Kanada

Trudeau ndyshon modelin e flokëve dhe anulon një takim për shkak të protestuesve

Turi i takimeve të djeshme (15.07) të kryeministrit kanadez Justin Trudeau në zonën përreth kryeqytetit Ottawa, ka përfunduar më herët se ç’ishte parashikuar, për shkak të disa protestuesve, përkrahës të Freedom Convoy, që u mblodhën para një objekti ku ai do të shkonte për vizitë.

Pas dy ndalesave pa incidente në një park në Gatineau dhe dy zona të tjera në periferi të Ottawa, Trudeau u nis drejt fabrikës së birrës Étienne Brûlé në Embrun, rreth 45 kilometra në lindje të kryeqytetit federal, por më pas u kthye mbrapsht. Protestuesit e mbledhur atje mbanin në duar edhe një pankartë ku lexohej emri i tij dhe një sharje në adresë të tij. Prezent ishin edhe disa punonjës shërbimi me veshje civile të Policisë Federale Kanadeze. Kujtojmë që në fillim të këtij viti, në Embrun ishte vendosur dhe një nga kampingjet e Freedom Convoy gjatë protestave që paralizuan Ottawa për tre javë.

Është hera e dytë në më pak se dy muaj që Trudeau detyrohet të anulojë një dalje të planifikuar publike për shkak të pranisë së përkrahësve të protestuesve të Freedom Convoy. 24 majin e kaluar, në Surrey të British Columbia, u mblodhën rreth 100 demonstrues, duke kërkuar ndër të tjera edhe dorëheqjen e tij. Trudeau ishte parashikuar të ishte i pranishëm në një darkë për mbledhje fondesh të organizuar nga Partia Liberale, event ku më pas ai mori pjesë virtualisht. Gjatë fushatës së fundit zgjedhore federale të verës së kaluar, gjithashtu u anulua një ndalesë në Bolton, Ontario, për shkak të pranisë së një turme të madhe protestuesish.

Para protestës në Embrun, ajo që ra në sy gjatë ditës së djeshme ishte modeli i ri i prerjes së e flokëve të Justin Trudeau.

©Flasshqip.ca me informacion nga The Canadian Press

Fotot: The Canadian Press/Justin Tang