Kanada

Québec, Papa Françesku kërkon falje për abuzimet seksuale të klerit katolik

Presidenti i Konferencës Kanadeze të Peshkopëve Katolikë, Monsinjor Raymond Poisson ishte ai qe përshëndeti i pari me fjalën e tij të mirëseardhjes Atin e Shenjtë, në takim që u zhvillua sot pasdite (28.07) në Katedralen Notre-Dame në Qubéc, në perfundim të ditës së katërt të pelegrinazhit në Kanada të kreut të Vatikanit

Përpara anëtarëve të klerit katolik kanadez dhe personelit laik, Papa Françesku u kërkoi publikisht falje të gjitha viktimave të abuzimeve seksuale të kryera nga përfaqësues të Kishës Katolike në Kanada. Ai e ftoi gjithashtu klerin kanadez që të jetë i përulur dhe i besueshëm në procesin e pajtimit me popujt autoktonë, veçanërisht duke refuzuar çdo ndjenjë superioriteti apo keqdashjeje ndaj tyre. Papa pohoi gjithashtu se Kisha në Kanada kishte tashmë filluar një rrugëtim të ri pas plagosjes dhe tronditjes nga mëkatet e kryera nga disa prej përfaqësuesve të saj, gjëra që nuk duhet kurrë më të përsëriten.

Kreu i Selisë së Shenjtë dënoi sërish përjashtimin e çdo kulture në emër të një gjoja epërsie, referencë e drejtpërdrejtë kjo për pjesëmarrjen e Kishës në politikat qeveritare të asimilimit të autoktonëve, përfshirë sistemin e shkollave rezidenciale. “Të mos lejojmë asnjë ideologji të tjetërsojë dhe të ngatërrojë stilet dhe mënyrat e jetesës së popujve në përpjekje për t'i nënshtruar dhe dominuar ata”, theksoi Papa Françesku.

Takimi i sotëm, ku prezent ndodhej edhe Kryepeshkopi i Québec, kardinali Gérald Cyprien Lacroix, ishte aktiviteti i fundit liturgjik që u kremtua nga Papa.

Nesër në mëngjes (29.07), në ditën e parafundit të vizitës në Kanada, Ati i Shenjtë do zhvillojë një takim privat me anëtarët e Shoqërisë së Jezusit në Kryedioqezën e Québec e më pas me një delegacion të autoktonëve që banojnë në qytetin frankofon. Në orën 12:45, Papa do të niset me avion për në Iqaluit, kryeqyteti i territorit Nunavut.

©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Foto: Radio-Canada