Kanada

Fqinji i mirë Joe Biden - Nga Christian Noël

  • Published in Kanada

 Christian Noel, Radio-Canada

Nuk kishte ofendime si në kohën e Donald Trump. Nuk ishte plotësisht “bromance” (Barack romance) si me Barack Obama, por raportet e Justin Trudeau me Joe Biden mund të kategorizohen si “marrëdhënie të ngrohta midis miqve të mire”.

Kjo ngjan me atë që quhet fqinjësi e mirë. Një “bonjour” në frëngjisht që u prit me ovacione në këmbë nga deputetët në Dhomën e Komunave. Një shaka për Maples Leafs, “që të gjithë e urrejnë”, përfshi edhe Joe Biden. Një ndihmë për “riparimin e gardhit dhe mbylljen e shtegut” për imigrantët e paligjshëm që hynin nga Roxham Road. Një dëshirë e shprehur për ruajtjen e mjedisit të përbashkët dhe një premtim për të punuar së bashku për të prodhuar automjetin e vet elektrik.

Disa mosmarrëveshje

Fqinjësi e mirë vërtet, por kjo nuk do të thotë se vizita 27-orëshe e Joe Biden i zgjidhi të gjitha mosmarrëveshjet. Dhe kjo nuk do të thotë gjithashtu se vullneti i mirë që doli në pah ditët e fundit do të çojë domosdoshmërisht në rezultate konkrete.

Nuk duhet harruar që proteksionizmi amerikan nuk është zhdukur, por mund të thuhet se aktualisht ai ka “një fytyrë më të qeshur”. Shtetet e Bashkuara po përgatiten të investojnë miliarda dollarë në infrastrukturën e tyre (ura, rrugë, autostrada, turbina me erë). Kontrata publike “të zbatuara me çelik amerikan dhe hekur amerikan” ishte një fjali që tërhoqi vëmendjen muajin e kaluar, kur presidenti amerikan mbajti fjalimin e tij tradicional vjetor për gjendjen e Unionit. Ndërkohë, mesazhi i tij i djeshëm para deputetëve kanadezë dukej më i hapur për bashkëpunim. Publiku ishte padyshim i ndryshëm.

Kompanitë kanadeze druajnë se do të mbeten jashtë këtyre kontratave. Takimi me Justin Trudeau mund të ketë pasur ndofta një farë suksesi në avancimin në kulisa të kësaj dosjeje me shumë interes për Kanadanë, por, për momentin, përveç fjalëve të mira në publik, nuk është bërë ndonjë gjest konkret.

Për temën e Haitit, Ottawa po i reziston ende presionit nga Shtetet e Bashkuara, të cilët duan që Kanadaja të udhëheqë një force ushtarake të ndërhyrjes së shpejtë, për të neutralizuar bandat e rrugës që kontrollojnë vendin. Joe Biden tha se nuk ishte i zhgënjyer, por as se do të tërhiqet nga qëndrimi i tij.

Diskutimet me Kanadanë janë një “work in progress” dhe vendimi “për dërgimin e një force ushtarake nuk përjashtohet për momentin”, pohoi ai, por kjo do duhet të bëhet në konsultim me OKB-në dhe qeverinë haitiane.

Po ashtu, Joe Biden vazhdon të nxisë qeverinë kanadeze për modernizimin e NORAD: “ne duhet të punojmë së bashku për të mbrojtur shpinën tonë”, këmbënguli presidenti amerikam. E tha me delikatesë, por në tonin e tij ndihej këmbëngulja. Si një fqinj i mire, i cili u bën thirrje të gjithëve të bëjnë detyrën që u takon në survejimin e lagjes.

Fqinjë, miq, partnerë, aleatë

Siç e pat thënë dhe John F. Kennedy në një fjalim në Ottawa në vitin 1961, Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë fqinjë gjeografikë, miq historikë dhe partnerë ekonomikë,

Por ajo që lanë të nënkuptohet fjalimet dhe deklaratat e Joe Biden dhe Justin Trudeau këtë javë, lidhet me pjesën e fundit të këtij citati nga presidenti i ndjerë amerikan: “domosdoshmëria na bëri aleatë”.

Gjeopolitika e Botës po ndryshon. Kina po afrohet gjithnjë e më shumë me Rusinë, ekonomikisht dhe politikisht. Rreth kësaj aleance po krijohen rreshtime të reja shtetesh. Nga ana tjetër, kontinenti europian është i etur për burime të reja energjie, të gjelbra nëse është e mundur, për të reduktuar varësinë e tij nga Rusia.

Prandaj, Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara shohin nevojën për të krijuar një pol në hemisferën perëndimore, në mënyrë që të kundërbalancojnë polin ruso-kinez në formim e sipër, si “aleatë demokratë, për t'i bërë ballë kërcënimit autoritarist”.

Michael Spavor dhe Michael Kovrig

Simbol i këtij realiteti të ri, ishte dhe prezenca e dy të ftuarve të nderit gjatë fjalimit në Dhomën e Komunave dhe në darkën zyrtare me Joe Biden: Michael Spavor dhe Michael Kovrig, dy kanadezët e burgosur në Kinë për 1019 ditë, si hakmarrje për arrestimin e Meng Wanzhou, numri dy i Huawei. “Two Michaels” u liruan përfundimisht nga Pekini falë ndërhyrjes diplomatike dhe ligjore nga administrata Biden.

Një simbol, pra, që tregon se Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara kanë qëndruar së bashku përballë Kinës dhe se ata synojnë të vazhdojnë ta bëjnë këtë. Një mesazh gjithashtu se vendimet e partneritetit ekonomik të marra midis Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara udhëhiqen disi edhe nga konsiderata strategjike.

Burimi: Radio-Canada

https://ici.radio-canada.ca/nouvelle/1966257/joe-biden-le-bon-voisin-analyse-christian-noel 

E shqipëroi Flasshqip.ca

Fotot: The Canadian Press/Sean Kilpatrick/Adrian Wyld; AP/Andrew Harnik