Kanada

E ardhmja e Australisë, Zelandës së Re dhe Kanadasë nën Monarkinë - Nga Taulant Dedja

  • Published in Kanada

 Taulant Dedja - Chambly, Québec

1. Konteksti

"Le Roi est mort, vive le Roi" (Mbreti vdiq, rroftë Mbreti)! Me dy fjalë dhe e thjeshtëzuar, kjo është formula që nuk lë asnjë vend për boshllëk pushteti dhe garanton vazhdimësinë e monarkisë, por nga momenti që Mbretëresha Elizabeth II u nda nga jeta, pas një mbretërimi 70 vjeçar të papaprecedent, nga shumë media në botë dhe në Kanada është prekur tema e të ardhmes së raporteve mes Kurorës Britanike dhe vendeve që ende janë nën autoritetin e saj dhe që e njohin monarkun britanik si kryetar shteti. Të gjithë këto shtete janë të grupuar në Commonwealth, së bashku edhe me disa prej ish-kolonive të ish-Perandorisë Britanike, të cilat tashmë kanë vendosur të jetojnë nën një sistem republikan. Ndër këto shtete, lidhur me të ardhmen e marrëdhënieve me monarkinë, në këtë shënim do të veçoj Australinë (anëtare e G20), Zelandën e Re (ndër ekonomitë dhe demokracitë më të përparuara në botë) dhe Kanadanë (anëtare e G7 dhe G20, e renditur e 9-ta si fuqi ekonomike botërore më 2022).

2. Australia 

CBC/Radio-Canada, media shtetërore kanadeze, kujtonte dje që përpjekja e Australisë për të braktisur monarkinë në vitet 1990 pat dështuar, sepse gjithmonë braktisja e një sistemi, kërkon zëvendësimin e tij me një tjetër, gjë që jo gjithmonë është e lehtë dhe nuk mund të realizohet nga sot nesër. Ndoshta tani, pas largimit nga jeta të Mbretëreshës, po krijohet një oportunitet i ri për republikanët australianë, të cilët lidhur me këtë ngjarje reaguan me një deklaratë të përmbajtur.

Kryeministri australian Anthony Albanese duke iu drejtua kombit një ditë pasi mbretëresha Elizabeth II vdiq më 9 shtator 2022 (Associated Press)

Në se i referohemi karrierës dhe qëndrimeve politike të njohura publikisht, të kryeministrit aktual Australian, Anthony Albanese, rezulton se ai është një republikan i vendosur. Madje, sapo pat marrë detyrën në maj të këtij viti, ai emëroi Matt Thistlethwaite në postin e ri të zëvendësministrit të Republikës, përgjegjës për planifikimin e tranzicionit të shkëputjes nga monarkia. Për më tepër, Anthony Albanese është njëri prej shumë politikanëve laburistë australianë që nuk e kanë harruar kurrë rolin e Kurorës Britanike në krizën kushtetuese të vitit 1975, kohë kur Guvernatori i Përgjithshëm, John Kerr, person i emëruar nga Mbretëresha, shkarkoi kryeministrin e zgjedhur laburist, Gough Whitlam.

Sipas Radio-Canada, në përfundim të një beteje të gjatë gjyqësore, letrat e shkëmbyera midis Pallatit Mbretëror Buckingham dhe Mëkëmbësit australian, të cilat u bënë publike në vitin 2020, zbuluan se Princi Charles (sot Mbreti Charles III), e kishte diskutuar gjerë e gjatë me Guvernatorin e Përgjithshëm Kerr, shkarkimin e Kryeministrit Whitlam, disa muaj përpara se kjo ngjarje të ndodhte.

3. Zelanda e Re

Gjatë ditëve të fundit dhe pas rihapjes së debatit nga mediat, Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, përmes deklaratave të saj u përpoq të hedhë poshtë çdo spekulim, sipas saj, që hedh idenë sikur qeveria neozelandeze po reflekton rreth një shkëputjeje të shpejtë nga Monarkia Britanike.

“Nuk ndjej ndonjë urgjencë lidhur me këtë. Kemi shumë sfida për momentin me të cilat duhet të përballemi. Edhe pse ky është një debat i gjerë dhe i rëndësishëm, nuk mendoj që mund ose duhet të zhvillohet shpejt”, citohet nga mediat të ketë thënë ajo, duke shtuar megjithatë, që Zelanda e Re një ditë do të shkojë drejt shkëputjes përfundimtare nga Monarkia Britanike dhe gjasat janë, që kjo të ndodhë “për sa kohë dhe unë të jem gjallë”. Kujtoj që Kryeministrja neozelandeze sot është në moshën 42 vjeçare.

Kanë kaluar shumë vite qyshkur Zelanda e Re u vizitua për herë të parë nga Mbretëresha Elizabeth II e sapohipur në fron dhe bashkëshorti i saj, Duka i Edinburgut, Princi Philip, në vitin 1952. Dihet botërisht se para kësaj vizite, këshilli bashkiak i Auckland (qendra më e madhe urbane e Zelandës se Re) i dëboi Maorët autoktonë nga Gjiri Okahu dhe madje i dogji shtëpitë e tyre, vetëm e vetëm se pamja e tyre, sipas autoriteteve të qytetit, mund t’i linte përshtypje të keqe Monarkes Elizabeth II.

Mbretëresha Elizabeth II dhe Princi Philip, Duka i Edinburgut përshëndesin turmën gjatë vizitës së tyre në Wellington, Zelanda e Re (Getty Images/Anwar Hussein)

Ndërkohë sot, realiteti është përmbysur totalisht. Në Zelandën e Re është partia Maori ajo që kontrollon ekuilibrin e pushtetit. Zgjedhjet e ardhshme aty do të mbahen jo më vonë se janari 2024 dhe liderja e kësaj partie, Debbie Ngarewa-Packer, e ka bërë të qartë prej kohësh se ajo nuk është në favor të monarkisë.

4. Kanadaja

Referuar ekspertëve konstitucionalistë, pa e përjashtuar mundësinë që kjo të ndodhë një ditë, nga të gjithë vendet anëtarë të Commonwealth-it, ai që ka ndoshta më pak gjasa për ta braktisur Monarkinë Britanike është Kanadaja, sidomos për faktin që kushtetuta e saj federale e bën procesin thuajse praktikisht të pamundur. Sipas Aktit themeltar, shkëputja nga monarkia në Kanada mund të realizohet vetëm me miratim unanim të të gjitha provincave e territoreve, Dhomës së Komunave e Senatit, por nuk përjashtohet fakti që edhe popujt autoktonë të kërkojnë të thonë fjalën e tyre për një çështje të tillë, pasi ata kanë një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me Kurorën Britanike.

Ndërkohë, sipas CBC, që i referohet ekspertit konstitucionalist Philippe Lagassé (professor i asociuar pranë William and Jeanie Barton Chair Norman Paterson School of International Affairs, Carleton University, Ottawa) ka edhe një rrugë të dytë për ata që janë në favor të një sistemi republikan në Kanada, një skenar që nuk ka gjasa të ndodhë aktualisht, por jo i pamundur të ndodhë në një të ardhme të papërcaktuar. Republikanët kanadezë mund ta paraqesin kërkesën e tyre për shkëputje, direkt në Mbretërinë e Bashkuar, sepse gjithçka që nevojitet për ta plotësuar atë është një akt i Parlamentit Britanik. Nëse kjo ndodh një ditë, autoritetet kanadeze do duhet të shprehen më pas nëse e pranojnë ose jo ndarjen me Monarkinë.

Nga ana e tij, Kryeministri kanadez Justin Trudeau, e ka deklaruar sërish dje nga Londra në një intervistë për CBC/Radio-Canada, qëndrimin se nuk ka ndërmend të nxisë ndonjë debat për vendin e monarkisë në sistemin politik kanadez, pasi sipas tij, ky i fundit ka një “stabilitet të jashtëzakonshëm” dhe ky është një element shumë i fortë dhe i rëndësishëm në një epokë “transformimesh të mëdha”, kur bota ka ndryshuar rrënjësisht pas pushtimit të Ukrainës, kur kostoja e jetesës është rritur dhe bashkë me të sfidë për t’u përballuar mbetet dhe tranzicioni drejt energjive të rinovueshme.

 

Kryeministri Justin Trudeau duke u intervistuar dje në Londër nga e dërguara speciale e Radio-Canada, Madeleine Blais-Morin

Pra për kryeministrin kanadez, çështjet e mëdha për Kanadanë janë ekuilibri ndërkombëtar, ekonomia, ambienti dhe aspak debati sistemi monarkik versus atij republikan. Sipas Trudeau, “jemi në një moment kaq kompleks dhe të ndërlikuar, sa që të bësh një ndryshim kaq të thellë në një sistem që është ndër më të mirët, më të qëndrueshmit në botë, nuk është një ide e mire”.

Sa i takon partive të tjera politike në Kanada, dihet që Konservatorët, të paktën deri më sot, nuk janë dëgjuar ndonjëherë në favor të hapjes së një debati të tillë. Ata janë përkrahës të Monarkisë. Vetëm Blloku i Québec e ka ripërsëritur së fundi përmes shefit të tij, Yves-François Blanchet, vullnetin për të ndërprerë lidhjet me Monarkinë Britanike, në Dhomën e Komunave, të premten e kaluar, duke propozuar rihapjen e diskutimit mbi këtë temë në një të ardhme të afërt.

“Ne nuk mund të injorojmë një histori pushtimi dhe agresioni kundër La Nouvelle France, që më pas u bë kombi i Québec. Sot, Monarkia angleze nuk është as mike, as armike: ajo është e padobishme, e vjetëruar, na kushton financiarisht dhe është e papajtueshme me vlerat tona. Respekt, po, por duhet të marrë fund”, është shprehur ai. Nga ana e saj, Partia e Re Demokratike (NDP) ka deklaruar se është e hapur për ta diskutuar këtë çështje.

5. Ç'mund të ndodhë prej sot...

Sigurisht, nëse do ketë zhvillime të reja konkrete në Australi e Zelandën e Re, sikurse po ndodh aktualisht edhe në disa shtete të Karaibeve, anëtarë të Commonwealth, zor se ky debat do anashkalohet krejtësisht në Kanada. Komentatorë të shumtë, kanë paralajmëruar faktin që Charles III, nuk do mund të ketë reputacionin dhe ndikimin që pati për 70 vjet nëna e tij, në atë pjesë shtetesh që sot kanë mbetur nën autoritetin e Londrës, qysh nga shembja e Perandorisë Britanike, që dikur ishte fuqia numër një e botës, derisa këtë rol e morën Shtetet e Bashkuara, pas Luftës së Dytë Botërore.

Qendra e kryqytetit federal Ottawa (The Canadian Press/Justin Tang)

Sot Mbretëresha Elizabeth II u përcoll në banesën e fundit, por pas pompozitetit zyrtar dhe mbulimit mediatik të tepruar, madje të lodhshëm, siç pohon profesori dhe eksperti për rolin e monarkisë në Kanada i Carleton University, Ottawa, Philippe Lagassé, që u citua më lart, duket se “vendi ka një marrëdhënie gjithnjë e më ambivalente me monarkinë. Edhe në Kanadanë anglishtfolëse, respekti për monarkinë po zvogëlohet me kalimin e viteve”. Madje, sipas një sondazhi në prill 2022 (një muaj para se Princi Charles, sot Mbreti Charles III, do vizitonte Kanadanë), një shumicë e vogël, rreth 51% e qytetarëve kanadezë - përqindje që arrinte 71% në Québec - shpreheshin se do të donin t'i jepej fund raporteve me familjen mbretërore, roli i të cilës në Kanada sot është kryesisht ceremonial. Ndërsa 67% u shprehën se ishin kundër që Princi Charles të bëhej mbret i Kanadasë dhe vizita e tij në vend majin e kaluar kaloi pothuajse pa u vënë re. 

Kjo nuk do të thotë që situata sot është e njejtë. Largimi i Mbretëreshës ka sjellë një realitet të ri, që kërkon një tjetër këndvështrim dhe kohë për të nxjerrë konkluzione, por megjithatë, personalisht mendoj, që debati monarki versus republikë, është një debat që ia vlen, në një botë ku zhvillimet teknologjike aktuale ishin të paimagjinueshme deri dy-tre dekada më parë dhe ku gjeneratat e reja si zor se do të afektohen nga përpjekjet e Charles III, për të fituar sa më shumë simpatizantë jashtë Britanisë së Madhe. 

Të presim e të shohim çdo ndodhë më tej në një vend, ku për të frenuar plakjen e popullsisë dhe garantuar zhvillimin ekonomik do vazhdojnë të vijnë gjithnjë e më tepër emigrantë të rinj nga të katër anët e botës, çka ndikon drejtpërdrejt dhe realitetet e raportet demografike, e pse jo në një të ardhme afatmesëm dhe afatgjatë, edhe vendimarrjet politike lidhur me sistemin qeverisës.

Historia e njerëzimit ka treguar se asnjë sistem politik nuk ka mbijetuar përjetësisht.

©Flasshqip.ca

Burimet: CBC/Radio-Canada, Journal La Liberté (Manitoba), Canadian Encyclopedia, The Canberra Times, New Zealand Herald, Wikipedia.