Kanada

Kanada - Gjyqtarja Marie-Josée Hogue do drejtojë hetimin publik mbi ndërhyrjen e huaj në zgjedhje

  • Published in Kanada

Ambasada kineze në Ottawa ka reaguar duke akuzuar qeverinë federale për “ekzagjerim të gënjeshtrave mbi të ashtuquajturën ndërhyrje kineze”.

Më në fund skandali më i madh politik i dekadës së fundit në Kanada do t’i nënshtrohet hetimit publik. Pas presioneve të vazhdueshme disamujore nga ana e opozitës konservatore, por edhe NDP dhe Bllokut të Québec, Liberalët e kryeministrit Justin Trudeau u detyruan të bëjnë një hap prapa gjatë kësaj vere dhe dje (07.09) Ministri i Rendit publik, Institucioneve demokratike dhe Çështjeve ndërqeveritare, Dominic LeBlanc komunikoi zyrtarisht emrin e kryesueses se hetimit. Ajo quhet Marie-Josée Hogue, aktualisht me funksion gjyqtare pranë Gjykatës së Apelit të Québec.

Sipas Dominic LeBlanc, ndofta ministri më i besuar i Justin Trudeau, i cili qe ngarkuar të udhëhiqte negociatat me partitë e tjera në procesin e përzgjedhjes, gjyqtarja Hogue do ketë si mandat “të shqyrtojë dhe vlerësojë ndërhyrjen e huaj në procesin zgjedhor kanadez dhe mbi institucionet demokratike kanadeze, më konkretish nga Kina, nga Rusia dhe aktorë të tjerë të huaj, ndër të cilët dhe organizata joshtetërore”. Kryesuesja e hetimit që do nisë më 18 shtator, parashikohet të paraqesë një raport paraprak brenda datës 29 shkurt 2024 dhe një raport përfundimtar brenda datës 31 dhjetor 2024.

Duke falenderuar për bashkëpunimn të gjitha partitë e përfaqësuara në Dhomën e Deputetëve për hartimin e mandatit të këtij komisioni hetimor, Dominic LeBlanc saktësoi se gjyqtarja Hogue do jetë gjithashtu përgjegjëse për shqyrtimin e procesit të vendimmarrjes brenda qeverisë lidhur me çështjen në fjalë dhe nivelin e sigurisë institucionale.

Dominic LeBlanc

Përzgjedhja e emrit të kreut të komisionit hetimor mësohet së ka qenë unanime nga ana e partive, fakt i cili duket se ka ndikuar në vendimmarrjen personale të Znj. Hogue për ta pranuar mandatin më të rëndësishëm deri tani në karrierën e saj për nga pesha në sytë e publikut. Ndërkohë nuk është bërë ende e ditur se sa do të jetë buxheti në dispozicion të komisionerëve, por sipas ministrit LeBlanc, qeveria është e gatshme të ofrojë të gjitha burimet e domosdoshme në funksion të kërkesave që do të përcaktojë kryesuesja e hetimit.

Në një deklaratë të publikuar menjëherë pas shpalljes së emërimit të saj, gjyqtarja Hogue u shpreh se “është thelbësore që proceset tona zgjedhore dhe institucionet demokratike të mbrohen nga ndërhyrjet e huaja. Gjatë javëve të ardhshme, do të fokusohem në avancimin e punës së nevojshme për hetimin publik, në përputhje me mandatin që më është besuar. Mezi pres të filloj këtë detyrë të rëndësishme dhe do të jap më shumë detaje mbi hapat e ardhshëm në kohën e duhur”.

Po kështu, pas njoftimin të djeshëm, ka reaguar dhe kryeministri kanadez Justin Trudeau, cili ka premtuar se do të dëshmojë në hetimin e ardhshëm publik mbi akuzat për ndërhyrjet e huaja në punët e brendshme kanadeze, nëse kjo do t’i kërkohet nga gjyqtarja Marie-Josée Hogue. Pyetjet e gazetarëve për ndërhyrjen e huaj e ndoqën kryeministrin deri në Singapor, ku ai ndodhej për vizitë në kuadrin e një misioni ekonomik në Azi. Madje, Justin Trudeau deklaroi se do të dëshmojë në hetimin publik “vullnetarisht dhe me entuziazëm”.

Kush është Marie-Josée Hogue

E konsideruar si një yll në ngjitje në sistemin ligjor kanadez, zonja Hogue është emëruar në Gjykatën e Apelit të Québec në qershor 2015, duke zëvendësuar gjyqtarin Pierre J. Dalphond.

Magjistratja është diplomuar në drejtësi pranë Sherbrooke University në vitin 1986 dhe një vit më pas mori liçencën e ushtrimit të profesionit nga Dhoma e Avokatëve të Québec. Nga 1987 deri në 2013 praktikoi me firmën Heenan Blaikie, ndërsa prej janarit 2014 ishte partnere në firmën McCarthy Tétrault.

Sipas faqes së internetit të Gjykatës së Apelit të Québec, fushat kryesore të ekspertizës së saj janë çështjet gjyqësore që lidhen me të drejtën e korporatave, çështjet gjyqësore civile dhe përgjegjësinë profesionale. Një pjesë e praktikës së saj i është kushtuar të drejtës administrative dhe çështjeve gjyqësore të së drejtës kushtetuese. Të dhenat e saj profesionale nuk përmendin ndonjë përvojë të veçantë në fushën sigurisë kombëtare.

Marie-Josée Hogue

Sipas mandatit që i është besuar, gjyqtarja Hogue do duhet të paraqesë një vlerësim të situatës brenda gjashtë muajve dhe më pas të paraqesë rekomandimet e saj në fund të dhjetorit 2024. Kjo periudhë kohore shumë e ngjeshur mund të lërë shumë pak kohë për marrjen e dëshmive apo mbajtjen e seancave dëgjimore publike.

Kujtojmë se, sipas të dhenave nga shërbimet sekrete kanadeze të cituara në veçanti nga Global dhe The Globe and Mail, disa deputetë konservatorë - duke përfshirë ish-udhëheqësin e partisë Erin O'Toole - dhe të paktën një deputete neodemokrate, kanë qenë objektiv i manovrave dhe tentativave të presionit nga Pekini, po kështu dhe votues me origjinë kineze për të favorizuar fitoren e Partisë Liberale dhe për të penguar zgjedhjen e kandidatëve të opozitës që kundërshtonin hapur politikat kineze.

Nga ana e saj, qeveria Trudeau, asnjëherë nuk ka specifikuar deri më sot se kush në radhët e saj ishte informuar - ose jo - për këtë situatë nga shërbimet e inteligjencës, duke u justifikuar me rregullat e konfidencialitetit dhe të sigurisë në lidhje me publikimin e këtij informacioni.

Michael Chong

Në mënyrë implicite, konservatorët dyshojnë nga ana e tyre se qeveria Trudeau e ka injoruar me vetëdije këtë informacion për aq sa ndërhyrja e Kinës u shërbente interesave partiake.

Në maj 2023, Kanadaja dëboi një diplomat kinez nga territori i saj për shkak të një raporti të vitit 2021 të CSIS (Canadian Security Intelligence Service) sipas të cilit zyrtari konsullor i Torontos Zhao Wei, kishte tentuar t’i bënte presion deputetit konservator Michael Chong (ministër i Jashtëm në kabinetin hije të Pierre Polievre) dhe të afërmve të tij në Hong Kong, për shkak të kritikave nga ana e Chong ndaj shkeljes së të drejtave të njeriut në Kinë. Nga ana e saj Kina u përgjigj duke dëbuar një diplomat kanadez nga Shangai.

Reagon Ambasada e Kinës

Menjëhërë pas njoftimit zyrtar mbi fillimin e hetimit publik të drejtuar nga gjyqtarja Hogue ka reaguar Ambasada kineze në Ottawa. Në një deklaratë për mediat, ambasada shprehet se qeveria federale kanadeze “po vazhdon t’i ekzagjerojë gënjeshtrat mbi të ashtuquajturën ndërhyrje kineze”.

“Ne nuk kemi asnjë interes për çështjet e brendshme dhe zgjedhjet e Kanadasë dhe nuk kemi ndërhyrë kurrë në to”, thuhet në deklaratë.

Ambasada akuzon gjithashtu disa politikanë dhe media kanadeze të cilët "kanë përhapur prej kohësh gënjeshtra dhe dezinformata kundër Kinës".

Zhao Wei

Ndërkohë, Kina përmes ambasadës së saj ka kërcenuar dhe i ka bërë thirrje Kanadasë që “të mos mashtrojë publikun dhe të ndalojë dëmtimin e marrëdhënieve Kinë-Kanada. Përndryshe, Kanadaja do të duhet të përballet me pasojat”.

Mandati hetimit

-Termat e references janë miratuar nga të gjitha palët në Dhomën e Komunave;

-Komisioni fillon punën më 18 shtator 2023;

-Do shqyrtohen aktet e ndërhyrjes nga Kina, Rusia dhe vende të tjera si dhe nga aktorë joshtetërorë;

-Do verifikohet integriteti i dy zgjedhjeve të fundit federale (2019 dhe 2021);

-Do vlerësohet nëse agjencitë kanadeze të sigurisë kanë kapacitetin e mjaftueshëm për të zbuluar, penguar dhe luftuar ndërhyrjet e huaja.

© Flasshqip me informacion nga Radio-Canada

Fotot: The Canadian Press/Justin Tang/Darren Calabrese; Reuters/Fred Dufour; Shebrooke University;