ajo shpalli kandidaturën, në shkurt të këtij viti, Chender kryente funksionin e liderit parlamentar të NDP në parlamentin provincial. Claudia Chender pason në funksion Gary Burrill, kryetar i partisë që nga shkurti 2016, i cili në nëntor 2021, pat dhënë dorëheqjen, duke vazhduar të jetë deputet i zonës elektorale Halifax Chebucto. NDP, që nuk i ka fituar zgjedhjet provinciale që nga viti 2009, në dy zgjedhjet e fundit të përgjithshme është renditur partia e tretë dhe aktualisht ka 6 deputetë, nga 55 gjithsej që ka Parlamenti i Nova Scotia.

Claudia Chender

 

Newfoundland - Një konsorcium kompanish synon të ndërtojë 164 turbina me erë në gadishullin Port-au-Port në Newfoundland dhe Labrador deri në vitin 2025. Projekti do të transformojë si peizazhin ashtu edhe ekonominë e rajonit. World Energy GH2 parashikon të prodhojë deri në një gigavat (GW) energji nga projekti, pra më shumë energji elektrike se impianti Muskrat Falls, për të prodhuar më pas hidrogjen të gjelbër dhe amoniak në një fabrikë të re në Stephenville. Hidrogjeni i gjelbër është hidrogjeni (H2) i prodhuar duke përdorur energji elektrike me nivel karboni të ulët, siç është energjia e erës. Prodhimi konsiston në kalimin e një rryme elektrike përmes ujit (H2O) në mënyrë që të zbërthejë molekulat dhe të nxjerrë hidrogjenin. Sipas dokumenteve që i janë paraqitur qeverisë provinciale, ndërtimi dhe mirëmbajtja e projektit Nujio'qonik, emri Mi'kmaw për Gjirin e Shën Gjergjit, do të kushtojë rreth 2.7 miliardë dollarë. Projekti do të krijojë gjithashtu afërsisht 2,500 vende pune gjatë zbatimit, duke përfshirë 100 vende pune të përhershme. 164 turbinat e erës do të jenë të dukshme nga pothuajse kudo në gadishull dhe parashikohet të kenë një lartësi prej rreth 200 m. Diametri i rotorëve do jetë 158 metra. Mendohet që ndërtimi i turbinave do të ketë ndikime të rëndësishme edhe në ekonominë e gadishullit, që ka dhe shkallën më të lartë të papunësisë në Newfoundland, rreth 33.5%. Në një raport të dorëzuar pranë qeverisë provinciale si pjesë e vlerësimit mjedisor, World Energy GH2 premton të kryejë analiza në lidhje me zhurmën dhe ndikimet vizuale të turbinave të erës në gadishullin Port-au-Port. Projekti Nujio'qonik do të jetë parku i parë i madhe eolian i ndërtuar në Newfoundland dhe Labrador që nga heqja e moratoriumit për prodhimin e energjisë së erës në tokë më 5 prill të këtij viti. Kjo politikë u vendos në vitin 2007 për të siguruar që energjia hidroelektrike e prodhuar nga termocentrali i Ujëvarës së Muskratit, një megaprojekt kostot e të cilit janë rritur maksimalisht, të përdoret nga popullata. World Energy GH2 bashkon katër kompani: CFFI Ventures, Horizon Maritime, World Energy dhe DOB-Academy. CFFI Ventures është firma e miliarderit John Risley, ish-pronari i Clearwater Seafoods. Një ndër investitorët është dhe Brendan Paddick, një sipërmarrës nga Newfoundland, i cili njihet si pjestar i rrethin të afërt të Kryeministrit Andrew Furey. Ministri i Mjedisit Bernard Davis do duhet të marrë një vendim për vlerësimin mjedisor të projektit deri më 5 gusht, ndërsa banorët kanë afat deri më 27 korrik për të votuar projektin.

 

Montréal - Prej të premtes (24.06), gjatë fundjavave, përdoruesit e metrosë së Montréal mund të hipin falas në këtë shërbim transporti publik nëse përdorin për hyrje disa stacione të caktuara në qendër të qytetit. Kështu, çdo fundjavë dhe festë publike deri më 5 shtator, metroja do të jetë falas për personat që hyjnë në stacionet Peel, McGill, Place-des-Arts dhe Saint-Laurent, në linjën e gjelbër, në Champ-de-Mars dhe Place-d'Armes, në linjën portokalli dhe në stacionin Berri-UQAM, ku kryqëzohen linja e verdhë, portokallia dhe jeshilja. Përdoruesit janë paralajmëruar se aksesi falas prek vetëm këto shtatë stacione dhe ky akses mbetet i pagueshëm në të tjerët. Oferta gjithashtu nuk vlen për rrjetin e autobusëve, ku kërkohet ende një biletë transporti e vlefshme. Kjo masë lehtësuese u mor nga Bashkia e Montréal, në partneritet me Autoritetin Rajonal të Transportit Metropolitan (ARTM) dhe Shoqërinëe e Transportit të Montréal (STM). Në këmbim, nuk do ketë më parkim falas në qendër të qytetit siç u ofrua verën e kaluar.

 

©Flasshqip me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada; The Canadian Presse/Michael Bell; Justin Goff

*Në foton kryesore Kryeministri Justin Trudeau dhe Komisarja e Xhandarmërisë Mbretërore të Kanadasë, Brenda Lucki.