Kanada

Kanadaja dhe Arabia Saudite rivendosin marrëdhëniet diplomatike

  • Published in Kanada

Kanadaja dhe Arabia Saudite kanë njoftuar sot (24.05.) rivendosjen e marrëdhënieve të plota diplomatike, pesë vjet pasi i ndërprenë ato për shkak të mosmarrëveshjeve për çështjen e të drejtave të njeriut. “Të dyja palët ranë dakord të rivendosin lidhjet diplomatike bazuar në respektin reciprok dhe interesat e përbashkëta”, thuhet në deklaratën e Global Affairs Canada. Normalizimi i marrëdhënieve mes dy vendeve vjen gjashtë muaj pasi kryeministri Justin Trudeau u takua me Princin e Kurorës saudite Mohammed bin Salman Al-Saud, gjatë ditëve të samitit të Forumit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), që u mbaj në Bangkok të Tajlandës.

Marrëdhëniet mes Kanadasë dhe Arabisë Saudite ishin pezulluar që nga viti 2018, pas arrestimit në Arabinë Saudite të aktivistes për të drejtat e grave, Samar Badawi, motra e Raif Badawi-t, shkrimtar disident, i burgosur atje që nga viti 2012. Ky i fundit ishte dënuar me 10 vite burg për deklaratat e tij progresiste të publikuara në një blog. Ai u ndëshkua gjithashtu me 50 goditje me kamxhik, një sprovë e dhimbshme kjo për të dhe familjen e tij, e cila u detyruan të largohej dhe të vendosej në Kanada.

Në kohën e arrestimit të motrës së Raif Badawi-t, ministrja e Jashtme kanadeze e asaj periudhe, Chrystia Freeland, shprehu publikisht shqetësimin për fatin e tyre dhe bëri thirrje që ata të liroheshin menjëherë. Në shenjë hakmarrjeje, Arabia Saudite më pas njoftoi dëbimin e ambasadorit kanadez, tërhoqi ambasadorin e vet, detyroi largimin e mijëra studentëve dhe ngriu çdo këmbim tregtar apo investim të ri me Kanadanë, duke pretenduar se kritika ndaj represionit të kundërshtarëve të regjimit, ishte shprehje “diktati” nga pala kanadeze.

Pas deklaratës së sotme zyrtare të Global Affairs, ministrja e Jashtme kanadeze Mélanie Joly konfirmoi se të dy vendet do të emërojnë ambasadorë të rinj. Ndërkohë bëhet e ditur se Jean-Philippe Linteau do të jetë emisari i ri i Kanadasë në mbretërine Saudite.

Normalizimi i marrëdhënieve Riad-Ottawa pason afrimin disa javë më parë të Arabisë Saudite me disa vende të tjera, përfshirë Iranin, fuqinë rivale rajonale, e më pas Sirinë. Sauditët janë angazhuar gjithashtu të kontribuojnë në arritjen e një armëpushimi në Sudan, ku dy gjeneralë rivalë kanë rinisur luftimet me njëri-tjetrin qysh nga 15 prilli.

Thomas Juneau, profesor i çështjeve ndërkombëtare në Universitetin e Ottawa, i cituar nga Radio-Canada, ka pohuar se është qëndrimi i Arabisë Saudite që ka ndryshuar vitet e fundit dhe jo qëndrimi i Kanadasë, që nuk është tërhequr asnjëherë nga deklaratat e saj në favor të mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Ai kujton se mes viteve 2016 dhe 2019, politika e Jashtme saudite ishte shumë agresive, veçanërisht me luftën në Jemen, embargon ndaj Katarit dhe rrëmbimin e ish-kryeministrit libanez Saad Hariri. Sipas tij, gjatë një ose dy viteve të fundit, ka pasur përpjekje të mëdha nga pala saudite për të ndryshuar plotësisht politikën e saj të Jashtme dhe për t’u shkëputur sa më shumë nga konfliktet rajonale.

“Princi, i mbiquajtur “MBS”, ka kuptuar se objektivat e tij të reformës nuk do të funksiononin nëse Arabia Saudite do të përfshihej në të gjitha llojet e konflikteve ushtarake apo diplomatike. Mosmarrëveshja me Kanadanë është padyshim relative në këtë përllogaritje, por me zgjidhjen e këtij konflikti, princi dëshiron të dërgojë edhe një sinjal në adresë të vendeve evropiane, duke shpresuar të tërheqë gjithnjë e më shumë investime perëndimore në Arabinë Saudite”, ka përfunduar komentin e vet profesor Juneau.

© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Foto: The Canadian Press