Kanada

Përmbyllet në Nunavut peligrinazhi pendestar kanadez i Papa Françeskut

Ka përfunduar sot (29.07) vizita 6 ditore në Kanada e Atit të Shenjtë me ndalesën e tretë në territorin Nunavut, ku prezent për ta shoqëruar dhe përcjellë ishte sërish edhe Guvernatorja e Përgjithshme Mary Simon.

Pasi u nis nga aeroporti Jean-Lesage i Québec, avioni i kaltër i ITA Airways me Papa Françeskun në bord, mbërriti në mesditë në kryeqendrën e territorit, Iqaluit, ku mirëseardhjen e uroi kryeministri Pauloosie Jamesie Akeeagok. Iqaluit është një qytet me rreth 7500 banorë ku shkohet vetëm me rrugë ajrore.

Përpara se të merrte pjesë në një spektakël kulturor dhe të përsëriste ndjesën publike në adresë të autoktonëve, Papa zhvilloi një takim me disa të mbijetuar të shkollave rezidenciale.

Në një skenë të ngritur në një shesh në Iqaluit, shumë artistë Inuitë performuan njeri pas tjetrit përpara Atit të Shenjte për t’i paraqitur atij kulturën e tyre plot larmi dhe origjinalitet.

Pas spektaklit të artistëve, Papa përsëriti faljen e tij para të pranishmëve dhe me këtë rast përdori dhe disa fjalë në gjuhën autoktone Inuktitut.

Mes njerëzve të mbledhur për nder të Papës kishte dhe disa protestues që mbanin në duar pankarta dhe objekte të tjera, duke kërkuar më shumë aksione konkrete për pajtim si dhe kompensim financiar nga Kisha Katolike.

Rreth orës 20:00 të mbrëmjes Papa Françeskut e përfundoi vizitën në Kanada dhe u nis drejt Romës. Në aeroport, ai u përcoll nga një delegacion që përfshinte Guvernatoren e Përgjithshme Mary Simon, Kryeministrin e Nunavut Pauloosie Joseph Akeeagok, Ministrin e Marrëdhënieve Kurorë-Autoktonë Marc Miller, përfaqësuesin e First Nations Gerald Antoine, Presidentin e Këshillit Kombëtar Métis, Cassidy Caron dhe Presidentin e Inuitëve të Kanadasë Natan Obed.

©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: CBC/Radio-Canada