Java Kanadeze - Lajme shkurt 8 tetor 2023
- Published in Kanada
Devil’s Rock, Lake Temiskaming - Ontario
-British Columbia, prodhuesit e verës bëjnë thirrje për mbështetjen e produkteve lokale
-Alberta, shtohen kantjeret e ndërtimit të banesave me qira në Calgary
-Nova Scotia, mungesë burimesh për bankat ushqimore në prag të Thanksgiving
-Québec, taksat lokale nuk do ta tejkalojnë normën e inflacionit, deklaron Bashkia Montréal
-Ontario, Komisioneri për integritetin qorton zyrtarisht ish-kryetarin e Bashkisë Toronto John Tory
British Columbia - Pas një vere të mundimshme, Shoqata e Prodhuesve të Verës në British Columbia u ka bërë thirrje banorëve të provincës ta ndihmojnë këtë industri të rimëkëmbet, duke konsumuar në radhë të parë prodhimet vendase dhe jo ato të huaja. “Zjarret në pyje, komunitetet e evakuuara, kufizimet e udhëtimit: Lugina Okanagan vuajti shumë gjatë verës së vitit 2023”, ka shpjeguar për Radio-Canada, Séverine Pinte, kultivuese e vreshtarisë në Le Vieux Pin dhe LaStella Winery. Sipas saj, gjatë periudhës së zjarreve trafiku veri-jug në luginë u bllokua dhe shumë produkte mbetën në fusha se nuk kish kush t'i blinte. Për shembull, për shkak të situatës dhe pamundësisë për të udhëtuar, në dy vreshtat e saj, në 48 orë u anuluan afro 180 vizita klientësh. Për të ndihmuar kantinat e verës që ende po vuajnë këto pasoja, shoqata që i përfaqëson ato nisi një fushatë të mërkurën e kaluar (04.10.), të quajtur Fall for BC Wine, për të inkurajuar popullsinë të favorizojë verërat vendase. “Kjo mbështetje nga banorët është e domosdoshme” ka theksuar Séverine Pinte. Industria e verës e British Columbia është relativisht e re, por ajo kontribuon me 3.75 miliardë dollarë të ardhura vjetore në ekonominë e provincës. “20 deri 30% e verërave të trëgëtuara në British Columbia prodhohen në vend”, pohon Bruno Gervès, konsulent i prodhimit të pijeve alkoolike. Kjo përqindje është e konsiderueshme, sipas tij, duke pasur parasysh sipërfaqen e vogël të vreshtave, rreth 5000 hektarë, krahasuar me prodhuesit e mëdhenj, si Franca apo Italia.
Alberta - Sipas raportit më të fundit nga Shoqata Kanadeze e Hipotekave dhe Strehimit, kantjeret e ndërtimit të banesave me qira në Calgary u rritën më shumë se 35 për qind në gjashtë muajt e parë të vitit 2023 në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. “Ajo që ne po shohim është efekti i rritjes së popullsisë” pohon analisti i tregut Taylor Pardy. Migrimi ndërprovincial dhe ndërkombëtar ka arritur rekorde në Alberta dhe të sapoardhurit në përgjithësi janë qiramarrës. Ndërkohë, rritja e normave të interesit i ka larguar gjithashtu në mënyrë të konsiderueshme albertanët nga blerja e shtëpive që tani kushtojnë më shtrenjtë. Kërkesa për qira është rritur, duke e bërë këtë lloj ndërtimi më tërheqës për ndërtuesit. “Ka edhe stimuj të qeverisë që ndihmojnë këtë segment të tregut”, shton Taylor Pardy. Sipas tij, promotorët imobiliarë mund të marrin norma më të mira financimi kur ndërtojnë banesa me qira në vend të ndërtesave në bashkëpronësi. Megjithatë, kjo rritje në sektorin e ndërtimit të banesave me qira nuk do të ketë një efekt të menjëhershëm në përballueshmërinë e kostos së qirave. Sipas një raporti të fundit nga Bashkia Calgary, qiraja mesatare në metropolin e Alberta-s u rrit me 40% nga viti 2020 në vitin 2023.
Nova Scotia - Bankat ushqimore të Nova Scotia kanë pak burime për Ditën e Falënderimeve. Sipas punonjësve të komunitetit që punojnë atje, situata pritet të përkeqësohet me afrimin e dimrit. Banka ushqimore e Antigonish Community Fridge and Pantry deklaron se po shpërndan gjithnjë e më shumë ushqime. Kjo është arsyeja pse kjo organizatë ka vendosur të mbushë frigoriferët e saj tri herë në javë me ushqime të parapërgatitura. “Gjithnjë e më shumë shohim njerëz që nuk kanë strehim ose që flenë jashtë. Këta njerëz nuk kanë domosdoshmërisht akses në një kuzhinë ose një vend për të gatuar ushqim”, pohon për Radio-Canada, Wyanne Sandler, një vullnetare pranë kësaj organizate. Ky grup komunitar kërkon më shumë vullnetarë për të përgatitur sasi të mëdha ushqimesh. Edhe pse marrim shumë donacione ushqimore, ato konsumohen shumë shpejt”, shton Sandler. Ndërkohë, përballë kërkesës në rritje, Parker Street Food Bank në Halifax shpreson të kursejë para duke reduktuar faturën e saj të energjisë. Organizata bamirëse mori 218,000 dollarë fonde federale për të rritur efikasitetin e konsumit të energjisë përmes instalimit të një termopompe, paneleve diellore dhe llampave LED. Kjo bankë ushqimore ka llogaritur që kostot e saj të energjisë do të ulen me 72% kur të përfundojë projekti.
Québec - Kryetarja e Komitetit Ekzekutiv të Bashkisë Montréal, Dominique Ollivier, njoftoi të premten e kaluar (06.10.) se taksat lokale nuk do ta tejkalojnë normën e inflacionit prej 5.2% në buxhetin e vitit të ardhshëm. “Ka realitete nga të cilat nuk mund të shpëtojmë. Për shembull, kontratat për pastrimin e borës janë pothuajse dyfishuar. Kontratat për grumbullimin e plehrave janë rritur gjithashtu. Ne duhet të gjejmë një ekuilibër”, pohoi zonja Ollivier për gazetarët. Nga ana e tij, zëdhënësi zyrtar i financave për opozitën Ensemble Montréal, Alan DeSousa, ka deklaruar se rritja 5.2% e taksave, nëse propozohet, është shumë e lartë. Sipas tij, kjo do të ishte rritja më e madhe që nga viti 2011, dhe për të dytin vit radhazi. “Valérie Plante duhet të menaxhojë më mirë financat përpara se të taksojë më shumë, duke ditur që shpenzimet e qytetit janë rritur me 1.3 miliardë dollarë që nga ardhja e saj në pushtet në viti 2017”, ka shtuar DeSousa. Gjatë një konference për shtyp të organizuar të mërkurën (04.10.), kryetarja Plante, u rezervua të angazhohej për të kufizuar rritjen e taksave lokale, duke kujtuar përgjegjësitë e reja që i ngarkohen bashkisë, përfshirë ato në lidhje me të pastrehët dhe çështjet sociale. Zonja Plante theksoi gjithashtu se Bashkia Montréal ka trashëguar dosje që normalisht binin nën juridiksionin e qeverisë provinciale. “Të gjitha këto dosje”, deklaroi ajo, “varen nga financimi provincial i cili rezulton i pamjaftueshëm”. E pyetur nga gazetarët, zonja Ollivier e cilësoi deklaratën e kryebashkiakes si të matur. Gjatë buxhetit të vitit 2023, Montréal pat vendosur një rritje taksash prej 4.1%, më e larta që nga viti 2011. Buxheti i ardhshëm i metropolit frankofon do të bëhet publik më 15 nëntor.
Ontario - Ish-kryebashkiaku John Tory, ka shkelur kodin e sjelljes që zbatohet për anëtarët e këshillit të bashkisë, deklaroi të enjten e kaluar (06.10.) Komisioneri i integritetit të Torontos. Tory dha dorëheqjen në shkurt pasi pranoi se kishte një marrëdhënie jashtëmartesore, por konsensuale, me një punonjëse të zyrës së tij duke filluar nga vera e vitit 2020. Ky person punoi në zyrën e kryetarit Tory midis 2018 dhe 2021. Në një deklaratë, të shpërndarë nga avokatët e tij, ish-kryebashkiaku ka kërkuar sërish falje për sjelljen e tij dhe i ka pranuar konkluzionet e komisionerit. Në raportin e tij të publikuar në internet, Komisioneri i integritetit të metropolit, Jonathan Batty, arrin në përfundimin se ish-kryebashkiaku ka shkelur politikat e burimeve njerëzore dhe rregullat që përcaktojnë marrëdhëniet midis këshilltarëve bashkiakë dhe anëtarëve të stafit të tyre. Megjithatë, z. Batty beson se nuk do të kishte kuptim të vendoseshin sanksione ndaj John Tory, pasi ai nuk është më në detyrë. Komisioneri konkludon gjithashtu në raport se John Tory përdori në mënyrë të padrejtë ndikimin e tij si kryetar bashkie kur votoi në favor të dy mocioneve për ofertën e Torontos për të qenë qytet pritës i Kupës së Botës FIFA 2026. Ish e dashura e tij në atë kohë ishte e punësuar nga kompania MLSE, e cila nënshkroi marrëveshje me Bashkinë për organizimin e ndeshjeve të Botërorit, në momentin e miratimit të këtyre dy mocioneve. Ish-asistentja e tij, e identifikuar si znj. A në raport, nënshkroi një kontratë pune me MLSE që zgjati nga 4 prilli 2022 deri më 29 gusht 2022. Dy ditë pas fillimit të kontratës së saj, John Tory mori pjesë në një debat dhe në një votim për Kupën e Botës. Jonathan Batty specifikon në raportin e tij se ishte vetë John Tory që i kërkoi të shqyrtonte marrëdhënien e tij me ish asistenten e vet.
© Flasshqip me informacion nga Radio-Canada
Fotot: Radio-Canada; Reuters