Guximi i Brian Mulroney, Afrika e Jugut, Justin Trudeau dhe Gaza
- Published in Kanada
Intervistë e gazetarit të CBC/Radio-Canada Louis Blouin* me z. Rieaz Shaik, Komisioner i Lartë i Afrikës së Jugut në Kanada
Një ditë para funeralit shtetëror që do të zhvillohet nesër (23.03) në Montréal në Bazilikën Notre-Dame, Komisioneri i Lartë i Afrikës së Jugut në Kanada i ka bërë homazh ish-kryeministrit kanadez Brian Mulroney, i cili kontribuoi në rrëzimin e regjimit të aparteidit në vendin e tij. Sipas Rieaz Shaik, lidershipi i z. Mulroney duhet të shërbejë si shembull për kryeministrin aktual Justin Trudeau për qëndrimet e tij ndaj konfliktit në Lindjen e Mesme. Diplomati, i cili e përshkruan situatën në Rripin e Gazës si “aparteid izraelit”, inkurajon Kanadanë të njohë shtetin palestinez.
CBC/Radio-Canada: Nëse do t’ju duhej ta përshkruanit Brian Mulroney me një fjalë, cila do të ishte ajo?
Rieaz Shaik: Guximtar. Ishte e guximshme ajo që bëri për Afrikën e Jugut në një kohë jashtëzakonisht të vështirë, kur mbështetja për qeverinë e aparteidit vinte nga Britania e Margaret Thatcher dhe Shtetet e Bashkuara të Ronald Reagan. Ata ishin jo pak të vendosur dhe hegjemonistë në mbështetjen e tyre për aparteidin, por guximi i Brian Mulroney e theu atë hegjemoni. Kjo krijoi një krisje, një çarje të vogël përmes së cilës nisi të depërtojë një rreze drite (në gjuhën xhosa që e flasin rreth 7 milionë afrikano-jugorë kjo quhet “Vulindlela”), duke iu hapur kësisoj rruga sanksioneve të mundshme kundër Afrikës së Jugut.
CBC/Radio-Canada: Sa rëndësi pati fakti që z. Mulroney kundërshtoi dhe i rezistoi Margaret Thatcher?
Rieaz Shaik: Rëndësi të jashtëzakonshme. Këtë kam kuptuar kur lexova mbi takimin e Commonwealth-it që u zhvillua në Vancouver në vitin 1987, takim gjatë të cilit Brian Mulroney iu kundërvu Margaret Thatcher. Kini parasysh që edhe pse ajo në atë kohë kishte kontroll të plotë mbi Commonwealth-in, Brian Mulroney u ngrit kundër saj për hir të një çështjeje morale, pikërisht për rrëzimin e aparteidit, një formë qeverisjeje e bazuar mbi origjinën etnike dhe diskriminimin racor.
Me aktin e tij ai dëshmoi se disa veprime të ndërmarra nga qeveritë në kohë krize, megjithëse mund të duken të parëndësishme për momentin, mund të jenë një hap vendimtar drejt ndryshimit.
Ndaj dhe Brian Mulroney u dekorua Kompanjon i Urdhrit “Oliver Tambo” në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij ndaj Afrikën e Jugut: së pari duke denoncuar aparteidin, së dyti duke bërë fushatë për lirimin e Nelson Mandelës dhe në fund duke vendosur sanksione kundër Afrikës së Jugut.
Nelson Mandela e kishte intuitën për të vlerësuar një person autentik. Për Mandelën, përpjekja e z. Mulroney në favor të demokratizimit të Afrikës së Jugut nuk ishte një oportunizëm momenti, por një gjest autentik.
Kjo është pikërisht dhe ajo që z. Mandela vlerësoi kur erdhi në Kanada dhe kjo shpjegon gjithashtu dhe komentet e tij të drejtpërdrejta në adresë të z. Mulroney gjatë fjalimit që mbajti në Ottawa para Dhomës së Deputetëve në qershor 1990.
CBC/Radio-Canada: Si mund t’i frymëzojë sot liderët tanë politikë beteja e Brian Mulroney kundër aparteidit?
Rieaz Shaik: E vështirë të mos bësh sot një paralele midis aparteidit të Afrikës së Jugut dhe aparteidit izraelit. Unë mendoj se kryeministri Mulroney mund të shërbejë si një model për të inkurajuar një lider ose grup liderësh që të ndjekin hapat e tij dhe të bëjnë për konfliktin izraelito-palestinez atë që ai bëri për Afrikën e Jugut.
Kjo është thjesht një çështje guximi. Të gjithë i shohim çdo ditë në ekran vuajtjet e atyre që jetojnë në Gaza. Mendoj se vjen një moment kur vuajtja njerëzore është e tillë sa që ti nuk mund të durosh dot më dhe e ngre zërin. Kjo është ajo që bëri zoti Mulroney. Sot, disa liderë botërorë duhet të bëjnë të njëjtën gjë. Kam bindjen se Joe Biden, presidenti i Shteteve të Bashkuara, duhet ta bëjë këtë. Po ashtu kam bindjen se edhe kryeministri Trudeau duhet ta bëjë. Kemi nevojë për një lider që thotë: “Mjaft është mjaft. Ajo që po ndodh në Gaza duhet të marrë fund”.
Në fillim të janarit, Afrika e Jugut paraqiti një ankesë para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (International Court of Justice) duke akuzuar Izraelin për shkelje të Konventës së Kombeve të Bashkuara për Gjenocidin, për shkak të operacioneve ushtarake në Gaza.
Kanadaja nuk e mbështeti ankesën e Afrikës së Jugut, por pohoi se mbështeste punën e GJND-së. Kryeministri Benjamin Netanyahu u përgjigj se është Izraeli ai që po lufton një gjenocid, pas sulmit vdekjeprurës të 7 tetorit të kryer nga Hamasi që shkaktoi 1140 të vdekur. Sipas ministrisë së Shëndetësisë të Hamasit, në Rripin e Gazës, tashmë numri i të vdekurve e ka tejkaluar shifrën 30,000 që nga fillimi i luftës.
CBC/Radio-Canada: Çfarë veprimi mendoni se duhet të ndërmarrë Kanadaja?
Reiaz Shaik: Mendoj se ka ardhur koha që Kanadaja të njohë shtetin palestinez. Kjo do t’i jepte kuptimin e duhur pozicionit kanadez në favor të një zgjidhjeje me dy shtete. Nëse mbështesni zgjidhjen me dy shtete, hapi i parë dhe më i rëndësishëm është njohja e të drejtës së Palestinës për shtetësi. Kjo është shumë e rëndësishme.
Mendoj se nuk duhet të mbetemi ende në kurthin ku kemi ngecur në 30 vitet e fundit në rrugën drejt zgjidhjes se konfliktit me krijimin e dy shteteve. Të gjithë ranë dakord për një të ndjekur një drejtim duke kuptuar më pas se kjo nuk të çon askund. U hodh vetëm një hap i parë dhe të gjithë qëndruan në atë hap të parë për 30 vjet.
Aleatët e Izraelit duhet të deklarohen qartë dhe me shumë forcë se ka ardhur koha për të gjetur një zgjidhje për këtë konflikt.
Sigurisht, një pjesë e problemit është druajtja e izraelitëve që mendojnë se mund të jetojnë në një mjedis jo të sigurt për ta. Unë gjykoj se këto çështje mund të zgjidhen përmes negociatave. Negociatat duhet të jenë të besueshme, kuptimplote, të kenë ndikim dhe të çojnë në një zgjidhje përfundimtare.
CBC/Radio-Canada: Si do ta krahasonit ndikimin e Kanadasë gjatë epokës Mulroney në skenën ndërkombëtare në raport me ndikimin e sotëm?
Reiaz Shaik: Mendoj se Kanadaja nuk e vlerëson sa duhet kapitalin e saj të simpatisë në botë. Komuniteti ndërkombëtar i percepton kanadezët si një popull i civilizuar, të aftë për të zgjidhur problemet përmes negociatave jo antagoniste. Në sytë e mi, kjo është mënyra kanadeze e të menduarit dhe vepruarit.
Besoj se Kanadaja mund të bëjë më shumë në këtë drejtim në skenën botërore, veçanërisht kur marrim parasysh natyrën e konflikteve me të cilat përballemi. Ne e inkurajojmë Kanadanë të kontribuojë më shumë.
*Me bashkëpunimin e Marie Chabot-Johnson dhe Maxime Huard
Burimi: CBC/Radio-Canada
https://ici.radio-canada.ca/nouvelle/2058972/apartheid-israel-mandela-trudeau-ottawa
E shqipëroi Flasshqip.ca
Fotot : Radio-Canada / Stéphane Richer; The Canadian Press / Fred Chartrand / WM. Dekay