Kanada

Trudeau në dilemë: “T’ia prish” Zelensky-t apo “t’ia ndreq” Olaf Shcholz-it?

  • Published in Kanada

Një turbinë e gjigantit rus Gazprom, të cilës po i kryhet remonti kapital në një uzinë të kompanisë gjermane Siemens Energy në Montréal, ka krijuar një situate diplomatike delikate për qeverinë e kryeministrit Trudeau, e cila do të shkelte sanksionet e saj ndaj Moskës, nëse ia dorëzon atë Gazprom-it, për të mos dëmtuar furnizimin me gaz të Gjermanisë.

Një burim nga Ministria e Energjisë e Ukrainës i ka deklaruar Reuters sot (08.07), që Ukraina i ka kërkuar Kanadasë të mos ia dorëzojë turbinën në fjalë Gazpromit. I njëjti burimi ka kujtuar se sanksionet e vendosura ndaj qeverisë ruse e ndalojnë transferimin e çdo pajisjeje që lidhet me furnizimin me gaz natyror dhe nëse Kanadaja ia kthen Gazpromit pajisjen që është pjesë e infrastrukturës së gazsjellësit North Stream, Ukraina do t'i bëjë thirrje shteteve evropiane që ta rivlerësojnë këtë vendim.

Stacion tranziti, North Stream 1 Lubmin-Gjermani (Foto: AP/Stefan Sauer)

Reuters ka konfirmuar gjithashtu që posedon edhe një kopje të letrës që ministri i Energjisë i Ukrainës, German Galushchenko, ia ka dërguar në qershor qeverisë Trudeau për këtë çështje. Sipas asaj që shkruhet në letrën e ministrit ukrainas, Rusia, edhe pa turbinën që ndodhet në Montréal, ka mjete të mjaftueshme për të siguruar tranzitin e gazit natyror me kapacitet maksimal drejt Gjermanisë.

Nga Saint John, Newfoundland dhe Labrador, ku ndodhej sot, Ministri Kanadez i Burimeve Natyrore Jonathan Wilkinson pranoi se Kanadaja është para një situatë jo të lehtë për t’u zgjidhur, që sipas tij “po diskutohet edhe me qeverinë ukrainase edhe me atë gjermane”. Ministri Wilkinson pohoi gjithashtu që Kanadaja po punon për të gjetur një zgjidhje që do të funksionojë për të gjitha palët.

Jonathan Wilkinson (Foto: Government of Canada)

Ministri ka deklaruar se Kanadaja vazhdon të jetë e ndjeshme ndaj gjendjes së vështirë të ukrainasve dhe nuk do reshtë së mbështeturi plotësisht sanksionet kundër Moskës, por nga ana tjetër, tha ai, “qëllimi i sanksioneve nuk është të penalizojnë aleatët dhe kështu të shkatërrojnë ekonominë e Gjermanisë, Italisë, Sllovakisë dhe Austrisë”. Sipas Wilkinson, gazsjellësi Gazprom jo vetëm që furnizon Gjermaninë, por edhe një numër vendesh të tjera evropiane me gaz dhe qeveria ruse po e përdor turbinën si një justifikim për të shkurtuar furnizimet me gaz në Gjermani dhe gjetkë.

Kjo mosmarrëveshje del në dritë vetëm pak ditë para mbylljes totale të gazsjellësit Nord Stream 1 (për shkak të punimeve të mirëmbajtjes), gjë që e ka rritur shqetësimin e Gjermanisë, që është shumë e varur nga gazi rus.

Ndërkohë, në muajin gusht është konfirmuar edhe ardhja për vizitë zyrtare në Kanada e Kancelarit gjerman Olaf Scholz. Shcolz dhe Trudeau janë takuar për herë të fundit më 27 qershor në Gjermani, gjatë Samitit të G7.

©Flasshqip.ca me informacion nga The Canadian Press dhe Reuters