Kanada

Aromë atlantike - Nga Jeta Dedja

  • Published in Kanada

Shkuam dy ditë në Halifax të Nova Scotia. Një nga provincat kanadeze që shtrihet buzë Atlantikut. Banorët atje ashtu si edhe natyra dukeshin më të relaksuar e miqësorë. Bukuria e qytetit ku Atlantiku i shtrinte duart nëpër të duke krijuar një numër të madh liqenesh e burimesh argëtimi për të gjithë, më la pa frymë.

Pas sistemimit në hotel, u nisëm drejt shtëpisë së artistëve gjilanas Zeqirja dhe Bedrije Rexhepi ku ishim ftuar për darkë. Zeqa dhe Bedrija na kishin rezervuar një mikpritje të jashtëzakonshme. Të ftuar specialë, personalitete të shquar, njerëz fantastikë me histori që peshonin emocion e dhimbje, por më së shumti resiliencë dhe ngadhënjim. Ishin mysafirë surprizë.

Shtëpia e Zeqës dhe Bedrijes gumëzhinte nga biseda të ngrohta, gota që mbusheshin e zbrazeshin pa kursim dhe aroma gatimesh tradicionale që nuk u rezistoje dot. Shumë prej nesh takoheshin për herë të parë personalisht, pas vitesh miqësie virtuale, por kjo nuk pasqyroi aspak diferencë. 

Të nesërmen do të eksploronim vendet që kishim në listën “për t’u parë e për t’u bërë”. Nuk do t’i përmend të gjitha këtu meqënëse nuk është një guidë turistike kjo që po përshkruaj.

Morëm drejtimin për nga Peggy’s Cove, një nga destinacionet më të famshme turistike në rang Kanadaje, vetëm një orë larg Halifax-it. Fshati numëronte gjithsej 40 banorë, por ai vizitohej çdo vit prej gati një milion turistësh.

Fari i famshëm i ngritur aty që prej vitit 1868 shënonte hyrjen lindore të gjirit të Shën Margaretës dhe qëndronte atje mbi pllaka të mëdha shkëmbinjsh të skalitur prej valëve të oqeanit duke pritur e përcjellë mijëra turistë në muaj. Për kuriozitet atë ditë në harkun kohor prej dy orësh, 9 turistë ishin shqiptarë, mes të cilëve zysh Mira dhe inxhinier Agroni, Dr. Luli dhe familja e tij.

Mësova se historia e farit të Gjirit të Peggy-t kishte versione të ndryshme. Peggy është emër vajze shkurt për Margaret dhe fari i famshëm mund ta kishte marrë emrin nga Gjiri i Shën Margaretës aty pranë. Varianti i dytë sugjeronte se Peggy ishte një kolone e hershme. Një version popullor romantik thoshte se një grua e quajtur Margaret (Peggy) ishte e vetmja e mbijetuar nga mbytja e një anijeje aty rrotull. Pas tragjedisë ajo qëndroi në zonë dhe u martua me një nga burrat e fshatit. Njerëzit nga vendet afër thoshin: “Le të shkojmë të shohim ‘Peggy of the Cove’ dhe nuk kaloi shumë kohë e ata filluan ta quajnë vendin Peggy’s Cove”.

Duke shëtitur nëpër fshatin piktoresk të vizituar në çdo stinë të vitit me rekorde mahnitëse fotografimi, nuk kishte se si të na shpëtonte pa u vënë re galeria e artit e Neil-it, një artist simpatik i lindur në Montreal dhe i zhvendosur në moshën 6- vjeçare në Nova Scotia. Që prej asaj kohe ai na rrëfeu se nuk e kishte kapërcyer kurrë Atlantikun. Ndihej i kënaqur me gjithçka i ofronte vendi ku jetonte. Neil kishte mbi 30 vjet që punonte vetëm gjatë periudhës prill-nëntor. Pjesën tjetër të vitit e shijonte. Me ç’më tha, fitimet prej punëve të tij i mjaftonin për të jetuar mirë.

U lumturua kur e vura në dijeni se do ta përmendja në impresionet e mia mbi zonën që po vizitoja. Në shenjë mirënjohjeje, por edhe sepse ishte një artist i veçantë, na dhuroi një punim të vogël në akuarel ku përshkruhej këndi i peshkimit që shihej prej dritares të studios së tij.

-Sa e shet këtë pikturën këtu? - e pyeta për një peizazh të përmasave të mëdha.

-Hëmmmm… 3 mijë dollarë, - tha piktori. Dhe u duk sikur iu thye zemra kur i vuri asaj një çmim.

-Duket më e çmuar se kaq, - i thashë. Artistit iu bë qejfi.

Në vijim ndaluam për të fotografuar kishën anglikane të Shën Gjonit, ndërtuar në stilin gotik.

Na mori uria dhe fatmirësisht restoranti “Sou'Wester” ishte shumë pranë me farin. Aty kishte gjithashtu edhe një dyqan plot me souvenire ku fari i famshëm vinte i përshtatur në përmasa të ndryshme.

Në restorant na shërbeu një zonjë e qeshur dhe me sens të zhvilluar humori. Quhej Dianne dhe kishte 34 vjet që punonte në të njëjtin vend.

-Çfarë të ka mbajtur këtu? - e pyes.

-Mrekullia e vendit, e shijoj me gjithë shpirt çdo mëngjes e mbrëmje në këtë fshat peshkatarësh, - tha ajo. E adhuroj natyrën këtu. Shikojeni tha, - a ju iket prej këtej?

Në fakt mua nuk po më ikej, por pjesëmarrja në aktivitetin mbi 25 vjetorin e Operacionit humanitar “Parasol” të organizuar nga komuniteti shqiptar i Halifax-it ishte në fund të fundit qëllimi i udhëtimit tonë. U nisëm drejt Halifax-it me qetësinë që të japin planet e përcaktuara për të ardhmen e afërt dhe entuziazmin që të kaplon prej ideve të reja e planeve më të largëta…

© Jeta Dedja