Aktualitet

Nënshkruhet marrëveshja e pensioneve mes Shqipërisë dhe Kanadasë

Lajm i përditësuar

Ministrja kanadeze e Punëve të Jashtme Chrystia Freeland përmes një njoftimi në Facebook bën me dije se bashkë me Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Ottawa Ermal Muça kanë firmosur marrëveshjen e sigurimeve shoqërore. Kjo marrëveshje do të mundësojë për shqiptarët që jetojnë në Kanada njohjen e viteve të punës në Shqipëri gjë që do të ndikojë në përllogaritjen e masës së pensionit.

Kjo është një arritje e konsiderueshme për diplomacinë shqiptare sepse është e para marrëveshje që nënshkruhet mes dy vendeve gjatë 30 viteve të marrëdhënieve diplomatike. Gjithashtu vlen t’i atribuohet merita edhe ambasadorit Muça i cili në dy vitet e mandatit të tij në Kanada ka arritur të realizojë takime funksionale në dobi të komunitetit shqiptaro-kanadez. Nuk mund të lihet pa përmendur dhe kontributi i dy ambasadorëve paraardhës, Besnik Konçi dhe Elida Petoshati, si dhe i gjithë atyre që punuan për këtë marrëveshje që nga momenti i parë i fillimit të negociatave.

Siç na bën me dije zyra e Ambasadës shqiptare në Ottawa, krahas marrëveshjes për sigurimet shoqërore mes dy vendeve është nënshkruar edhe Rregullorja administrative ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë së Shqipërisë dhe Departamentit të Punësimit dhe Zhvillimit Social të Kanadasë.

Nga nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje do të përfitojnë rreth 60 mijë shtetas shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Kanada. Nënshkrimi përfundimtar i saj erdhi pas një periudhe të gjatë negociatash për njohjen reciproke të skemave të sigurimeve shoqërore dhe hartimit të marrëveshjeve administrative, duke nisur që prej vitit 2013-thuhet në njoftimin e Ministrisë shqiptare të  Financave dhe Ekonomisë.

Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje të rëndësishme për shqiptaro-kanadezët ka reaguar me një status në rrjetet sociale edhe deputetja liberale Julie Dabrusin, e cila ka qenë politikania që ka lobuar fuqishëm për arritjen e kësaj dite.

Sipas Dabrusin, kjo marrëveshje do të mundësojë koordinimin e përfitimeve nga kontributet shoqërore për qytetarët që kanë jetuar ose punuar në të dy vendet.

Duke u njohur kontributi i punës në të dy vendet, do t’i ndihmojë të kualifikohen për përfitime sipas kategorive që u përkasin në sistemin e pensioneve të secilit vend. Do të thotë se puna e tyre do të njihet, vlerësohet dhe respektohet.

Sipas deputetes Julie Dabrusin e njohur për mbështetjen e saj ndaj komunitetit shqiptar, kjo marrëveshje do të bëjë të mundur inkurajimin e mobilitetit të punonjësve dhe nxitjen e rritjes së tregtisë dhe investimeve midis Shqipërisë e Kanadasë duke ulur kostot operative për kompanitë aktive në territorin e dy vendeve.

Ndërkohë sot me rastin e 1 Majit, Ministria shqiptare e Ekonomisë dhe Financave shpall në faqen e saj zyrtare online njoftimin për nënshkrimin e marrëveshjes “Për Mbrojtjen Shoqërore mes Shqipërisë dhe Kanadasë si edhe Rregullores Administrative”.

Po cili është qëllimi i kësaj marrëveshjeje? A duhet të entuziasmohemi apo jo? Sipas shpjegimit të zyrtarëve shqiptarë kjo marrëveshje do të shmangë mbulimin e dyfishtë për të njëjtën periudhë dhe bashkimi i periudhave të sigurimit të realizuara në dy vendet. Në bazë të marrëveshjes asnjë qytetar nuk do të humbasë asnjë ditë kontribute, pavarësisht se ku ka punuar, pasi bashkimi i periudhave do të bëjë të mundur plotësimin e kushteve ligjore për përfitimin e pensionit në të dy vendet.

Gjithashtu, pjesë e kësaj marrëveshjeje është edhe eksporti i pensioneve, që do të thotë që pensioni do t’ju paguhet qytetarëve shqiptarë në vendin që do të zgjedhin të jetojnë. Kështu, shtetasit shqiptarë do të kenë mundësi që të marrin pensionin kanadez edhe nëse zgjedhin të jetojnë në Shqipëri, duke mos humbur asnjë të drejtë.

Ambasada Shqiptare në Kanada dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore do të jenë të gatshëm të asistojnë me informacion komunitetin e interesuar shqiptar të Kanadasë në lidhje me procedurat e mëtejshme për njohjen e kontributeve.

©FlasShqip