Kanada

Kanada: Gjykata Federale deklaron antikushtetuese gjendjen e jashtëzakonshme të shkurtit 2022

  • Published in Kanada

Shoqata Kanadeze për Liritë Civile (Canadian Civil Liberties Association) e ka fituar përballjen me qeverinë e kryeministrit Justin Trudeau për çështjen e kushtetutshmërisë së gjendjes së jashtëzakonshme të dekretuar më 14 shkurt 2022. Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme që iu referua Aktit për Masat Urgjente, u vendos nga qeveria federale me qëllim shpërndarjen e protestës që u organizua në Ottawa në zonën e Parliament Hill nga lëvizja Freedom Convoy për të kundërshtuar masat kufizuese në kohën e pandemisë COVID-19.

Gjykata Federale e ka deklaruar të paarsyeshëm dhe antikushtetues vendimin e qeverisë duke cituar frazën latine ultra vires, që në të drejtën kushtetuese do të thotë se një veprim apo akt juridik shtetëror shkon përtej kompetencave që janë dhënë me ligj ose të përcaktuara në kushtetutë. Në rastin konkret sipas kësaj gjykate është shkelur neni 8 i Kartës Kanadeze të të Drejtave dhe Lirive (Canadian Charter of Rights and Freedoms) i cili shprehimisht thotë: “Gjithkush ka të drejtën e mbrojtjes nga kontrollet ose konfiskimet e paarsyeshme” (Everyone has the right to be secure against unreasonable search or seizure).

Tamara Lich

Gjatë seancave dëgjimore prillin e kaluar, përfaqësuesit e Canadian Civil Liberties Association patër ripërsëritur qëndrimin e tyre duke argumentuar se qeveria federale kishte vepruar në mënyrë të paarsyeshme dhe të pajustifikuar duke aplikuar Aktin e Masave të Urgjencës për t’i dhënë fund protestës disa javore që paralizoi qendrën e kryeqytetit kanadez në janar-shkurt 2022.

Në një vendim voluminoz prej gati 200 faqesh, gjyqtari 74 vjeçar i Gjykatës Federale të Kanadasë Richard Mosley, me eksperiencë në gjykimin e çështjeve që lidhen me sigurinë kombëtare dhe antiterrorizmin, ka deklaruar se situata e krijuar nga manifestimi në Ottawa nuk e arriti pragun e urgjencës që kërkohet për t'iu referuar Aktit për Masat Urgjente. Ai shkruan në veçanti se “për të shpallur një gjendje të jashtëzakonshme në lidhje me rendin publik, ekzigjenca ligjore është prania e një situatë emergjente e cila rezulton nga kërcënime shumë serioze deri në masën që ato të përbëjnë një emergjencë kombëtare ndaj sigurisë së Kanadasë”.

Richard Mosley

Magjistrati i njohur kujton ndër të tjera se ligjvënësi është mbështetur në përkufizimin e kërcënimeve për sigurinë e Kanadasë të përcaktuara nga Shërbimi Informativ Kanadez i Sigurisë (Canadian Security Intelligence Service), duke konkluduar se vendimi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme nuk përmbante karakteristikat e një akti të arsyetuar - justifikimin, transparencën dhe qartësinë argumentuese - ndaj dhe nuk ishte i justifikuar në lidhje me kufizimet përkatëse faktike dhe ligjore që duheshin marrë në konsideratë”.

Duke i dhënë të drejtë Canadian Civil Liberties Association, Gjykata Federale ka hedhur poshtë me vendimin e saj argumentet e avokatëve të qeverisë federale, të cilët fillimisht, për ta zhvleftësuar çështjen patën kërkuar mbylljen e saj pa u zhvilluar seancat dëgjimore duke pretenduar se ajo ishte e tejkaluar pas revokimit të masave të jashtëzakonshme, efekti i të cilave zgjati vetëm 9 ditë.

Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada