Kanada

Raporti i Komisionit për gjendjen e jashtëzakonshme - Reagon opozita dhe shoqëria civile

  • Published in Kanada

Konservatorët: Trudeau i përçau kanadezët

I ndodhur dje (17.02.) në Alberta në momentin e publikimit të Raportit të Komisionit Rouleau për hetimin e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme nga qeveria federale në 14 shkurt 2022, kreu i Partisë Konservatore të Kanadasë, Pierre Poilievre, zhvilloi një konferencë për mediat  gjatë të cilës shprehu kritika të ashpra në adresë të kryeministrit Justin Trudeau, duke deklaruar se ishte ai që  e krijoi krizën e kamionistëve në Ottawa, duke i përçarë kanadezët për një çështje të tillë si ajo e vaksinimit kundër COVID-19.

“Ishte ai që krijoi një problem të panevojshëm duke acaruar situatën. Fyerjet e Justin Trudeau ndaj qytetarëve që kundërshtonin masat shëndetësore dhe vaksinimin e detyruar provokuan reagimin e protestuesve dhe e ashpërsuan qëndrimin e tyre ndaj autoriteteve qeveritare”.

“Është raporti i Komisionit Rouleau që e thotë këtë”, theksoi kreu i opozitës federale, duke insistuar se nëse Trudeau do të qeveriste me përgjegjshmëri vendin, “do të kish aplikuar një qasje tjetër, jo për t’i përçarë, por për t’i bashkuar kanadezët në një periudhë të vështirë. Në vend që t’i fyente protestuesit, ai duhej të përqëndrohej të kuptonte shqetësimin e tyre”.

Pierre Poilievre u shpreh gjithashtu se nëse do të kishte qenë në vendin e kryeministrit liberal gjatë krizës shëndetësore, do t’i kishte dëgjuar të gjithë opinionet dhe do të kishte akorduar liritë maksimale personale në planin shëndetësor. “Kështu mund të shmangen kriza të tilla”, përfundoi ai.

Blloku i Québec: Kishte dhe zgjidhje të tjera

Duke reaguar ndaj të njëjtit raport dhe duke kundërshtuar konkluzionet e gjyqtarit Paul Roleau, Blloku i Québec rikujtoi se përdorimi i dispozitave të Aktit mbi Masat Urgjente nuk ishte domosdoshmërisht vendimi i duhur.

Përballë gazetarëve në Ottawa, nënkryetarja e Grupit Parlamentar të Bllokut, Christine Normandin tha se “mund të ishin marë fare mirë masa të tjera për të zgjidhur situatën. Aplikimi i gjendjes së jashtëzakonshme mbase e lehtësoi zgjidhjen e krizës, por nuk ishte i nevojshëm, sepse mund të ishin konsideruar opsione të tjera dhe mbi të gjitha qeveria duhet të tregohej më transparente”.

Nga radhët e shoqërisë civile lidhur me raportin e Komisionit hetimor për gjendjen e jashtëzakonshme reagoi dhe Shoqata Kanadeze për të Drejtat Qytetare, që e pat kundërshtuar ashpër qysh në fillim aplikimin e dispozitave të Aktit mbi Masat Urgjente. Sipas Drejtoreshës së përgjithshme të kësaj shoqate, Noa Mendelsohn Aviv, “qeveria federale, në mënyrë të pajustifikuar sa duhet, i aplikoi masat pa transparencë, pa konsultime apo debate, duke pezulluar procesin demokratik, çka përbën një precedent të rrezikshëm për të tashmen dhe për të ardhmen”.

© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Foto: Radio-Canada