Kanada

Bonnie Crombie zgjidhet kryetare e Partisë Liberale të Ontarios

  • Published in Kanada

Kryetarja e Bashkisë së Mississauga Bonnie Crombie është zgjedhur dje (02.12.) në krye të Partisë Liberale të Ontarios. Crombie, e cila do ketë për mision të udhëheqë gjithashtu fushatën e zgjedhjeve të ardhshme provinciale pas 3 vjetësh, ishte në garë me deputetët federalë të Partisë Liberale të Kanadasë Nate Erskine-Smith dhe Yasir Naqvi, si dhe me deputetin provincial Ted Hsu. Rezultati i garës u bë i ditur gjatë pasdites, pasi u zhvilluan tre raunde votimi. Në raundin e tretë Bonnie Crombie arriti të marrë 54,4% të votave, përballë Nate Erskine-Smith me 46,6%.

Kësisoj, pas 6 muajsh fushatë, Liberalët e Ontarios mundën të zgjedhin një pasardhës që zëvendëson Steven Del Duca, i dorëhequr menjëherë pas humbjes katastrofike në zgjedhjet e vitit të kaluar, në të cilat Konservatorët e Doug Ford u rikonfirmuan në pushtet pas mandatit të parë të fituar në vitin 2018. Ndërkohë, disa muaj më vonë pas humbjes së vjetshme, Del Duca arriti të zgjidhet kryetar i Bashkisë Vaughan, në periferi të Torontos.

Nga e majta në të djathtë: Hsu, Naqvi, Crombie dhe Erskine-Smith

Liberalët kishin zgjedhur një mënyrë votimi preferenciale me sistem pikësh. Në votim morën pjesë 124 seksionet e zonave zgjedhore, 15 shoqata studentësh dhe 8 organizata që përfaqësojnë gratë. Fitues do zgjidhej kandidati që merrte të paktën 50% të totalit të pikëve. Në raundin e parë u eliminua Ted Hsu, ndërsa Bonnie Crombie nuk arriti të kalojë pragun 50%. Në raundin e dytë u eliminua Yasir Naqvi me 24%, ndërsa Crombie u rendit e para me 46,7% dhe Erskine-Smith i dyti me 29,3%.

Kryetaren e re të Partisë Liberale të Ontarios e uruan fillimisht Marit Stiles, shefja e Neodemokratëve dhe Mike Schreiner, kreu i Partisë së Gjelbër. Ndërkohë, në fillim të mbrëmjes nuk kishte ende një reagim nga kryeministri Ford, por partia e tij Progresiste-Konservatore publikoi një deklaratë që kritikonte bilancin e Bonnie Crombie si kryetare e Bashkisë Mississauga.

Znj. Crombie e shpalli kandidaturën majin e kaluar. Sipas saj, rezultatet e dobëta të Partisë Liberale në dy zgjedhjet e fundit provinciale ishin pasojë e pozicionimit të gabuar politik. “Dua të nxis debatet për ta rikthyer Partinë Liberale të Ontarios në qendër, sepse mendoj se jemi anuar shumë majtas”, pat deklaruar ajo në një intervistë për CBC.

Partia Liberale e Ontarios është ende në proces rindërtimi pas dy fushatave katastrofike elektorale në 2018 dhe 2022. Grupi Liberal aktualisht ka vetëm 9 deputetë në Queen's Park, numër i pamjaftueshëm që kjo parti politike të ketë statusin e opozitës zyrtare në Asamblenë Legjislative. Për më tepër, Liberalët e Ontarios u renditën në vendin e katërt në zgjedhjet e pjesshme të së enjtes së kaluar (29.11.) në Kitchener, ku deputet u zgjodh Aislinn Clancy i Partisë së Gjelbër.

Bonnie Crombie, 63 vjeç, vajzë e dy prindërve imigrantë nga Polonia (Veronica Sega dhe Ed Stack), është zgjedhur kryetare e Bashkisë Mississauga qysh nga viti 2014. Ajo është diplomuar fillimisht në Shkenca Politike në Universitetin e Torontos (1982) dhe më pas ka përfunduar MBA (1992) në Schulich School of Business, York University. Në vitet 2008-2011, ajo ka qenë deputete e Partisë Liberale të Kanadasë për zonën Mississauga-Streetsville. Më 2011 ajo e humbi mandatin e deputetit në garë me konservatorin Brad Butt dhe po atë vit u zgjodh këshilltare e Bashkisë Mississauga në Ward 5, periudhë kur ende ky qytet drejtohej nga legjendarja Hazel McCallion (R.I.P.), që u tërhoq nga posti në vitin 2014.

Mbiemrin Crombie, kryetarja e e re e Liberalëve të Ontarios e mban nga martesa (1983-2020) me ish-bashkëshortin Brian Crombie dhe ata janë prindër të tre fëmijëve, Alex, Natasha dhe Jonathan.

© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: The Canadian Press/Sean Kilpatrick, Justin Tang, Chris Young, Patrick Doyle