Kanada

Rezervati Natyror Gault ose si e mbrojnë natyrën kanadezët - Nga Taulant Dedja

  • Published in Discovery

Në një mot perfekt për shëtitje në natyrë, dje më 30 korrik 2022, së bashku me mikun tim të veçantë, profesorin e talentuar të frengjishtes, vlonjatin Rushan Xhaferi dhe familjet respektive, realizuam një ngjitje në majën Pain de Sucre (415m) në Mont Saint Hilaire pranë Rezervatit Natyror Gault të Universitetit McGill.

Rezervati Natyror Gault i Universitetit McGill është një rezervë private që mbron afro 1000 hektarë habitate natyrore. Ky rezervat ndodhet në territorin e bashkisë Mont Saint Hilaire, rreth 40 km larg Montréal-it. Mont-Saint-Hilaire është një qytet me rreth 19,000 banorë, pjesë e qarkut Vallée du Richelieu, në rajonin administrativ të Montérégie.

Mes Mont Saint Hilaire dhe qytetit fqinj Beloeil ndodhet lumi Richelieu. Qyteti dhe mali me të njejtin emër në këmbët e të cilit ai ndodhet, e mori emrin për nder të Hilaire de Poitiers. Hilaire de Poitiers (në latinisht Hilarius Pictaviensis) është peshkopi i parë i Poitiers (Francë), i lindur rreth vitit 315. Ai vdiq në vitin 367 dhe konsiderohet gjithashtu një nga shkrimtarët e parë të krishterë latinë.

Nga lartësitë e Rezervatit Gault në Mont Saint Hilaire mund të shihet qartë Montréal-i si dhe të soditen pamjet e mrekullueshme të luginës së Saint Laurent dhe lumit Richelieu. Rezervati është i hapur 365 ditë në vit dhe ka një rrjet shtigjesh prej rreth 25 kilometrash. Brenda rezervatit ndodhet dhe liqeni i vogël Hertel, një mrekulli më vete e natyrës, me thellësi maksimale 9 metra.

Universiteti McGill e mori në pronësi Rezervatin Natyror Gault në vitin 1958 përmes testamentit të ushtarakut kanadez Andrew Hamilton Gault.

Kush ishte Andrew Hamilton Gault?

Ish-student i MCGill dhe Oxford, Andrew Hamilton Gault (18 gusht 1882 - 28 nëntor 1958) ishte një oficer i ushtrisë kanadeze dhe politikan britanik. Ai e ngriti Regjimentin e këmbësorinë së lehtë kanadeze Princeshë Patricia me shpenzimet e tij, i fundit regjiment në Perandorinë Britanike i ngritur privatisht. Gault mori dhe gradën Gjeneral Brigade në Forcat e Armatosura Kanadeze.

Nga viti 1924 deri në 1935 ai ishte deputet për Taunton në qarkun e Somerset në Mbretërinë e Bashkuar. Pas kthimit në Québec në fund të Luftës së Dytë Botërore, ai mbrojti me të gjitha energjitë pronën e tij në Mont Saint-Hilaire duke mos lejuar shpronësimin për interesa shfrytëzimi minerar dhe ia la trashëgim atë Universitetit McGill, për të ndihmuar në ruajtjen e saj. Me gjestin e tij fisnik ai i dhuroi kësisoj edhe një pasuri të çmuar brezave pas tij, gjest për të cilin duhet t’i mbetemi mirënjohës. Pa dyshim një shembull frymëzues i jashtëzakonshëm që do t’i vlente shumë vendit të të parëve tanë…

©Flasshqip.ca

Klikoni fotot më poshtë