Kanada

Gjenerale Jennie Carignan: Një grua në krye të Forcave të Armatosura Kanadeze

  • Published in Kanada

Jennie Carignan mori zyrtarisht dje në mëngjes (18.07) komandën e Forcave të Armatosura Kanadeze si Shefe e Shtabit të Përgjithshëm të trupave tokësore, detare dhe ajrore. Ceremonia, ku ishte e pranishme dhe Guvernatorja e Përgjithshme Mary Simon, në cilësinë e Komandantes së Përgjithshme të ushtrisë, u zhvillua në Muzeun e Luftës të Kanadasë në Ottawa. Carignan, e cila kishte deri tani gradën gjeneral-lejtënante, u gradua me këtë rast gjenerale. Ushtarakja e karrierës me origjinë nga Québec, bëhet kësisoj gruaja e parë në historinë kanadeze që drejton ushtrinë. Ajo ka qenë e para grua që ka komanduar një njësi luftarake në historinë e Forcave të Armatosura dhe është gjithashtu gruaja e parë që mban një post të tillë brenda G7 dhe madje ndër të gjithë vendet anëtare të G20.

Mary Simon dhe Jennie Carignan

E emëruar nga kryeministri Justin Trudeau më 3 korrik 2024, Jennie Carignan pasoi gjeneralin Wayne Eyre - në detyrë që nga viti 2021 - i cili sapo doli në pension. Para se të emërohej në postin më të lartë ushtarak, gjenerale Carignan ishte shefe e Sektorit të sjelljes dhe kulturës profesionale të ushtrisë, një pozicion i krijuar enkas pas bërjes publike në media në vitin 2021, të hetimeve për shkak të të cilave disa drejtues të rangut të lartë të emëruar para saj, u detyruan të jepnin dorëheqjen pasi u akuzuan për sjellje të pahijshme seksuale. Ky skandal e pat tronditur rëndë institucionin e ushtrisë dhe raporti hetimor tejet kritik që u hartua nga ekspertë të pavarur pati rekomanduar një ndryshim esencial të kulturës së sjelljes në radhët e saj.

Gjeneral Wayne Eire

Me origjinë nga Val-des-Sources (Québec), Jennie Carignan, nënë e katër fëmijëve, është pjestare e Forcave të Armatosura Kanadeze prej më shumë se 35 vjetësh. Ajo është diplomuar si inxhiniere ushtarake në Royal Military College Saint-Jean (Saint-Jean-sur-Richelieu, Québec). Gjatë karrierës së saj, ajo ka drejtuar dy regjimente xhenierësh si dhe Divizionin e Dytë Kanadez. Ajo ka shërbyer në Afganistan, Bosnje-Hercegovinë dhe Siri si dhe ka drejtuar misionin e NATO-s në Irak në 2019 dhe 2020. Si gjenerale brigade, ajo udhëhoqi gjithashtu edhe operacionin e ndihmës për qytetarët e Québec që u përballën me përmbytjet e vitit 2019. Carignan është dekoruar me Medaljen e Meritës në vitin 2011, me Kryqin e Meritës në vitin vitin 2021 si dhe është graduar nga Guvernatorja e Përgjithshme Mary Simon po në vitin 2021 Komandante e Urdhrit të Meritës Ushtarake.

Sipas eskpertëve të fushës, shefja e re e Shtabit të Përgjithshëm Jennie Carignan do përballet me disa sfida të mëdha dhe po e merr komandën e Forcave të Armatosura Kanadeze në një periudhë ndryshimi të kulturës së brendshme, por edhe mungese të konsiderueshme burimesh të reja njerëzore, shoqëruar kjo edhe me një përkeqësim të gjendjes së gatishmërisë luftarake të forcave. Përballë një numri më të madh të larguarish sesa të ardhurish në radhët e tyre, Forcat e Armatosura Kanadeze aktualisht kanë mangut rreth 16,000 vetë, në një kohë kur çështjet territoriale po ndërlikohen në Arktik dhe kur Kanadaja duhet të sigurojë një prani të shtuar ushtarake në Evropë, pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Në një komunikim me gazetarët pas marrjes zyrtarisht të detyrës, gjenerale Jennie Carignan deklaroi se Kanadaja aktualisht “është më shumë e ekspozuar ndaj kërcënimeve konvencionale dhe jokonvencionale të marra së bashku”. “Unë mendoj”, shtoi ajo, “se kanadezët duhet të kuptojnë se nëse nuk jemi gati, mund të mos jemi në gjendje të reagojmë siç duhet në mbrojtje të tyre”. Sipas saj duhen rreth pesë vjet për t’u përgatitur mjaftueshëm për të qenë gati për t’iu kundërvënë ketyre lloj kërcënimeve dhe Kanadaja po punon në mënyrë aktive me NORAD dhe NATO-n për t’u përgatitur si duhet.

Ndërkohë, sipas një dokumenti të brendshëm të Department of National Defence (ministria kanadeze e Mbrojtjes) që i ka rënë në dorë CBC News, vetëm 58% e Forcave të Armatosura Kanadeze janë në gjendje t'i përgjigjen një thirrjeje urgjente nga aleatët e NATO-s në rast krize, ndërsa gati gjysma e pajisjeve ushtarake të vendit konsiderohen “të padisponueshme ose të papërdorshme”. Në Kanada aktualisht Forcat Armatosura po angazhohen gjithashtu gjithnjë e më shumë për t’iu përgjigjur emergjencave të motit dhe klimës, të tilla si përmbytjet dhe zjarret në pyje.

© Flasshqip me informacion nga CBC/Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada; The Canadian Press/Justin Tang