Discovery

Poeti franko-kanadez Emile Nelligan - Nga Flurans Ilia

Emile Nelligan lindi më 24 dhjetor 1879 në Montreal. Në moshën 16 vjeç publikon poezinë e parë. I portretizuar si “fëmijë i mbyllur dhe i eklipsuar tërësisht nga poezia” është një nxënës me nota të dobëta në shkollë. Ndikimet e para janë klasikët Millevoye, Lamartine, Musset, gjersa zbulon poezinë e Verlaine, Baudelaire, Rodenbach.

Pasi është përjashtuar nga një sërë seminaresh me disiplinë fetare, më në fund pranohet në Shkollën Letrare të Montrealit fal talentit të tij. Përgjatë adoleshencës së hershme është i portretizuar nga institucionet shkollore si “një tip i krisur”. Nga njëra anë fjalët e serta të babait “Ti nuk vlen për asgjë!” duke ia hedhur në zjarr dhe djegur poezitë, dhe nga ana tjetër, zëri i nënës, duke e shndërruar frëngjishten gjuhën në të cilën përzgjodhi të shkruante në një imazh poetik.

Përkundër mentalitetit të epokës “ky i ri i krisur përflitet se ka marrëdhënie me një zezake”. Asgjë nuk është e dokumentuar përveç karakterit idilin me të cilin gruaja ka hyrë në universin e tij poetik. Gjersa me kërkesën e babait më 9 gusht 1899, në moshën 20 vjeç, poetin e mbyllin në azil psikiatrik me diagnozën “I degjeneruar mendërisht. Çmenduri polimorfe. Skizofreni e pashërueshme”.

Nelligan kaloi 42 vite nëpër azile psikiatrike gjersa vdiq më 18 nëntor 1941. Njësoj si në vargun i tij “Ku farëzohen dyshimet e porsaçelura të pemëve” rreth viteve 1960, interesi ndaj tij tërheq vëmendjen e krijuesve të rinj franko-kanadezë të cilët shohin te Nelligan “poetin që kreu kapërcimin e poezisë franko-kanadeze nga forma klasike te ajo moderne”.

Në vitin 1991, me rastin e 50 vjetorit të vdekjes, përmblidhet dhe botohet për herë të parë vepra e tij e plotë.

Emile Nelligan, sikur Arthure Rimbaud, krijoi përgjatë viteve të rinisë së hershme. Pjesa tjetër e jetës ngelet një luftë e vazhdueshme me demonët e tij. Konsiderohet si një nga lirikët më të mëdhenj të poezisë frankofone në Kanada.

 

Romanca e verës

Krenari e gjelbër e qeshura jetësore përzihet

O netë të bukura të majit! Në kor zogjtë

Në zemër shpresat ripërtërihen

Formojnë preludin e tyre në guvën time

 

O netë të bukura të majit! Mbrëmje të lumtura

Një organo shkreptin tej një të trishtë melodi

Dhe rezet e diellit, sikur shpata ngjyrëvjollcë 

Çapojnë zemrën e ditës që vdes e parfumuar

 

Jam krenar! Krenar jam! Brenda kristalit që këndon

Shtir, më shtjer verë! mbushe akoma edhe çdoherë

Të mund të harroj trishtimin e ditëve

Nga krenaria e shpifur tallava e turmave!

  

Jam krenar! Krenar jam! Rroftë vera dhe Arti

Ëndrra kam të shkruaj vargje prej vërteti

Vargje të mbushura me muzikë funebër

Erërash vjeshtuke nëpër mjegull duke baritur

 

Mbretëria e të qeshurës së hidhur dhe tërbimit

Të njohësh poetin dhe gjësendin e matur

Të njohësh zemrën dhe të mos jesh i kuptuar

Veç nga qartësia e hënës e muzgu portokalli

 

Gra! Këtë dolli për ju kur qeshni te sokaku ku epshi

Më thërret duke hapur krahët si petale trëndafili

Këtë dollinë tjetër për ju, burra me balle të zymtë

Që dorën ma keni shtrirë e dinjitet më keni dhënë

 

Ndërkohë që e gjithë e kaltra yjëzohet madhërisht

Dhe një himn merr zë në ndriçim të ri

Mbi kapitullimin e ditës për të cilën nuk qahem

Unë që eci në terr mbi rininë time ngjyrë gri

 

Jam krenar! Krenar jam! Rroftë mbrëmja e majit

Çmendurisht kryelartë, i dehur pa qenë aspak

Është gjithë çka jam lumturisht jetuar përfund

A është shëruar duke dashuruar zemra ime?

 

Këndojnë kambanat flladin mbathur me ar

Ndërkohë vera buron me rrekëza lumturish

Jam krenar, në të qeshurën me zë të plotë

Kaq krenar sa kam frikë të shpërthej në lotë

 

(E shqipëroi Flurans Ilia)

Fotot Flurans Ilia