Kanada

56% e kanadezëve po “shtrëngojnë rripat” për të përballuar koston e jetesës në rritje

  • Published in Kanada

Media shtetërore kanadeze CBC/Radio-Canada, që i referohet rezultateve të një sondazhi të publikuar dje (22.08) nga Instituti Angus Reid, raportoi se më shumë se gjysma e qytetarëve kanadezë po i përshtatasin me vështirësi financat e tyre në raport me rritjen e shpejtë të çmimeve të mallrave, shërbimeve dhe normave të interesit.

Sipas Angus Reid, që anketoi 2279 persona në moshë madhore midis 8 dhe 10 gushtit 2022, 56% e të anketuarve pohuan se e kanë të vështirë të ndjekin ritmin e inflacionin dhe normat larta të interesit, çka po i detyron ata të shtrëngojnë rripat gjithnjë e më shumë. Katër në pesë të anketuar, ose 80%, deklaruan se u është dashur të shkurtonin shpenzimet në muajt e fundit për të përballuar inflacionin.

Për të shpenzuar për nevojat bazë, më shumë se 40% e të anketuarve u shprehën gjithashtu se kishin vonuar blerjet e mëdha dhe kufizuar udhëtimet me makinë kohët e fundit. 32% kanë anuluar ose reduktuar planet e tyre të udhëtimit, ndërsa më shumë se 25 për qind kanë vendosur të pakësojnë donacionet e tyre bamirëse për të përballuar jetesën.

Inflacioni po ndikon edhe në kursime. 19% e të anketuarve pohuan se për të mbyllyr fundin e muajit dhe plotësuar nevojat e domosdoshme, i kanë shtyrë për më vonë kontributet në llogarinë e tyre të kursimeve pa taksa dhe planin e kursimeve të pensionit.

Angus Reid u ofroi të anketuarve një skenar në të cilin ata merrnin një donacion të pakushtëzuar prej 5,000 dollarësh. Të paktën 10% u përgjigjën se do ta përdornin për të përmbushur detyrimet e menjëhershme financiare, ndërsa 38% për nevoja afatgjata; 43% do ta kalonin në depozitën e kursimeve, ndërsa 9% do ta shfrytëzonin mundësinë për të realizuar një blerje të shtrenjtë. Por nëse do të ndodhte e kundërta, domethënë, nëse do të duhej të bënin një shpenzim të paparashikuar prej 1000 dollarësh ose më shumë, 50% pohuan se nuk do të ishin në gjendje ta përballonin, ndërsa 13% thane se do ta bënin vetëm nëse do të duhej për diçka shumë të rëndësishme.

Anketa po ashtu vë në dukje se çmimet në rritje të energjisë, mallrave të konsumit, shërbimeve dhe kredive që kanë perfshirë vendin prej disa muajsh, kanë krijuar shqetësim të ndjeshëm te qytetarët kanadezë. Pavarësisht nga rënia e Indeksit të Çmimeve të Konsumit në 7.6% në korrik, nga 8.1% në qershor - shifër e padëgjuar qysh prej 39 vitesh - tre të katërtat e të anketuarve në sondazhin Angus Reid pohuan se ndihen të stresuar për situatën e tyre financiare.

Edhe pse inflacioni mund të ketë shënuar rënien e tij të parë në një vit gjatë muajit korrik, çmimet e ushqimeve mbeten 10% më të larta se sa viti i kaluar, sikurse dhe çmimi i një litri benzine të zakonshme, që është ende i luhatshëm midis 1.60 dhe 2 dollarë.

A po përfitojnë bizneset?

Sipas Radio-Canada, është interesant fakti që një pjesë e madhe e të anketuarve nga Instituti Angus Reid, 78%, besojnë se grosistët e shpërndarjes së mallrave ushqimore po përfitojnë padrejtësisht nga inflacioni për të rritur çmimet dhe për të rritur fitimet - një fenomen i njohur në anglisht si “greedflation” dhe në frengjisht “cupidflation” (shqip “lakmiflacion”).

Ndërkohë, grosistët e ushqimeve, si Empire apo Loblaws, deklarojnë nga ana e tyre që rritja e fitimeve është pasojë e rritjes së efikasitetit, por sipas Radio-Canada, që i referohet publikimit të 11 gushtit të një studimi nga Instituti për Kërkime dhe Informacione Socio-Ekonomike (IRIS), fitimet e kompanive kanadeze nuk kanë qenë kurrë kaq të larta në më shumë se 20 vjet, edhe pse në një kontekst ku inflacioni ka rezultuar me rritje të ndjeshme për disa muaj.

IRIS afirmon se ka konstatuar një rritje prej më shumë se 10% në fitimet e kompanive kanadeze gjatë katër tremujorëve të fundit, rritje që është shumë më e lartë se rritja e pagave. Sipas autorëve të studimit, kompanitë kanadeze duket se kanë përfituar gjërësisht nga konteksti inflacionist për të rritur çmimet e tyre, një manovër që u ka bërë të mundur fitime rekord, duke kontribuar kësisoj edhe në përshpejtimin e inflacionit.

Siç u theksua në fillim, anketa e Institutit Angus Reid të cilës iu referua Radio-Canada, u realizua midis 8 dhe 10 gushtit 2022 përmes internetit, me 2,279 kanadezë të moshës madhore, pjesë e Forumit Angus Reid. Për referencë krahasuese, një mostër probabiliteti e kësaj madhësie ka një diferencë gabimi prej plus ose minus dy përqind, 19 herë mbi 20.

Burimi: Radio-Canada me informacion nga Jenna Benchetrit e CBC News

Shqipëroi: Flasshqip.ca

Foto: Reuters/Andrew Kelly