Kanada

Kryeministri Trudeau dhe familja pushojnë në Kosta Rika - Sa është fatura për taksapaguesit?

Kryeministri kanadez Justin Trudeau dhe familja e tij do t’i kalojnë dy javët në vazhdim me pushime në Kosta Rika, për ku janë nisur prej të hënës 1 gusht.

Njoftimi ka dalë zyrtarisht nga Kabineti i kreut të qeverisë, sipas të cilit bëhet me dije se familja Trudeau do pushojë në të njëjtin vend ku pat qëndruar gjatë festave të Krishtlindjeve 2019 dhe do të paguajë vetë për shpenzimet e akomodimit.

Edhe pse udhëtimi është privat, për arsye sigurie, kryeministri dhe familja kanë udhëtuar drejt Kosta Rikës me një avion të Forcave Ajrore Mbretërore Kanadeze, i cili do të përdoret edhe për udhëtimin e kthimit në Kanada në përfundim të pushimeve. Kabineti i kryeministrit ka njoftuar gjithashtu se për çështjen e përdorimit të avionit është zhvilluar konsultim me Komisionerin Federal për Etikën dhe Konfliktet e Interesit.

Sipas The Canadian Press, fluturimi i vitit 2019 i kryeministrit drejt Kosta Rikës, u pat kushtuar taksapaguesve kanadezë rreth 57,000 dollarë. Shpenzimet ishin rritur për shkak të ekuipazhit, i cili duhej të qëndronte në San José. Nuk ka megjithatë asnjë informacion për koston e personelit të sigurisë në dispozicion dhe sigurisht kostoja e sivjetme e udhëtimit duhet të jetë më e lartë, krahasuar me tre vite më parë, nisur nga situata ekonomike në përgjithësi dhe rritja e kostos së karburanteve dhe shërbimeve.

Ndërkohë, në vitin 2017, Komisioneri Federal i Etikës dhe Konflikteve të Interesit pat deklaruar zyrtarisht që kryeministri Trudeau kishte shkelur rregullat e konfliktit të interesit duke kaluar pushimet në Bahamas, një ishull privat në pronësi të Aga Khan, në vitin 2016.

Nëse do t’i referoheshim fqinjit jugor, presidentët amerikanë i kalojnë gjithnjë pushimet brenda territorit të Shteteve të Bashkuara.

©Flasshqip me informacion nga Radio-Canada

Foto: The Canadian Press/Justin Tang