Kanada

Papa Françesku mbërrin në Québec dhe u kërkon sërish falje Autoktonëve

Pak orë pasi mbërriti në Québec për fazën e dytë të “pelegrinazhit të tij pendestar” në tokën kanadeze, Papa Françesku përsëriti sot (27.07) edhe një herë kërkesën e tij për falje nga popujt autoktonë për vuajtjet që u shkaktuan atyre përfaqësues të Kishës Katolike. Në kryeqendrën e provincës frankofone ai u prit në rezidencën e Guvernatorit të Përgjithshëm Citadelle nga Guvernatorja Mary Simon dhe Kryeministri Justin Trudeau, me të cilët pati dhe audienca të veçanta private bashkë me Sekretarin e Shtetit, kardinalin Pietro Parolin.

Gjatë ceremonisë publike në ambientet e Citadelle, në prezencë të përfaqësuesve të popujve autoktonë, dinjitarëve të lartë shtetërore dhe trupit diplomatik, në gjuhën e tij amtare, spanjisht, Papa Fraçesku denoncoi ashpër politikat e asimilimit të ushtruara në shkollat ​​rezidenciale duke i cilësuar ato si një sistem i urryer që ndau shumë fëmijë nga familjet e tyre. “Në këtë sistem”, u shpreh Ati i Shenjtë, “u përfshinë institucione të ndryshme katolike lokale dhe kjo është arsyeja pse unë kam një ndjenjë turpi e njëkohësisht dhimbje të madhe. Prandaj së bashku me peshkopët kanadezë, ripërsëris kërkesën time për falje për të keqen e kryer nga shumë të krishterë katolikë ndaj popujve autoktonë”.

Pavarësisht kërkesave të përsëritura nga shumë të mbijetuar të shkollave rezidenciale dhe udhëheqës të Popujve Autoktonë, kreu i Vatikanit nuk kërkoi falje në emër të Kishës, por vetëm për gabimet e kryera nga disa prej ndjekësve të saj. Pas ceremonisë zyrtare, Shefi i Asamblesë së Popujve Autoktonë të Québec-Labrador, Ghislain Picard, pohoi për Radio-Canada se nuk ndihej i plotësuar si duhet nga fjalimi i Papës. “Edhe një herë, u deklarua se është përgjegjësi e disa të krishterëve dhe jo e Kishës Katolike si institucion. Kjo, për mua, është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe ka ende kohë te hidhet një hap më tej në këtë drejtim, sepse kanë mbetur dhe tri ditë nga vizita”, u shpreh ai.

Fjalimi i Papa Françeskut u transmetua në ekranet gjigante të instaluar në Rrafshinat e Abrahamit para Citadelle, ku ishte mbledhur një turmë më e vogël se sa pritej. Pas ceremonisë, ku binte në sy trishtimi në fytyren e Ati të Shenjtë, ky i fundit hipi në automjetin e pagëzuar “papamobile” dhe u përshëndet më njerëzit që ishin vendosur në ty dy anët e rrugës që të çon në qendër të qytetit ku ndodhet dhe godina e Arqidioqezës së Québec ku ai është akomoduar.

Në daljen e tij publike, Papa Françesku u përshëndet ngrohtësisht nga qytetarët dhe ndaloi disa herë për të përkedhelur fëmijë të vegjël të cilët ia sillnin në krahë rojet e tij personale. Nga transmetimi i drejpërdrejtë me kamera dhe fotot e publikuara më pas, binte në sy një shprehje krejt tjetër në fytyrën e tij, që dukej qartë se rrezatonte mirenjohje ndaj atyre që kishin dalë për ta brohoritur apo thjesht nga kureshtja.

©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada/Olivia Laperrière-Roy; Vatican News; TVA;