Kanada

Justin Trudeau synon balancimin e ndikimit kinez në Azinë Juglindore

  • Published in Kanada

Kryeministri kanadez Justin Trudeau mbërriti dje (12.11.) në Phnom Penh, kryeqytetin e Kamboxhias, për të marrë pjesë në samitin e Grupit të Shteteve të Azisë Juglindore (Association of Southeast Asian Nations - ASEAN) si dhe për të shpallur strategjinë e re të Kanadasë në rajonin e Indo-Paqësorit. Njëkohësisht ai deklaroi dhe një plan investimi kanadez prej 330 milionë dollarësh gjatë 5 viteve të ardhshme në favor të 10 vendeve të këtij rajoni me të cilin Ottawa zyrtare synon të zhvillojë lidhje të reja tregtare si kundërpeshë ndaj ndikimin në rritje të Kinës.

Grupit i Shteteve të Azisë Juglindore është një organizatë shumëpalëshe që përfshin Vietnamin, Indonezinë, Filipinet, Singaporin, Tajlandën, Malajzinë, Brunein, Laosin, Birmaninë dhe Kamboxhian. Këto vende parashikohet të kënë një rritje të konsiderueshme ekonomike gjatë viteve të ardhshme.

Financimi kanadez do të bëjë të mundur zhvillimin e nismave të tilla si Porta tregtare në Azinë Juglindore (24.1 milionë dollarë), Politika e ndihmës ndërkombëtare feministe dhe Financimi i zhvillimit ekonomik (100 milionë dollarë), Fondi i përbashkët për oqeanet (84.3 milionë dollarë) dhe Iniciativa për angazhimin në rajonin e Indo-Paqësorit (40 milionë dollarë).

Sipas kryeministrit Justin Trudeau, “kjo strategji e re kanadeze për Indo-Paqësorin synon gjithashtu të demonstrojë seriozitetin e angazhimit të Kanadasë në rajon dhe të ripromovojë praninë e saj, e cila ka qenë e reduktuar vitet e fundit”.

Me një financim prej 14,2 milionë dollarësh, në strategjinë e Indo-Paqësorit do të përfshihet dhe Shoqëria civile kanadeze, ndër të tjera me një prani më të zgjeruar të Fondacionit Kanadez Azi-Paqësor dhe përmes iniciativës së Bursave dhe Programeve të Shkëmbimit Arsimor për Zhvillim.

Kanadaja, si një ndër vendet që bën pjesë në zonën e oqeanit Paqësor, ka nisur qysh vitin e kaluar edhe negociatat e tregtisë së lirë me Grupin e Shteteve të Azisë Juglindore.

©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Foto: Radio-Canada/Louis Blouin