Emigracion

Vizat e studimit në Kanada, avokati Gjergji Hasa: Si të aplikoni, sa kushton ndjekja e studimeve

Aplikimi për të vijuar studimet është një nga format legale dhe nga procedurat më të sigurta për të emigruar në Kanada. Avokati Gjergji Hasa tregon në intervistën e rradhës për “Flasshqip.ca” se çfarë kriteresh duhet të plotësojë një aplikant nga Shqipëria për të pasur mundësi të udhëtojë drejt Kanadasë. Ai jep gjithashtu detaje se si mund ta tërheqë familjen aplikuesi, ndërkohë që tregon me shembuj konkretë edhe se sa është kostoja e studimeve për një student gjatë periudhës së shkollimit.

Intervistoi: Adi Shkëmbi

A mund të aplikojnë studentët shqiptarë për të vijuar studimet në Kanada?

Aplikimi për leje studimi është aplikimi më i preferuar për mua si avokat sepse është mënyra më e sigurt për shtetasit shqiptarë që të arrijnë të marrin rezidencën kanadeze pas studimeve. Janë dy arsye kryesore: e para, koha për të marrë një vizë studimi është tepër e shkurtër për aprovim. Mund të zgjasë 2-3 javë nga momenti i futjes së aplikimit deri te momenti i marrjes së përgjigjes. Arsyeja e dytë pse e preferoj më shumë këtë, është se për aplikimet për rezidencën e përhershme në Kanada, lejet e studimit plotësojnë shumë kushte dhe ka programe të posaçme drejt rezidencës së përhershme. Provincat e Kanadasë dhe Qeveria Federale kanë krijuar programe të posaçme për të favorizuar studentët e huaj që kryejnë studime në Kanada. Tashmë dihet që Kanadaja ofron programe cilësore studimesh, dhe vetë politikat e qeverisë janë të orientuara drejt mbajtjes në Kanada të atyre që kryejnë studimet këtu.

Cilat janë kushtet dhe kriteret që duhet të plotësohen për të aplikuar për lejen e studimit?

Në aplikimet për leje studimi në Kanada, aplikanti duhet të plotesojë kushtin e rezidentit të përkohshëm në Kanada. Ideja kryesore që qëndron pas kriterit rezident i përkohshëm është të japësh prova se mund të kthehesh në vendin e lindjes në fund të studimeve. Me pak fjalë çdo aplikant duhet të jetë bindës përpara agjentit të emigracionit që në fund të studimeve apo në përfundim të kontratës së punës, aplikanti do të kthehet në vendin e lindjes. Agjentët janë në dijeni që ka programe për të marrë rezidencën e përhershme por në momentin e aplikimit për vizë studimi duhet që agjenti të bindet që aplikanti do kryejë studimet në Kanada dhe pastaj do të kthehet. Këtë kërkon ligji. Dhe si i argumentohet kjo agjentit të emigracionit? Ata shohin nëse aplikanti ka udhëtuar jashtë Shqipërisë. Sa më shumë të ketë udhëtuar jashtë aq më e fortë është prova që i ka respektuar ligjet e shteteve të tjera të huaja. Kjo pikë është në favor të aplikantit në këtë rast. Për shembull, dikush që ka një vizë amerikane e plotëson lehtë këtë kriter. Kriter i dytë është statusi që ka në vendin ku ndodhet (qytetar rezident ose emigrant). Në qoftë se është aplikues me banim në Shqipëri është pikë pozitive, por në qoftë se është jashtë Shqipërisë dhe nuk është shtetas në atë vend mund të jetë pikë negative. Pra më konkretisht nëse është në Itali ose Greqi dhe është pa dokumenta, kjo është në disfavor të aplikuesit. Kriter i tretë është lidhja familjare në Kanada dhe në vendin e lindjes. Në qoftë se është i martuar me fëmijë në Shqipëri dhe aplikon të vijë dhe të kryejë studimet në Kanada vetëm, kjo pikë do ishte favorizuese sepse kuptohet që familjen e ka në Shqipëri dhe mendohet që do kthehet. Por nëse gruan dhe fëmijët i ke azilkërkues ose pa status në Kanada, kjo ështe në disfavor të aplikantit. Kriter tjetër është për sa kohë kërkon të qëndrosh në Kanada. Nëse studimet janë 1-2 vjeçare nuk mund të kërkosh të rrish 3 vjet në Kanada. Qëllimi i vizitës është një tjetër kriter. Me këtë aplikim dërgohet një “letter of intent” (letër qëllimi), ku aplikanti duhet të shkruajë pse po studion në atë fushë, pse në atë Universitet apo Kolegj dhe pse në Kanada. Kontributi i zyrës tonë në këtë pjesë është kyç dhe tepër i rëndësishëm sepse duhet të nxjerrim në pah sukseset e aplikantit duke zhvilluar planet e të ardhmes në lidhje me programin shkollor. E shkuara e kandidatit me të tashmen dhe me të ardhmen duhet të kenë një lidhje së bashku. Nuk mund të kesh kryer studime për Ekonomi në Shqipëri dhe të duash të vish të studiosh për avokat në Kanada. Gjendja aktuale e punësimit në vendin e lindjes është një tjetër kriter. Në qoftë se dikush ka kryer financat në Shqipëri dhe punon në Bankë dhe dëshiron të bëjë masterin në të njejtën fushë studimesh në Kanada, ai e plotëson këtë kriter sepse është në gjendje pune në Shqipëri, dhe duket që nuk e ka problem të gjejë punë në vendin e lindjes. Ose e kundërta, nëse dikush i ka kryer studimet dhe është pa punë kjo pikë mund të përdorej kundër aplikimit të kandidatit. Sa më i kompletuar në Shqipëri të jetë aplikanti aq më shumë mundësi ka aplikimi për t’u pranuar.

A ka ndryshim se cilin program shkollor mund të zgjedhin studentët shqiptarë që të arrijnë në fund të studimeve të marrin residencën e përhershme?

Programi shkollor që zgjedhin është shumë i rëndësishëm dhe kjo për dy arsye kryesore: e para programi që zgjedhin duhet të ketë lidhje me të kaluarën arsimore të aplikantit dhe e dyta programi duhet të jetë mjaftueshëm i gjatë në kohë dhe nga një institucion i përzgjedhur (Designanted learning institution) nga Ministria e Emigracionit. Në qoftë se këto kritere nuk plotësohen, aplikanti nuk do ketë mundësi të aplikojë për rezidencë të përhershme në fund të studimeve. Sa i përket kohëzgjatjes së programit, me një program studimi 6 mujor nuk mund të aplikosh për rezidencë në të ardhmen, në të kundërt një program minimalisht një vit e gjysëm mund të jetë i mjaftueshëm për tu futur në procedurat favorizuese provinciale ose federale për të marrë rezidencën e përhershme të Kanadasë.

Çfarë procedure duhet të ndjekin ata që duan të studiojnë në Kanada?

Procedura quhet aplikim për leje studimi. Në qoftë se shkolla ndodhet në Kebek duhet edhe çertifikata e pranimit të Kebekut që është një aplikim tjetër. Duhet letra e pranimit nga Universiteti apo Kolegji gjithashtu, si dhe mundësia financiare për të paguar studimet dhe për të mbuluar jetesën në Kanada. Së bashku me pikat që përmendëm më sipër në lidhje me statusin e përkohshëm.

A ka ndryshim se në cilën provincë studiojnë aplikantët? Cilat janë avantazhet dhe disavantazhet e secilës provincë?

Ndryshimi më i madh është nëse studiojnë në Kebek apo në provincat jashtë Kebekut. Nëse studiojnë në provincën e Kebekut dhe programi plotëson kushtet e një programi shkollor që favorizohet nga ministria e emigracionit të Kebekut, atëherë studentët kanë një procedurë të posaçme që mund të ndjekin për të aplikuar për rezidencën e përhershme. Rëndësia e kësaj lehtësie vihet re në krahasim me provincat e tjera të cilat i detyrojnë studentët që të bëhen pjesë e programit të “Express Entry” ku ata do të jenë në një “pishinë” me aplikantë të tjerë ku do të përzgjidhen më të mirët. Kebeku i jep një garanci më të madhe studentëve që plotësojnë kushtet për të marrë rezidencën kanadeze.

Gjuha e huaj është kusht për tu kualifikuar për aplikimin në universitetet kanadeze. Cili prej provimeve është më favorizues, IELTS, TOEFL apo TEFAQ?

Rezultatet e një provimi gjuhë nuk janë të detyruara, pra nuk është nevoja që të kesh kaluar me patjetër këto provime që të aprovohet leja e studimit. Por duhet të ketë një provë në dosje që aplikanti ka njohuri mesatare ose të mjaftueshme për të kaluar klasat. Për shembull dikush që do të bëhet mekanik ose kuzhinier në Kanada nuk i nevojitet niveli i lartë i anglishtes ose i frëngjishtes. Por megjithatë nëse dikush ka provë që ka kryer studime në anglisht ose frëngjisht kjo provë do te ishte e mjaftueshme për t’i mbushur mendjen agjentit të emigracionit që ka mjaftueshëm njohuri për të vijuar studimet në Kanada.

Mesatarisht sa është kostoja për një vit studimi për studentët shqiptarë?

Në Amerikën e Veriut shkollimi quhet investim dhe pritet që çdo student qoftë kanadez apo i huaj të paguajë studimet e tij. Quhet investim sepse në fund të studimeve pritet që studenti me këto studime që ka kryer të dalë në tregun e punës dhe të fitojë të ardhura. Normalisht, në një shtet si Kanadaja ku studimet japin rezultate karriere, një student duhet të kontribuojë financiarisht në shpenzimet që ka shteti për t’i shkolluar. Një student kanadez subvencionohet me një përqindje nga shteti, kurse një student i huaj nuk subvencionohet nga shteti dhe për këtë arsye çmimet janë më të larta për studentët e huaj sesa për kanadezët por niveli i lartë i shkollimit i përket të dyve. Në qoftë se një rezident në Kebek për të kryer studimet universitare paguan 8 mijë dollar në vit, një student nga provincat jashtë Kebekut megjithëse brenda Kanadasë, paguan dyfishin dhe studenti që vjen nga jashtë Kanadasë paguan trefishin. Në Kanada ka edhe programe trajnimesh profesionale (jo universitare) të cilat janë me një kosto më të ulët se universitetet, duke filluar mesatarisht nga 15 mijë dollarë për program që mund të zgjasë një vit e gjysmë. Nga këto programe mund të përfitohet rezidenca e përhershme në të njëjtën mënyre që mund përfitohet edhe nga plotësimi i një “bachelor” në universitet.

Përveç kostos së studimeve është edhe ajo e jetesës. A mund të bëjmë një përllogaritje të përafërt? Në momentin që mbërrijnë në Kanada dhe fillojnë studimet, a kanë të drejtë të punojnë studentët shqiptarë?

Rregullorja e emigracionit kërkon që çdo kandidat të ketë të disponueshëm rreth 12 mijë dollar në vit për të mbuluar koston e jetesës. Çdo student ka të drejtë të punojë 20 orë në javë që me rrogën minimale në Ontario që është 14 dollarë ora e punës, i bie të ketë të ardhura javore 280 dollarë (minus taksat rreth 30 dollarë), pra rreth 1 mijë dollarë muaji përafërsisht. Përveç kësaj, katër muaj në verë nga maji deri në gusht mund të punojë me kohë të plotë për të mbuluar një pjesë të studimeve duke kursyer.

Nëse ata pranohen për të vijuar studimet, mund t’i tërheqin familjarët në Kanada?

Patjetër që nëse aplikuesi pranohet në Universitet apo Kolegj dhe merr lejen e punësimit mund ta tërheqë familjen. Bashkëshortja (në rastin kur bashkëshorti është aplikuesi kryesor) dhe fëmijët e një aplikanti mund të aplikojnë më vonë për të marrë leje pune të hapur (bashkëshortja) dhe vizë turistike fëmijët për ta shoqëruar familjarin e tyre që ka lejen e studimit në dorë. Vlen për tu theksuar se fëmijet deri në moshën 16 vjeç kanë të drejtë të shkollohen në Kanada me të njëjtat të drejta si qytetarët kanadezë dhe pa qenë e nevojshme të aplikojnë për leje studimi.

Ndërkohë që mbarojnë studimet, çfarë procedure duhet të ndjekin studentët shqiptarë për të marrë rezidencën e përhershme dhe më pas Pasaportën?

Është e rëndësishme për tu theksuar se aplikuesit duhet të kenë përzgjedhur që në fillim një program që t’u hapë dyert për rezidencën e përhershme. Çdo student që kryen studime që zgjasin 8 muaj ose më shumë, ka të drejtën që të marrë leje pune të hapur (post graduation work permit) për të punur në Kanada dhe për të testuar tregun. Dhe pas një viti pune në Kanada, aplikuesit mund t’i hapen dyer të tjera për të aplikuar për rezidencën e përhershme. Procedura për të marrë pasaportën, është e njëjtë në të gjitha rastet, duhet të qëndrosh në Kanada 3 vjet në 5 për të aplikuar për nënshtetësinë kanadeze.

©Flasshqip.ca