Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 31 korrik 2022

 

Papa Françesku në breg të liqenit Sainte Anne, Alberta

 

British Columbia, rikthehen sërish zjarret në pyje

Saskatchewan, 11 milionë dollarë fonde për ruajtjen e gjuhëve autoktone

Manitoba, senegalezët votojnë për zgjedhjet në vendin e origjinës

Nova Scotia, pezullohet ndërtimi i muzeut provincial të arteve të bukura

Newfoundland, më 2024 provinca do inagurojë Varrin e Ushtarit të Panjohur

Québec, zhvillohet në Montréal Konferenca e 24-t Ndërkombëtare mbi SIDA-n

Ontario, krijohet një ambient i posaçëm social në Toronto për konsumin e kanabisit 

 

Penticton BC - Kanë rinisur sërish si çdo verë zjarret në pyjet e British Columbia. Një i tillë që shpërtheu rreth 20 milje nga Penticton, pothuajse u trefishua mes të premtes dhe të shtunës mbrëma (30.07). Zjarri i përroit Keremeos tani mbulon 4.3 km2, është agresiv dhe i paparashikueshëm”, deklaroi BC Widlfire, agjencia e zjarrfikësve të pyjeve në një postim në Twitter. Përveç kësaj, një godinë jo-rezidenciale u shkatërrua ndërsa 25 objekte të banuara janë subjekt i një urdhri evakuimi. Për shkak të shikueshmërisë së kufizuar ndjeshëm, helikopterët nuk mundën të mbështesin 40 zjarrfikësit në terren, 10 prej të cilëve punuan edhe gjatë natës. Pasi të jetë kthyer shikueshmëria, parashikohet të përdoren dhe katër helikopterë për hedhjen e ujit nga ajri.

 

Saskatoon - Ministri federal kanadez i Trashëgimisë, Pablo Rodriguez njoftoi të marten (26.07) akordimin e 11.1 milionë dollarëve gjatë dy viteve të ardhshme për promovimin dhe ruajtjen e gjuhëve autoktone në Saskatchewan. Ky fond do të ndihmojë në organizimin e më shumë aktiviteteve të komunitetit që synojnë ruajtjen dhe trashëgimin e gjuhëve, të tilla si sesione trajnimi, qendra për rigjallërimin e gjuhës dhe kampe gjuhësore dhe kulturore. Fondet gjithashtu do të bëjnë të mundur prodhimin ose promovimin e të gjitha llojeve të burimeve për mësimin e gjuhëve autoktone. Në një konferencë shtypi në Qendrën e Miqësisë Saskatoon Native and Métis, Pablo Rodriguez theksoi nevojën që First Nations dhe Metisët të kenë kontroll të plotë mbi zhvillimin e gjuhëve të tyre për t’i transmetuar ato tek brezat e ardhshëm.

 

Winnipeg - 171 shtetas senegalezë të regjistruar në listën zgjedhore në Manitoba, përfituan sot (31.07) nga e drejta e tyre për të votuar nga Kanadaja në zgjedhjet legjislative të vendit të tyre të origjinës. Po sot, rreth 7 milionë senegalezë votuan për të zgjedhur 165 deputetët e rinj të Parlamentit. Presidenti i vendit, Macky Sall, ka premtuar se do të emërojë një kryeministër nga radhët e deputetëve të zgjedhur të partisë politike që do të ketë zgjedhur numrin më të madh syresh. Në Kanada, qendrat e votimit u mundësuan në qytetet Ottawa, Edmonton, Toronto, Winnipeg, si dhe në pesë qytete të tjerë në Quebec. Në Manitoba, votimi u zhvillua në rezidencën e Konsullit të Nderit të Senegalit në Winnipeg.

 

Halifax - Qeveria Progresiste Konservatore e Nova Scotia ka vendosur të pezullojë projektin për ndërtimin e muzeut të ri provincial të arteve të bukura. Punimet ishin planifikuar të fillonin para fundit të këtij viti. Kryeministri Tim Houston deklaroi se inflacioni dhe kostot e larta të materialeve të ndërtimit e detyruan qeverinë e tij të marrë vendimin e pezullimit. Houston megjithatë u pohoi mediave të mërkurën (28.07) në një konferencë shtypi në Province House se muzeu sigurisht do të ndërtohet në të njejtin vend ku ishte parashikuar, në Waterfront, por në kohën e duhur dhe me buxhetin e duhur. Kryeministrit theksoi se tani kostot janë jashtë kontrollit dhe sipas vlerësimeve, ndërtimi do të kushtonte gati 27 milionë dollare më shumë se projekti fillestar i vitit 2020, me kosto 136 594 928 $.

 

St John’s - Provinca e Newfoundland dhe Labrador do të ketë një Varr të Ushtarit të Panjohur vitin e ardhshëm për të simbolizuar sakrificën e luftëtarëve të asaj që dikur quhej Dominion of Newfoundland. Eshtrat e një ushtari të paidentifikuar të Newfoundland-it, i cili ra në betejë gjatë Luftës së Parë Botërore, do të riatdhesohen nga Evropa. Ky Varr i Ushtarit të Panjohur do të vendoset në qendër të kryeqytetit provincial St. John’s dhe do të përfshihet në Memorialin Kombëtar të Newfoundland. Monumenti i ngritur në vitin 1924 nderon bëmat e kohës së luftës të luftëtarëve nga Newfoundland, të cilët nuk ishin shtetas kanadezë përpara vitit 1949. Ushtari i paidentifikuar do të riatdhesohet nga Franca veriore. Varri i Ushtarit të Panjohur do të inagurohet më 1 korrik 2024 me rastin e 100-vjetorit të Memorialit Kombëtar të Newfoundland. Vendvarrimi i tij i fundit do të jetë pak metra nga kalata nga ku ai i hipi anijes për në Evropë. “Newfoundland dhe Labrador është e vetmja provincë në Kanada që ka një memorial të luftës kombëtare. Tani do të jemi të vetmit që kemi gjithashtu një Varr të Ushtarit të Panjohur”, deklaroi Kryeministri Andrew Furey të martën e kaluar (26.07).

 

Montréal - Ka nisur gjatë kësaj jave në Montréal Konferenca e 24-t Ndërkombëtare mbi SIDA-n që do të vazhdojë deri të martën e ardhshme (02.08). Ështe hera e dytë që metropoli frankofon është mikpritës i këtij aktiviteti në të cilin aktualisht po marrin pjesë rreth 6500 të ftuar. Studiues, mjekë, përfaqësues të industrisë farmaceutike, por edhe pacientë, përfaqësues të grupeve të komunitetit dhe politikanë, po diskutojnë mbi rezultatet më të fundit të kërkimit shkencor dhe realitetet e ndryshme të personave që jetojnë me virusin HIV. Dr. Jean-Pierre Routy, profesor i mjekësisë në McGill dhe ekspert i HIV-it, është bashkëdrejtues i konferencës që zhvillohet në Pallatin e Kongreseve, përfitimet ekonomike të të cilës mund të kalojnë shifrën 50 milionë dollarë për metropolin e Québec. Tema e konferencës është “Riangazhimi ndaj SIDA-s dhe mbështetja tek shkenca”. Ndërkohë ajo që dihet është se kërkimi shkencor për HIV/AIDS u ngadalësua dy vitet e fundit për shkak të pandemisë COVID-19.

 

Toronto - Një vend i posaçëm për t’u takuar, tregtuar dhe konsumuar lirisht kanabis i emërtuar Thinker, është hapur së fundmi në Toronto. Iniciativa që i takon dy kompanive të liçensuara lokale të kanabisit, u mundëson pjesëmarrësve të jenë në hapësira private të rrethuar nga muzika dhe artistë ndërsa konsumojnë marihuanë. Kjo hapësirë e re komunitare ndodhet prapa Dynasty Pot Shop në Queen Street West. “Ne duam të krijojmë një mjedis ​​frymëzues për komunitetit dhe nëse kanabisi mund të jetë pjesë e ti, edhe më mire”, i ka deklaruar Radio-Canada Greg Pantelic, një nga iniciatorët. Kjo nismë fokusohet në konceptin e tubimeve private dhe intime dhe synon të krijojë një vend relaksi për vizitorët. Organizatorët planifikojnë të organizojnë aktivitete sociale, të tilla si biseda dhe koncerte, gjatë gjithë verës. Sipas Pantelic, industria duhet të evoluojë dhe të normalizojë përdorimin e kanabisit në shoqëri, sepse kanabisi ende stigmatizohet, ndërkohë që është një produkt më pak i rrezikshëm se alkooli.

 

©Flasshqip,ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada; Reuters/Guglielmo Mangiapane; Government of Canada