Kanada

Papa Françesku mbërrin në Kanada - Ja cili do të jetë programi i vizitës…

Ashtu siç ishte parashikuar, sot (24.07) rreth orës 11:20 me orën e perëndimit kanadez, avioni i kompanisë italiane ITA Airways me kreun e Vatikanit në bord, ka mbërritur në Aeroportin Ndërkombëtar të Edmonton-it në Alberta. Papa Françesku, i shoqëruar nga Sekretari i Shtetit Pietro Parolin dhe një numër kardinalësh, mes të cilëve dy kanadezë, është pritur nga Guvernatorja e Përgjithshme Mary Simon, Kryeministri Justin Trudeau dhe autoritetet më të larta politike të provincës Alberta dhe Bashkisë Edmonton.

Nga ana e përfaqësuesve të popujve autoktonë ndodheshin të pranishëm për t’i uruar mirëseardhjen Atit të Shenjtë Kryetarja e Asamblesë së Popujve Autoktonë, RoseAnne Archibald, Shefi i Asamblesë së Kombeve Autoktonë të Territoreve Veriperëndimore, Gerald Antoine, Shefi i Madh George Arcand Jr. i Konfederatës së Kombeve Autoktonë të Traktatit 6, si dhe dy të moshuar, të mbijetuar nga shkollat famekeqe rezidenciale nga provinca e Alberta-s. Ndërkohë, një grup nga komuniteti autokton Sioux Nakota d'Alexis interpretoi një këngë tradicionale të shoqëruar me tamburë.

Pas ceremonisë së pritjes dhe një bisede të shkurtër private me autoritetet kanadeze, Papa udhëtoi drejt Seminarin të Shën Jozefit, një kampus teologjik ku ai do akomodohet gjatë qëndrimit të tij në Alberta.

Udhëtimi papal 6 ditor do të vazhdojë të nesër, më 25 korrik, me një ndalesë në Maskwacis, një komunitet në Alberta-n qëndrore rreth 70 km në jug të Edmonton. Papa Françesku, në prezencë të Guvernatores së Përgjithshme Simon dhe Kryeministrit Trudeau, do të takohet në orën 10:00 me autoktonë Métis dhe Inuit, përfaqësues të të cilëve vizituan Vatikanin nga 28 mars deri më 1 qershor 2022. Pas vizitës së tij në varrezat Ermineskin Cree Nation aty pranë dhe në ambientet e ish-shkollës rezidenciale autoktone Ermineskin, Papa do të mbajë fjalimin e parë të vizitës. Pasdite, në orën 16:45, ai do të takohet me komunitete të tjerë autoktonë dhe anëtarë të komunitetit të famullisë në Kishën e Zemrës së Shenjtë në Edmonton.

Të martën, më 26 korrik, në festën e shenjtorëve Joakim dhe Anës - ndaj të cilëve popujt autoktonë kanë një përkushtim të thellë - Papa Françesku do të kremtojë një meshë në orën 10:15 në stadiumin Commonwealth në Edmonton. Në orën 17:00 do të zhvillohet një nga ngjarjet më domethënëse të të gjithë udhëtimit: pjesëmarrja e peshkopit të Romës në “Lac Sainte-Anne”, pelegrinazhi vjetor për nder të Shën Anës në brigjet e liqenit piktoresk me të njëjtin emër në Alberta, ku çdo vit marrin pjesë mesatarisht 40,000 vetë.

Në ditën e katërt të udhëtimit, më 27 korrik, Papa Françesku do të udhëtojë për në Québec City, ku do të mbërrijë në orën 15:05. Në rezidencën e Guvernatorit të Përgjithshëm, "Citadelle of Quebec", ceremonia e mirëseardhjes do të zhvillohet në orën 15:40, e ndjekur nga një takim kortezie me Guvernatoren e Përgjithshme Mary Simon e më pas nga një takim me Kryeministrin Justin Trudeau dhe autoritetet civile, të shoqëruar nga trupi diplomatik dhe përfaqësues të popujve autoktonë. Papa dhe Guvernatorja Simon do të mbajnë nga një fjalim para të pranishmëve, ndërsa kjo e fundit do të zhvillojë dhe një takim të veçantë me Kardinalin Pietro Parolin, Sekretar Shteti i Selisë së Shenjtë.

Të enjten më 28 korrik në orën 10:00 në Québec, Papa Françesku do të kremtojë meshën në faltoren kombëtare të Sainte-Anne-de-Beaupré, një vend kulti origjina e të cilit daton në shekullin e 17-të dhe që tërheq deri në një milion besimtarë në vit. Takimi i dytë i ditës së pestë do të zhvillohet në orën 17:00 në katedralen Notre-Dame de Québec, me përfaqësues të klerit katolik.

Mëngjesi i së premtes 29 korrik do të hapet me një takim privat në orën 9 me anëtarët e Shoqërisë së Jezusit në Kryedioqezën e Québec. Në të njëjtin vend, Papa do të takohet rreth një orë e gjysmë më vonë me një delegacion të autoktonëve që banojnë në qytetin frankofon. Në orën 12:45, Papa do të niset me avion për në Iqaluit, kryeqyteti i territorit kanadez të Nunavut, i ndodhur në jug të Rrethit Arktik.

Në Iqualuit, i shoqëruar nga Guvernatorja e Përgjithshme Mary Simon, kreu i Vatikanit do të vizitojë një shkollë fillore të zonës ku do të takohet privatisht me një grup ish-nxënësish të shkollave rezidenciale të krijuara nga qeveria kanadeze në fund të shekullit të 19-të për të asimiluar kulturalisht fëmijët autoktonë.

Në përfundim të këtij takimi, i planifikuar nga ora 17:00 deri në 18:15, Papa Françesku do të transferohet në aeroportin e Iqaluit, ku do të zhvillohet ceremonia e lamtumirës dhe e përcjelljes në prezencë të Guvernatores së Përgjithshme të Kanadasë Mary Simon. Në orën 18:45 avioni do të niset për në Romë, ku Papa parashikohet të mbërrijë të nesërmen, më 30 korrik, në orën 07:50 të mëngjesit me orën italiane.

P. S. Klikoni fotot më poshtë.

©Flasshqip me informacion nga Radio-Canada dhe Vatican News

Fotot: Reuters