Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 24 korrik 2022

Justin Trudeau, Papa Françesku dhe Mary Simon - Edmonton, 24 korrik 2022

 

Québec, aeroporti i qytetit përgatitet të presë Papa Françeskun

British Columbia, Bashkia Vancouver miraton planin strategjik urban

Alberta, ringjallet tradita metise e karrove prej druri të Read River

Saskatchewan, 150 të mbijetuar nga shkollat rezidenciale shkojnë për të dëgjuar ndjesën e Papës në Edmonton

Prince Edward Island, evakuohen 225 pasagjerët e një trageti që u përfshi nga zjarri

Ontario, lejohet blerja e kanabisit drejtpërdrejt nga kultivuesit

 

Québec - Siguri e përforcuar, perimetër i mbyllur për dy orë dhe ndërprerje fluturimesh: një operacion masiv logjistik do vihet në lëvizje në Aeroportin Ndërkombëtar Jean Lesage në Québec, në mënyrë që mbërritja, pritja dhe zhvendosja drejt qendrës së qytetit e Papa Françeskut të shkojë si duhet dhe sipas planifikimit. Papa do zbresë në kryeqytetin e provincës frankofone të mërkurën, më 27 korrik, pasdite rreth orës 14:00. Autoritetet e aeroportit kanë njoftuar udhëtarët që zona rreth tij do jetë e mbyllur deri në ora 14:00. Një autokolonë e madhe në numër mjetesh e policisë dhe të paktën një ambulancë do të shoqërojnë Atin e Shenjtë gjatë rrugës deri në Citadelle (rezidenca e Guvernatores së Përgjithshme), ku do të zhvillohen takimet zyrtare. Më pas Papa do të dalë në publik në Plaine d’Abraham. Ndërkohë, sipas Bashkisë, trafiku midis Aeroportit Ndërkombëtar Jean Lesage dhe Citadelle do ndërpritet për rreth dy orë.

Aeroporti Jean Lesage

Vancouver - Këshilli bashkiak i Vancouver ka miratuar këto ditë planin e tij të parë strategjik hapësinor urban për ta bërë metropolin "më të jetueshëm, më të përballueshëm dhe elastik" në dekadat e ardhshme. Në një komunikatë për mediat, Bashkia deklaroi se plani do të zgjerojë opsionet e strehimit në të gjitha lagjet, ndër të tjera strehimin social, opsionet e transportit si dhe infrastrukturën tjetër. Deri në vitin 2050, Vancouver parashikohet të ketë rreth 260,000 banorë më shumë dhe 210,000 vende të reja pune. Objektivi është që 76% e banorëve të jetojnë në të ardhmen brenda një distance 5-minutëshe në këmbë nga dyqanet dhe shërbimet, krahasuar me 58% aktualisht. Këshillit do t’i duhet duhet të miratojë disa politika për të përcaktuar se si mbrojtja e qiramarrësve dhe kontributi i ndërtuesve mund të përshtaten me planin strategjik.

 

Rocky Mountain House - Karrot e Read River në Alberta kanë qenë prej kohësh pjesë e rëndësishme e kulturës së jetesës të metisëve. Aktualisht një banor i provincës ka marrë përsipër që tradita e prodhimit të tyre të mos zhduket. George Moritz nga Rocky Mountain House, një qytet i vogël me rreth 7000 banorë, pak më shumë se dy orë në veriperëndim të Calgary, u motivua për të mësuar artin e prodhimit të këtyre karrove nga gruaja e tij, Gladis Bigelow. “Karrot e Read River ofronin strehë gjatë natës, si dhe mbrojtje e siguri. Njerëzit flinin nën to e mbuloheshin me lëkurë”, tregon gruaja me origjinë metise. Këto karro janë unike sepse janë bërë tërësisht prej druri. Nuk përdoren gozhdë metalike ose vida për të mbajtur pjesët e ndryshme së bashku. Sipas George Moritz, duhet rreth një muaj prodhuar një të tillë. Një tjetër aspekt unikal i karrove të Read River është se ato mund të përdoren edhe si mjet lundrues duke i palosur rrotat në pjesën e poshtme.

 

Regina - Reth 150 të mbijetuar nga shkollat ​​rezidenciale në Saskatchewan u nisën sot (24.07) nga Regina me tre autobusë drejt Edmonton për të dëgjuar nesër në Maskwacis deklaratën e ndjesës nga Papa Françesku, për rolin që luajti Kisha Katolike në sistemin famëkeq shkollor rezidencial kanadez. Të mbijetuarit e shkollave rezidenciale shoqërohen gjatë këtij udhëtimi nga një pjesëtar i familjes, për mbështetje psikologjike dhe logjistike. Ky udhëtim u organizua dhe financua nga Dioqeza Katolike e Regina.

Yvonne Fourhorns, e mbijetuar e shkollave rezidenciale

Wood Islands - Të premten në mëngjes (22.07) trageti Holiday Island i kompanisë Northumberland Ferries, në bordin e të cilit ndodheshin rreth 225 persona, u përfshi nga zjarri që u konstatua rreth orës 11:00 në sallën e motorave. Ky traget operon midis Prince Edward Island dhe Nova Scotia. Sipas Qendrës së Përbashkët të Koordinim-Shpëtimit në Halifax, Nova Scotia, e cila u njoftua për ngjarjen në ora 11:17, të gjithë pasagjerët dhe ekuipazhi u evakuan shëndoshë e mirë. Trageti ishte nisur nga Caribou, Nova Scotia, për në Wood Islands, Prince Edward Island dhe zjarri shpërtheu rreth një orë pas nisjes, kur anija 98 metra e gjatë e cila transportonte pasagjerë dhe automjete ndodhej afër destinacionit. Ndërkohë, Northumberland Ferries ka paralajmëruar pasagjerët që 83 automjetet e ndodhur në bord mund të jenë totalisht të parikuperueshëm prej dëmtimeve.

 

St. Thomas - Provinca e Ontario-s është e njohur për vreshtat e saj, ku turistët vijnë për të parë nga afër procesin prodhimit të verës dhe shpesh para largimit blejnë disa shishe direkt nga prodhuesi. Imagjinoni një koncept të ngjashëm të aplikuar në industrinë e kanabisit. Ky është koncepti dyqaneve të tipit farmgate (ose shitjes “drejtpërdrejt nga prodhuesi”), të cilët kanë filluar të operojnë në Ontario, provincë që tani i lejon prodhuesit e kanabisit të liçensuar nga niveli federal të shesin me pakicë në ambientin e kultivimit. Kompania Sensi Brands është një nga të parat në vend që hapi një biznes të këtij lloji. Dyqani saj, i quajtur Station House, u hap shtatorin e kaluar pranë serave të kultivimit në qytetin e vogël të St. Thomas. Sipas Tony Giorgi, CEO dhe themelues i Sensi Brands, ky model ka disa përparësi sepse e bën procesin e shpërndarjes më efikas. Në Ontario, të gjithë prodhuesit e kanabisit liçensohen përmes një agjencie shtetërore, Ontario Cannabis Corporation (OCS), për të shitur produktet e tyre të cilat më pas rishpërndahen te shitësit me pakicë.

 

©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada/Monty Kruger/Charles Le Bourgeois/Yan Theoret; CBC/Shane Hennessey; City of Vancouver; Prime Minister of Canada Office;