Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 7 janar 2024

  • Published in Kanada

Old Montreal

 

-British Columbia, qeveria fillon zbatimin e politikës mbi shërbimet në gjuhën frënge

-Alberta, Bashkia Calgary transformon në banesa disa godina zyrash në qendër të qytetit

-Nova Scotia, nis stuhia e parë e dëborës për vitin 2024 në zonën jugore bregdetare

-Québec, pas marrëveshjes në parim qeveri-sindikata miratimi përfundimtar u takon anëtarëve

-Ontario, pritet rritje e konsiderueshme taksash nga Bashkia Toronto

 

British Columbia - Qeveria e provincës British Columbia njoftoi të premten (05.01) hyrjen në fuqi të politikës së saj të shërbimeve në gjuhën frënge. Deri tani, British Columbia ishte e vetmja provincë kanadeze që nuk kishte një të tillë. Njoftimi paraprak në fakt u bë 22 dhjetorin e kaluar nga ministri provincial i Shëndetësisë dhe Çështjeve Frankofone, Adrian Dix. Politika e re e shërbimeve në gjuhën frënge synon t'i bëjë shërbimet për komunitetin frëngjishtfolës më të aksesueshme. “Ne ishim e vetmja provincë pa një politikë të tillë. Është një fillim, një ndryshim që përfaqëson përpjekjet nga ana e shërbimit publik për të përmirësuar shërbimet në frëngjisht”, deklaroi ministri Dix, i cili u angazhua që për zbatimin e saj do të bashkëpunojë nga afër me Federatën e Frankofonëve të provincës.

Alberta - Për të zgjidhur problemin e sipërfaqes së lirë të ambienteve të zyrave në qendër të qytetit, Bashkia Calgary ka nisur prej dy vitesh zbatimin e një strategjie që tani shërben si shembull për të gjitha bashkitë e mëdha ku ka mungesa ambientesh strehimi. Calgary po punon intensivisht për t’i kthyer kullat e zyrave të pashfrytëzuara në banesa rezidenciale përmes një programi grantesh, i pari në llojin e tij. Në vetëm dy vjet janë miratuar 13 projekte konvertimi, ndërsa katër projekte të tjera janë aktualisht në shqyrtim. Projekti i parë, ku një kullë zyrash 10-katëshe u shndërrua në një ndërtesë banimi me 112 apartamente me një kosto prej 38 milionë dollarësh, është pothuajse i përfunduar dhe parashikohet të mirëpresë qiramarrësit e parë në muajt në vijim. Programi nxitës i zhvillimit të Calgary's Downtown, i cili ofron 75 dollarë për metër katror për pronarët e ndërtesave që duan të konvertojnë hapësirën e pashfrytëzuar të zyrave në apartamente banimi, është unik madje në gjithë Amerikën e Veriut. Ky program u lançua në vitin 2021, në një kohë kur Calgary, qyteti me më shumë seli korporatash për frymë se kudo tjetër në Kanada, po përballej me rënien e zgjatur të çmimeve të naftës dhe efektet e pandemisë.

Nova Scotia - Bregdeti jugor i provincës Nova Scotia u përball sot (07.01) me stuhinë e parë të borës për këtë vit. Environment Canada emetoi në mëngjes paralajmërim për akumulime deri në 20 cm, erëra deri në 80 km/h dhe kushte të rrezikshme në rrugë për rajonet Yarmouth, Shelburne, Queens dhe Lunenburg. Dëbora nisi të bjerë në mesditë dhe akumulimi më i madh pritej të ndodhte në mbrëmje. Ndërkohë, kushtet e motit për këto zona pritet të përmirësohen nesër (08.01) herët në mëngjes. Gjatë të njejtës periudhë priteshin gjithashtu akumulime prej 5 deri 15 centimetra në kontenë perëndimore Halifax, ndërsa në qytetin Halifax, bora ka nisur sot pasdite dhe parashikohet një akumulim 5 deri në 10 centimetra. Temperatura për shkak të erës së ftohtë pritet të kalojë minus 10 dhe për të pastrehët u hap një vendstrehim emergjence me 50 vende në dispozicion në Halifax Forum.

Québec - Fronti i Përbashkët Sindikal në Québec i ka dhënë vetes një muaj kohë për ta paraqitur para 420,000 anëtarëve të tij marrëveshjen në parim të negociuar me qeverinë provinciale, marrëveshje që përfshin veçanërisht një rritje pagash prej 17.4% gjatë pesë viteve, të negociuar për të gjithë punonjësit në të gjithë sektorët. “Detajet e kësaj marrëveshjeje do t'u prezantohen atyre në asamblenë e përgjithshme dhe do të jetë në dorën e tyre të vendosin”, thuhej në deklaratën për shtyp të zëdhënësve të Frontit të Përbashkët të cilës i referohej sot (07.01) Radio-Canada. Mbledhjet e përgjithshme do të thirren nga data 15 janar deri më 19 shkurt. Që marrëveshja kolektive të quhet e miratuar, më shumë se 50% e 420,000 punonjësve në sektorët e arsimit dhe shëndetësisë do të duhet ta pranojnë atë. Kjo marrëveshje parashikon një rritje pagash prej 17.4% në pesë vjet. Nëse marrëveshja pranohet, një rritje prej 6% është planifikuar për vitin e pare, retroaktive nga 1 prill 2023. Sipas drejtuesve të sindikatave, kjo rritje vjetore është më e rëndësishmja që nga viti 1979.

François Énault (CSN) Éric Gingras (CSQ) Magali Picard (FTQ) dhe Robert Comeau (APTS)

Ontario - Qytetarëve të Bashkisë Toronto do t’u duhet të përballen së shpejti me një rritje të konsiderueshme të taksës së pronës, rritje që parashikohet në buxhetin e ardhshëm të metropolit, ndërkohë që këshilli bashkiak po përpiqet me të gjitha mjetet të gjejë burime të reja të ardhurash për të reduktuar deficitin strukturor që e kalon shifrën 1.8 miliardë dollarë. “Rritja do të jetë thelbësore, sepse kemi arritur në një pikë kur duhet ta marrim një vendim të tillë për të zgjidhur problemet tona”, i ka deklaruar Radio-Canada, kryetarja e komisionit të buxhetit të Torontos, këshilltarja bashkiake Shelley Carroll. Procesi i diskutimeve për buxhetin nis këtë të mërkurë (10.01) me paraqitjen e propozimeve për shpenzimet operative dhe investuese. Më pas do të nisë një seri konsultimesh publike që do të zhvillohen në godinën e bashkisë dhe qendrat qytetare anembanë Torontos. Në fillim të muajit shkurt, kryetarja e bashkisë Olivia Chow do shqyrtojë komentet e marra dhe në bashkëpunim me stafin e bashkisë do përgatisë projektin përfundimtar të buxhetit që do t’i paraqitet këshillit bashkiak. Këshilli parashikohet ta votojë programin e ri buxhetor më 14 shkurt. Këshilltarja Carroll nuk dha një shifër të saktë për rritjen e propozuar të taksës mbi pronën, por vetëm pohoi se nevojat financiare të Torontos nuk mund të plotësohen pa një rritje të konsiderueshme të kësaj takse. Vitin e kaluar, ish-kryetari i bashkisë John Tory e rriti taksën mbi pronën 5.5 për qind. Kjo ishte rritja më e madhe që nga viti 1999.

© Flasshqip.ca me informacion nga CBC/Radio-Canada; The Canadian Press/Graham Hughes

Fotot: CBC/Radio-Canada