Kanada

Gara për kreun e Konservatorëve: Ish-kryeministri Harper mbështet Pierre Poilievre

Gara për kreun e Partisë Konservatore Kanadeze që nisi pas shkarkimit të ish-kryetarit Erin O’Toole nga Grupi Parlamentar, ka marrë një zhvillim të papritur dhe shumë domethënës gjatë ditës së djeshme (25.07).  Në një video të shkurtër të postuar në Twitter, ish-kryeministri i Kanadasë në vitet 2006-2015, Stephen Harper, figure emblematike e Konservatorëve, ka deklaruar hapur mbështetjen ndaj Pierre Poilievre, atij që prej fillimit konsiderohet si kandidati favorit për kreun e opozitës.

“Në këtë garë të veçantë, ka patur shumë spekulime se cili kandidat e kishte mbështetjen time, ndaj dhe ka rëndësi që anëtarët e partisë të dëgjonin drejtpërdrejt mendimin tim”, është shprehur Harper, duke konfirmuar qartë mbështetjen për Pierre Poilievre, i cili ishte gjithashtu ka qenë ministër në kabinetin e tij nga 2013 deri në 2015. “Pierre Poilievre ishte një ministër i fortë në qeverinë time dhe gjithashtu këto vite qenë kritiku më elokuent dhe më efikas ndaj Partisë Liberale të Justin Trudeau, që i mbështet qëndrimet e tij tek idetë konservatore të përshtatura me realitetin e sotëm”, e ka përfunduar deklaratën e tij të shkurtër ish-kryeministri kanadez

Mbështetja e Stephen Harper për Pierre Poilievre, i cili përkrahet gjithashtu edhe nga ish-kryetari konservator Andrew Scheer, vjen në prag të debatit të tretë të kandidatëve, debat në të cilin Poilievre ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë. Ky debat do të zhvillohet ndërkohë që votimi i anëtarësisë me postë ka nisur dhe struktura përkatëse e Partisë Konservatore po mbledh dita-ditës fletëvotimet e plotësuara. Rezultatet e garës për kryetar do të shpallen në Ottawa më 10 shtator.

©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Foto: Canadian Government; The Canadian Press/Sean Kilpatrick;