Kanada

Papa kërkon falje, Trudeau deklaron: Pajtimi është çështje e të gjithë kanadezëve

Kryeministri kanadez Justin Trudeau publikoi ​​sot deklaratën e mëposhtme pas takimit ku Shenjtëria e Tij Papa Françeskut u kërkoi publikisht falje në emër të Kishës Katolike të mbijetuarve të sistemit rezidencial shkollor në Kanada:

“Sot në Maskwacîs, territor i Traktatit 6, që është tokë tradicionale e First Nations dhe Metisëve, Shenjtëria e Tij Papa Françesku pranoi abuzimet e kryera në shkollat ​​rezidenciale, të cilat, për popujt autoktonë të të gjitha rajoneve të vendit, kanë rezultuar me shkatërrimin e kulturës së tyre, humbjen e jetëve njerëzore dhe trauma të përjetshme. Shenjtëria e Tij kërkoi ‘falje për të këqiat e kryera nga shumë të krishterë ndaj popujve autoktonë’.

Sistemi i shkollave rezidenciale u përpoq të asimilonte fëmijët autoktonë. Këta të fundit u detyruan të braktisin gjuhën, kulturën, spritualitetin, traditat dhe identitetin e tyre. Më shumë se 150,000 fëmijë u morën forcërisht nga familjet dhe komunitetet e tyre për t'u vendosur në pensionate. Shumë prej tyre pësuan abuzim fizik, emocional dhe seksual dhe mijëra fëmijë nuk u kthyen më kurrë në shtëpi. Trashëgimia e dhimbshme e sistemit shkollor rezidencial vazhdon edhe sot.

Në vitin 2015, Komisioni i të Vërtetës dhe Pajtimit publikoi raportin e tij përfundimtar, i cili përcaktonte 94 rekomandime për veprim, për të analizuar dhe korrigjuar dëmin e shkaktuar nga shkollat ​​rezidenciale. Në mënyrë të veçantë, Rekomandimi 58 i kërkonte Papës t'u kërkojë falje të mbijetuarve, familjeve dhe komuniteteve të tyre për rolin që Kisha Katolike Romane ka luajtur në keqtrajtimet në planin shpirtëror, kulturor, emocional, që fëmijët autoktonë, Inuitë dhe Metisë, u detyruan të provojnë në shkollat ​​rezidenciale të drejtuara prej saj. Që nga publikimi i raportit, First Nations, Inuitët dhe Metisët, i kanë kërkuar Papës t'i përgjigjet kësaj thirrjeje.

Në fillim të këtij viti, në një demonstrim të jashtëzakonshëm kurajoje dhe vendosmërie, të mbijetuarit, udhëheqësit dhe të rinjtë autoktonë udhëtuan në Vatikan për t'ia dëshmuar të vërtetën e tyre drejtpërdrejt njërit prej institucioneve përgjegjëse dhe për t'i kërkuar Kishës Katolike që të kërkonte falje në formën e duhur. Ngjarja që na mblodhi sot në Maskwacîs është rezultat i guximit, ndërgjegjësimit dhe këmbënguljes së të mbijetuarve të First Nations, Inuitëve dhe Metisëve, të cilët ndanë me ne kujtimet dhe përvojat e tyre të dhimbshme.

Sot kujtojmë fëmijët që u shkëputën nga familjet e tyre dhe u privuan nga fëmijëria. Pasojat ndër breza të shkollave rezidenciale ndihen ende sot në komunitetet autoktone, pasi të mbijetuarit dhe familjet e tyre vazhdojnë të përjetojnë traumën e pësuar. Qeveria e Kanadasë do të vazhdojë të mbështesë procesin e tyre të rikuperimit dhe mbetet e përkushtuar në zbatimin e Rekomandimeve për Veprim të Komisionit të së Vërtetës dhe Pajtimit.

Pajtimi është çështje e të gjithë kanadezëve. Na takon të gjithëve të jemi të hapur, të vëmendshëm dhe të ndajmë me njeri-tjetrin përjetimet. Na takon të gjithëve që dallimet mes njëri-tjetrit të mos i shohim si pengesa, por si një mundësi për të mësuar, për ta kuptuar më mirë njëri-tjetrin dhe për të ndërmarrë veprime konkrete. Askush nuk duhet të harrojë atë që ndodhi në shkollat ​​rezidenciale të Kanadasë dhe ne të gjithë duhet të kujdesemi që kjo të mos ndodhë më kurrë. Në frymën e pajtimit dhe shërimit, së bashku do të ndërtojmë një të ardhme më të mirë - për popujt autoktonë dhe gjithë kanadezët.

Burimi: Zyra e Kryeministrit të Kanadasë  https://pm.gc.ca

Shqipëroi: Flasshqip.ca

Foto: Nathan Denette/The Canadian Presse