Kanada

Fitore historike e çiklistit kanadez Hugo Houle në Tour de France

  • Published in Sport

Çiklisti 31 vjeçar kanadez me origjinë nga Sainte-Perpétue (Québec) Hugo Houle, arriti dje (19.07) një fitore historike në Tour de France, duke dalë i pari në etapën e 16-të. Ai i përshkoi më shpejt se të tjerët 178.5 kilometrat midis Carcassonne dhe Foix, me një kohë totale 4 orë, 23 minuta dhe 27 sekonda (më shumë se një minutë më shpejt se vendi i dytë dhe i tretë).

Pjestar i ekipit Israel-Premier Tech, Houle është kanadezi i dytë që realizon një performancë të tillë. Në përfundim të garës ai ka deklaruar që fitoren ia dedikonte vëllait të tij të ndjerë, i cili pat humbur jetën tragjikisht në vitin 2012.

Para triumfit të Hugo Houle, i vetmi kanadez që ishte ngjitur në podiumin e vendit të parë në një garë të Tour de France, ka qenë Steve Bauer, në vitin 1988. Ky i fundit aktualisht është drejtor sportiv i Israel-Premier Tech. Ndërkohë, të premten e kaluar (15.07) Houle u rendit i treti në etapën e 13-të, duke e paralajmëruar në një farë mënyre suksesin e djeshëm.

Ekipi në të cilin bën pjesë Hugo Houle, i përket miliarderit izraelito-kanadez Sylvan Adams, i lindur në Quebec, filantrop shumë i njohur dhe i pasionuar çiklizmit, i cili ka investuar në veçanti që ky sport të zhvillohet në Izrael.

©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Foto: AFP via Getty Images/Marco Bertorello/Anne-Christine Poujolat