Java Kanadeze - Lajme shkurt 04. 02. 2024
- Published in Kanada

Magdalen Islands Quebec
-British Columbia, 18 shoqata myslimane kërkojnë shkarkimin e ministres së Arsimit të Lartë
-Alberta, edukimi seksual i fëmijëve nuk do bëhet pa pëlqimin paraprak të prindërve
-Nova Scotia, kisha më e madhe prej druri në Amerikën e Veriut shitet për 250 mijë dollarë
-Québec, qeveria vendos rinovimin e Stadiumit Olimpik në Montréal
-Ontario, qeveria federale i akordon Bashkisë Toronto 141 milionë dollarë për azilkërkuesit
British Columbia - Një grup prej 18 shoqatash myslimane në British Columbia ka bërë thirrje për shkarkimin e Selina Robinson nga posti i ministres së Arsimit të Lartë pas pohimeve të saj referuar territorit ku u krijua Izraeli më 1948, që ajo e cilësoi se përpara këtij momenti ishte “a crappy piece of land”. Përfaqësuesit e shoqatave myslimane kanë bashkënënshkruar një letër në të cilën theksojnë se “nëse kryeministri David Eby (NDP) nuk merr masa ndaj këtij fakti që ka shkaktuar indinjatë në komunitetet që ato përfaqësojnë, anëtarët e qeverisë së tij dhe deputetët neodemokratë nuk do jenë më të mirëpritur në objektet e tyre të shenjta”. Nënshkruesit e letrës saktësojnë se komentet e ministres Robinson, të bëra më 30 janar gjatë një diskutimi në internet si pjesë e një eventi të organizuar nga B'nai Brith, "injorojnë dhe minimizojnë plotësisht spastrimin etnik të dhunshëm dhe mizor ndaj popullit palestinez që mundësoi krijimin e shtetit të Izraelit". Një nga firmëtarët, Haroon Khan, drejtor i xhamisë Al Masjid Al Jamia në Vancouver, gjatë një interviste për Radio-Canada, u shpreh se “megjithëse ministrja kërkoi falje”, ai nuk beson se kjo falje është “në përputhje me parimet e drejtësisë riparuese dhe nuk e kompenson dëmin që i shkaktoi anëtarëve të komunitetit, duke humbur kësisoj dhe besimin e publikut për të qëndruar ende në atë post”.
Alberta - Prindërve në Alberta do t'u kërkohet të shprehin qartë pëlqimin e tyre sa herë që një mësues gjatë orës së mësimit do trajtojë zyrtarisht çështje në lidhje me identitetin gjinor, orientimin seksual dhe “seksualitetin njerëzor”. Në mungesë të pëlqimit të shprehur nga prindi, nxënësi do të përjashtohet automatikisht nga mësimi dhe nuk do të zbatohet parimi i pëlqimit të supozuar. Është ky parim që i orienton mësuesit aktualisht. Tash e tutje, kur shkolla do njoftojë prindërit se në klasë do të mbahet një mësim i edukimit seksual, ata që nuk duan që fëmijët e tyre të marrin pjesë duhet ta bëjnë të ditur këtë me shkrim. Kjo është një nga 10 masat e deklaruara të mërkurën e kaluar (31.01.) nga kryeministrja e Alberta-s, Danielle Smith lidhur me fëmijët dhe adoleshentët.
Nova Scotia - Cilido i interesuar, do mund ta blejë Kishën Sainte-Marie, në Pointe-de-l'Église, provinca Nova Scotia, me çmimin e një apartamenti kondominium. Kjo kishë, e cila nuk është përdorur më si vend kulti që nga viti 2019, është e regjistruar sipas Ligjit të Trashëgimisë, si kisha më e madhe prej druri në Amerikën e Veriut. Pavarësisht karakterit të trashëgimisë dhe strukturës më shumë se shekullore të kësaj kishe, çmimi i shitjes është vendosur vetëm 250 mijë dollarë. “Është e trishtueshme dhe dekurajuese, por kohët po ndryshojnë”, i ka deklaruar Radio-Canada Pierre Comeau, president i Shoqatës për Mbrojtjen e Kishës Sainte-Marie. Kisha shitet siç është. Sipas agjencisë imobiliare që merret me këtë çështje, të interesuarit kanë afat deri në datën 14 shkurt në mesditë për të shprehur interesin. Ata do të marrin një përgjigje para mesditës së 28 shkurtit. Kjo është hera e dytë brenda një viti që Kisha Sainte-Marie është vënë në shitje nga Kryepeshkopata e Halifax-Yarmouth. Deri në fillim të vitit 2023, katër blerës kishin shprehur interes. Njëri prej tyre donte ta riparonte dhe tre të tjerët donin ta prishnin. Arkitekti francez Arthur Regnault u punësua për të ndërtuar këtë kishë gjatë një periudhe dyvjeçare, nga viti 1903 deri në vitin 1905, me ndihmën e 1500 banorëve vendas nën mbikëqyrjen e mjeshtrit marangoz Léo Melanson. Altari kryesor, lampadari i madh dhe shandanët u sollën nga Franca.
Québec - Qeveria Legault do shpallë nesër (05.02.) vendimin pë zëvendësimin e çatisë dhe unazës teknike të Stadiumit Olimpik në Montréal, kompleks i inauguruar qysh në vitin 1976, me rastin e Lojërave Olimpike. Ministrja përgjegjëse, Caroline Proulx, do të njoftojë edhe një vlerësim paraprak të kostos me këtë rast. Sipas Radio-Canada, rinovimi i këtyre strukturave do të kushtojë qindra milionë dollarë, por nuk pritet të arrijë në 1 miliard, ndërkohë që pak javë më parë, e përditshmja “La Presse” pat përmendur një faturë nga 750 milionë deri në 1 miliard dollarë. Projekti që pritet të zgjasë 4 vjet, parashikon çmontimin e çatisë aktuale, zëvendësimin e unazës teknike që mban të gjithë strukturën e stadiumit të bashkuar dhe më pas ndërtimin e një çatie të re. Pasi të rinovohet, stadiumi do jetë në gjendje të organizojë aktivitete gjatë gjithë vitit, pavarësisht nga kushtet e motit, gjë që është e pamundur aktualisht. Qeveria vlerëson se kur të përfundojë projekti, aktivitetet e Parkut Olimpik do të gjenerojnë përfitime vjetore prej afro 150 milionë dollarësh. Aktualisht ato vlerësohen në 68 milionë. “Stadiumi Olimpik është një xhevahir i metropolit, një simbol i qytetit dhe një aktor kryesor në dinamizmin e pjesës lindore. Ne kemi kërkuar gjithmonë një zgjidhje afatgjatë për stadiumin dhe çatinë e tij”, ka deklaruar kabineti i kryetares së Bashkisë së Montréal Valérie Plante.
Ontario - Pas disa muajsh bisedime, Ottawa më në fund i ka dhënë një shtesë fondesh prej 143 milionë dollarësh Bashkisë Toronto për strehimin dhe trajtimin e azilkërkuesve si dhe 19.75 milionë dollarë fond asistence për strehim në favor të qiramarrësve me të ardhura modeste. Akordimi i këtyre fondeve u njoftua të premten (02.02.) nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja Federale e Financave, Chrystia Freeland, e shoqëruar nga kryetarja e Bashkisë Toronto Olivia Chow. Metropoli këtë vit ka reklamuar 250 milionë. Ndërkohë, vitin që shkoi, për shkak të rritjes galopante të numrit të azilkërkuesve kërkesa ishte 200 milionë, por qeveria federale pat akorduar vetëm 97 milionë dollarë.
© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada
Fotot: Radio Canada