Komunitet

Shoqata Iliria-Saskatchewan, model bashkëpunimi komunitar

  • Published in Komunitet

Bisedë me Lejdi Ago, kryetar i Shoqatës Shqiptare “Iliria”, Regina-Saskatchewan

Kur erdhi në Kanada për herë të parë në vitin 2014 sëbashku me bashkëshorten, ai ndoshta nuk e kish parashikuar ende si do të rridhte jeta e tij prej emigranti. Por për një gjë ishte i sigurt. Po nisej drejt një vendi të panjohur për të, pa ndjerë pasiguri. Kishte bërë zgjedhjen e duhur për dy arsye: kish zgjedhur vendin klasik të formuar prej brezash emigrantësh të ardhur nga të katër anët e globit, vend me cilësi jete të garantuar, si dhe do të gjente aty anëtarë të tjerë të familjes të ardhur më parë. Pra një derë të hapur që ditën e parë.

Kështu e nis bisedën me ne Lejdi Ago, kryetari i ri, i zgjedhur para pak javësh, i Shoqatës Shqiptare “Iliria” në Regina të provincës Saskatchewan. Juristi pogradecar, i diplomuar në Universitetin e Europës Jug-Lindore, sot punon si Financial Advisor për kompaninë e njohur “Sun Life Financial”. Saskatchewan, është një nga provincat e perëndimit kanadez me sipërfaqe gati 652.000 km² dhe popullsi rreth 1,1 milionë banorë. Ekonomia e provincës bazohet kryesisht tek agrikultura dhe industria pyjore, por edhe tek prodhimi i gazit natyral dhe naftës, Madje për këto dy produkte, Saskatchewan renditet e dyta pas Alberta-s. Në kryeqytetin Regina me 190.000, jeton një komunitet shqiptar diku rreth 600 vetë, ndërsa në rang province numërohen rreth 2000 të tillë. Dhe biseda me Lejdin rrjedh krejt natyrshëm. Në fjalët e tij ndihet pozitiviteti dhe përkushtimi për atë që bën çdo ditë, si profesionist, por edhe si intelektual i angazhuar brenda komunitetit të origjinës.

FlasShqip: Aktualisht në Saskatchewan jeton një komunitet shqiptar i vendosur prej disa vitesh. A mund të jepni një informacion rreth numrit dhe gjeografisë së origjinës apo vendosjes aty?

Lejdi Ago: Së pari ju përgëzoj për punën dhe përpjekjet tuaja për të qenë sa më pranë komunitetit shqiptar si media në gjuhën shqipe, pavarësisht se ku gjendemi.

Shqiptarët e parë të ardhur në Saskatchewan, në bazë të informacioneve që kemi, janë vendosur në Regina. Familjet e para kanë ardhur nga Kosova nga mesi i vitit 1999 për shkak të luftës. Nuk kemi një numër të saktë të bashkëkombasve që momentalisht jetojnë në Regina, por mendohet të jenë rreth 600 dhe afro 2000 në gjithë provincën. Ka ndodhur një përzierje mjaft frytdhënëse e trevave shqiptare prej të cilave vjen secili prej nesh. Qytete të tjera ku jetojnë shqiptarë janë Saskatoon, Moose Jaw, Fort Qu’Appelle dhe Prince Albert.

FlasShqip: Sa i integruar është aty komuniteti shqiptar dhe në cilat fusha profesionale?

Lejdi Ago: Siç mund ta dini, procedura për t’u pajisur me dokumenta në provincën ku ne jetojmë, është pak më e thjeshtë, krahasuar me provincat e tjera dhe kjo është një ndër arsyet kryesore për shumicën prej nesh, ashtu si edhe për mua, që në momentin e mbërritjes tendenca është shërbimi dhe kryesisht restorantet. Për t’u nënvizuar është se, me kalimin e kohës, shqiptarët vlerësohen për seriozitet dhe korrektësi nga punëdhënësit, çka ka ndihmuar dhe në arritjet në karrierë të një pjese të mirë të tyre. Ata sot mund të gjenden edhe në drejtimin e dyqaneve, restoranteve, në fushën e ndërtimit, sistemin bankar, kompani sigurimesh, në shkolla dhe universitet, punonjës në shtet si dhe sipërmarrës në biznese të ndryshme. Pa ndrojtje e them se sipas mendimit tim, shqiptarët janë të aftë të integrohen kudo.

FlasShqip: Sapo jeni zgjedhur kryetar i Shoqatës “Iliria” … si do ta përshkruanit historikun e saj që nga krijimi? Cilat janë aktivitetet? Po planet për të ardhmen?

Lejdi Ago: “Iliria” është themeluar në vitit 2015 dhe ekziston si rezultat i kontributit të secilit prej shqiptarëve që jetojnë kryesisht në Regina por edhe në Saskatoon, Moose Jaw, Fort Qu’Appelle dhe Prince Albert. Fillimi ka qenë i vështirë dhe këtu gjej rastin të falenderoj kryesinë paraardhëse të shoqatës dhe të gjithë personat e angazhuar, për kontributin e dhënë në formimin e saj dhe për përpjekjet për ta mbajtur atë aktive, si dhe veçanërisht për hapjen e një klase ku mësohet gjuha shqipe.

Aktivitetet kryesore ku edhe pjesëmarrja është më e madhe vazhdojnë të jenë Festa Kombëtare, 28 Nëntori, si dhe ajo e Pavarësisë së Kosovës.

Momentalisht jemi duke punuar dhe shumë shpejt do të fillojmë një fushatë të quajtur “I’m albanian, let’s grow together” (Unë jam shqiptar, le të rritemi së bashku), qëllimi i së cilës është angazhimi në aktivitete të ndryshme vullnetare të komunitetit tonë këtu në mënyrë që të jemi sa më aktive në qytet dhe Provincë, të kemi mundësi të përcjellim vlerat tona dhe provojmë integrimin tonë në shoqërinë kanadeze.

Duke gjetur mbështetje nga mjaft bashkëkombas, jemi angazhuar për të asistuar shqiptarët e porsaardhur në Regina me nevojat fillestare dhe për t’u qëndruar atyre pranë në momentet e para të mbërritjes këtu.

FlasShqip: A ekziston bashkëpunimi me shoqata të tjera shqiptare në Kanada?

Lejdi Ago: Kemi vendosur kontakte me shoqatat shqiptare në qytete dhe Provinca të tjera nga lindja në perëndim dhe jemi duke shkëmbyer ide edhe eksperienca me disa prej tyre. Jemi duke diskutuar mundësinë e një bashkëpunimi për organizimin e disa eventeve sidomos me shoqatat në Alberta (për shkak të afërsisë gjeografike që kemi me ta dhe shpresojmë që do të arrijmë një rezultat pozitiv.

FlasShqip: Së fundi ka një lëvizje të re nga ana e shteteve shqiptare në raport me Diasporën. Është miratuar dhe legjislacion në këtë fushë … Cili do të ishte komenti juaj?

Lejdi Ago: Kryesisht nëpërmjet Flasshqip.ca kam ndjekur informacione dhe lajme për ligjin në fjalë. Nga ana jonë ne mbështesim fort dhe jemi të gatshëm të bashkëpunojmë për çdo iniciativë nga Ministri i Shtetit për Diasporën si dhe Ambasadat e Shqipërisë dhe Kosovës këtu në Kanada.

Gjithsesi, më lejoni të jem i sinqertë dhe ky është mendimi im personal: Deri më sot edhe pas përpjekjeve për bashkëpunim reagimi nga institucionet tona në gjykimin tim nuk është në nivelin e duhur, përjashtoj këtu Ambasadën e Kosovës e cila ka qenë pranë nesh duke mbështetur një nismën tonë. Shpresoj të ketë më shumë lëvizje në këtë drejtim. Iniciativat tona për të lobuar dhe promovuar vlerat, kulturën dhe figurat historike shqiptare nuk do të jenë po aq frytdhënëse sa do të ishin me mbështetjen e qeverisë dhe institucioneve të vendeve tona. Përsëris se ne jemi të gatshëm për cdo iniciativë që fillon nga insitucionet tona.

FlasShqip: Është hedhur gjithashtu ideja për të krijuar një forum të përbashkët bashkëpunimi të shoqatave shqiptare në Kanada, “Kongresin Shqiptaro-Kanadez”. A e shihni me vlerë një iniciativë të tillë?

Së fundmi kam marrë vesh se po punohet për këtë iniciativë dhe mendoj se gjithmonë e më tepër po bëhet i nevojshëm krijimi i këtij Kongresi. Numri i shoqatave shqiptare në Kanada është rritur. Gjithashtu edhe pesha e shqiptarëve në shoqërinë kanadeze sa vjen e rritet. Bashkëpunimi mes shoqatave do të kishte një ndikim të dukshëm në arritjen e qëllimeve dhe promovimin e vlerave të kombit tonë në Kanada. Besoj që drejtuesit dhe të gjithë anëtarët e shoqatave shqiptare do e mbështesin nismën në fjalë.

 @FlasShqip.ca