Kryeministri Trudeau do dëshmojë para Komisionit hetimor mbi gjendjen e jashtëzakonshme
- Published in Kanada

Siç kanë bërë të ditur shumë media kanadeze, pasnesër, të enjten 13 tetor, do fillojë hetimi publik mbi aplikimin e paprecedent nga qeveria federale në fillim te vitit, të dispozitave të Ligjit mbi Masat Urgjente, pas bllokimit për 3 javë të qendrës së kryeqytetit Ottawa, nga protestuesit e “Freedom Convoy” dhe shumë qytetarë të tjerë, që kërkonin dhënien fund të kufizimeve shëndetësore për shkak të pandemisë. Para komisionit përkatës do të thirren për të dëshmuar dhjetëra dëshmitarë, përfshi kryeministrin Justin Trudeau, disa ministra të kabinetit të tij si dhe organizatorët e protestës.
Qeveria Liberale e kryeministrit Trudeau vendosi aplikimin e Ligjit të Masave Urgjente qysh më 14 shkurt 2022, Ditën e Shën Valentinit, duke dekretuar në të njëjtën ditë gjendjen e jashtëzakonshme. Dekreti i qeverisë u dha de facto kompetenca të përkohshme të jashtëzakonshme forcave policore lokale, provinciale dhe federale (RCMP) për të arrestuar dhe dëbuar protestuesit nga qendra e Ottawa. Njëkohësisht bankave iu dhanë kompetencat për të ngrirë llogaritë e personave të përfshirë në protestë. Vendimi u mor pas rreth tre javësh protesta, si pasojë e të cilave kamionistë e përkrahës të tyre paralizuan rrugët në qendër të kryeqytetit federal si dhe ngritën barrikada për të bllokuar disa hyrje në pikat kufitare me SHBA.
Protestuesit, të cilët arritën të mbledhin miliona dollarë përmes platformave sociale të financimit, kërkuan veçanërisht abrogimin e vaksinimit të detyrueshëm kundër COVID-19 dhe, në disa raste, edhe dorëheqjen e qeverisë së Justin Trudeau. Protesta pati shumë jehonë në mbarë Kanadanë si dhe në mediat e gjithë botës.
Nga ana e tij, kryeministri Trudeau aplikimin e masave urgjente dhe gjendjes së jashtëzakonshme për herë të parë që nga miratimi i ligjit përkatës në vitin 1988 e justifikoi me nevojën për të garantuar sigurinë e kanadezëve, për të mbrojtur vendet e punës dhe për të rindërtuar besimin e publikut tek institucionet.
Kujtojmë që këto masa u shfuqizuan shumë shpejt, pikërisht më 23 shkurt 2022, një ditë para nisjes së luftës në Ukrainë dhe në kohën kur ende nuk kishte përfunduar debatimi i tyre në Senatin Kanadez, Dhoma e Lartë e Parlamentit Federal, e ku nuk kishte siguri se aty ato do merrnin dritën jeshile, siç ndodhi në Dhomën e Komunave, ku Liberalët dhe NDP i votuan në bllok.
Në dispozitat e Ligjit për Masat Urgjente parashikohet edhe kryerja e një hetimi publik për të analizuar se pse dhe si qeveria arriti deri në një vendim për aplikimin e gjendjes së jashtëzakonshme.
Komisionit të krijuar për këtë qëllim dhe që drejtohet gjyqtari i Gjykatës së Apelit të Ontarios, Paul Rouleau, do t’i duhet të vlerësojnë argumentet mbi të cilat qeveria bazoi vendimin e saj, si dhe efektivitetin dhe rëndësinë e përdorimit të këtij ligji për të menaxhuar krizën. Komisioni do duhet gjithashtu të përcaktojë edhe nëse duhet bërë ndonjë ndryshim në përmbajtjen e vetë ligjit.
Qysh nga krijimi me vendim të Parlamentit më 25 prill, ky komision tashmë ka mbledhur një seri dokumentesh dhe ka intervistuar dhjetëra vetë, përfshi organizatorët e “Freedom Convoy” Tamara Lich, Chris Barber, Pat King dhe James Bauder, të cilët janë të akuzuar edhe penalisht.
Një listë fillestare e dëshmitarëve të mundshëm që mund të thirren në seancat dëgjimore përfshin kryetarin në largim të bashkisë Ottawa, Jim Watson, anëtarë të ekzekutivit të bashkisë Ottawa, anëtarë të Komisionit të Shërbimeve Policore të kryeqytetit si dhe Drejtorin e Shërbimit Informativ Kanadez të Sigurisë David Vigneault. Ish-shefi i policisë së Ottawa, Peter Sloly, i cili dha dorëheqjen pak para shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme si dhe pasardhësi i tij në detyrë Steve Bell, gjithashtu pritet të dëshmojnë. E njëjta gjë vlen edhe për ministren e Financave Chrystia Freeland dhe ministrin e Rendit Publik Marco Mendicino.
Komisioni hetimor ka afat të paraqesë raportin e tij përfundimtar në Parlamentin Federal deri në mes të shkurtit 2023.
©Flasshqip me informacion nga Radio-Canada
Foto: Radio-Canada