Komunitet

Montreal, 6 tetor 2024: Prezantohet libri i Ilir Ikonomit “Fan Noli - Apostulli”

  • Published in Komunitet

Pas aktivitetit të suksesshëm në Toronto (8 qershor 2024) mbi librin e tij të fundit kushtuar figurës poliedrike të Fan Nolit, Ilir Ikonomi, gazetari dhe publicisti i mirënjohur poliglot i Radio-Tiranës dhe Zërit të Amerikës do të vijë sërish në Kanada. Kësaj radhe në metropolin frankofon, Montreal, ku “Apostulli” do t’i paraqitet komunitetit shqiptar në një nga sallat e Bibliotekës së Madhe në qendër të qytetit. Përveç prezantimit të librit, Ikonomi do të shfaqë dhe dokumentarin e tij “Ëndrra e Fan Nolit”.

Organizatore e takimit është Shoqata Kulturore Shqiptare Montreal e cila ka publikuar në faqen e saj në internet https://albculture.ca/ ftesën e mëposhtme ku ndër të tjera shkruhet:

Në datën 6 tetor 2024, nga ora 11 paradite deri në orën 3 pasdite, autori Ilir Ikonomi do të prezantojë librin e tij më të fundit “Fan Noli-Apostulli” në Grande Bibliothèque et Archives Nationales du Québec, salla M.450.

Ftojmë të gjithë të apasionuarit e kulturës, historisë dhe literaturës shqiptare të na bashkohen. Evenimenti është falas, por vendet janë të limituara, ndaj jeni të lutur të bëni një rezervim për të marre pjesë duke klikuar këtu:

https://albculture.ca/index.php/2024/09/11/ilir-ikonomi-prezanton-librin-e-tij-me-te-fundit-ne-montreal-2/

Adresa: 475, boulevard de Maisonneuve Est, Montréal (QC) H2L 5C4

Libri “Apostulli” shoqërohet me një parathënie të shkruar nga historiani i mirënjohur amerikan Bernd Fischer dhe është i pajisur me shënime në fund të faqeve, me fotografi dhe me një tregues emrash. Në kapitujt e tij përshkruhet Fan Noli në periudhën nga arritja e tij në Amerikë më 1906 e deri në vitin 1920, kur ai largohet për në Shqipëri. Gjatë kësaj kohe Noli themeloi Kishën Shqipe, Shoqërinë “Besa-Besë”, gazetën “Dielli” dhe, bashkë me Faik Konicën e të tjerë, krijoi Federatën “Vatra”, e cila do të shërbente si një qeveri shqiptare në mërgim.

Ja si është shprehur vetë autori për veprën e tij të fundit pas publikimit:

"Në libër do të gjeni fakte të reja për Nolin, njërin prej shqiptarëve më të ditur dhe më interesantë që kanë ekzistuar ndonjëherë. Çdo e dhënë është rreptësisht e dokumentuar. Për të shkruar librin kam bërë kërkime në shumë arkiva e biblioteka dhe jam këshilluar me historianë e specialistë të tjerë. Koha që pasqyron ky vëllim nuk ishte aspak një fushë e gjelbër pikniku, por një shesh beteje, ku Noli jo domosdo gëzonte mbështetjen e të gjithëve. Jam përpjekur që lexuesi të mos e shijojë librin si një fotografi, por si një film, ku personazhet debatojnë, përplasen, rrëzohen e ringrihen".

Në një shënim të paradokohshëm dedikuar “Apostullit”, kryeredaktorja e Flasshqip Jeta Dedja shkruan ndër të tjera:

"Ikonomi vjen më i sprovuar si studiues në këtë publikim për Nolin… Libri është i organizuar në 6 kapituj, sipas kronologjisë së ngjarjeve që prej 1906 deri në 1920, duke e lehtësuar lexuesin në mbajtjen e vëmëndjes dhe zhvendosjen në kohë… Figura e Nolit vendoset në mjedisin e Shqipërisë dhe shqiptarëve të kohës dhe personaliteti i tij ravijëzohet faqe pas faqeje. Kështu lexuesi mund të arrijë të krijojë imazhin e qartë e të plotë të Nolit si themelues i Kishës shqiptare, mbrojtës të gjuhës shqipe, lider, diplomat, poliglot, mjeshtër i fjalës dhe i penës, publicist, përkthyes, orator i pashoq, lobues i paepur i çështjes shqiptare, patriot i pashembullt. Noli i dyshuar si agjent, viktimë intrigash, zilish, xhelozish shqiptarësh ambiciozë. Noli i etur për pushtet, zemërak e hakmarrës. Noli shmangës detyrimesh e narcizist. Nuk mund të mos vësh re sesa vlerësim të lartë kish Noli për veten duke besuar se ishte special e superior në krahasim me gjithë të tjerët, sa varfërisht reagonte ndaj kriticizmit e sa impulsiv ishte në sjellje. Ndoshta sepse që në fëmijëri Nolit i ishin prezantuar tri figura të cilat ai duhet dhe do t’i kishte etalonë dhe udhërrëfyes në jetën e tij. Çfarë do të bënte Napoleoni, Skënderbeu apo Jezusi në këtë rast? - pyeste Noli veten sa herë që ndeshte një pengesë apo dilemë. E pra edukimi me pritshmëri të standardit kaq të lartë dhe të dimensioneve përtej njerëzores do të çonin pa dyshim në formimin e një personaliteti kompleks e shumëplanësh si ai i Nolit. Autori me mjeshtëri paraqet fakte historike duke iu ruajtuar mbajtjes së qëndrimit personal, edhe pse diku mund të ndihet ndonjë notë e kujdesshme kritike a interpretimi. Është e vështirë të ruash neutralitet kur shkruan histori, e megjithatë Ikonomi ia arrin me sukses. Ai madje ka një meritë tjetër nga pikëpamja akademike, pasi aty këtu me ndërhyrjet e tij shpjeguese nxit të menduarin kritik. Lexuesi mbahet i mbërthyer gjatë gjithë kohës duke bërë pyetje e duke dyshuar, analizuar e interpretuar gjithmonë duke përballur informacionin e sapo marrë me atë të vjetrin të skalitur prej vitesh në memorie. Libri diku të bën ta admirosh Nolin, e diku tjetër të bën ta gjykosh atë, sepse Noli ishte i jashtëzakonshëm në guxim dhe angazhim. I papërtuar për të arritur. Talent dhe burimplotë. Nuk ia përtonte qesëndive publike për kundërshtarët, dhe e kishte të vështirë të hiqte dorë nga bindja e vet apo të hapte rrugë, sepse ai besonte që ishte në anën e të vërtetës dhe të së drejtës".

Ardhja e Ilir Ikonomit në Montreal është padyshim një moment kulmor në jetën kulturore të komunitetit shqiptar në provincën frankofone kanadeze. Ikonomi është një autor me merita të jashtëzakonshme në përshkrimin me fakte të dokumentuara të disa prej figurave më të rëndësishme të historisë së Shqipërisë qysh nga periudha e Pavarësisë.

© Flasshqip.ca