Komunitet

Kanada: Zyrtarizohet shumica e propozimeve për Këshillin e Diasporës

  • Published in Komunitet

Vetëm dy shoqata në Toronto janë ende në proces diskutimi ...

Sipas informacioneve të konfirmuara që kanë mbërritur në redaksinë e Portalit Flasshqip, procesi i propozimit të kandidaturave nga shoqatat shqiptaro-kanadeze për në Këshillin Koordinativ të Diasporës po shkon drejt përfundimit të plotë brenda afatit të përcaktuar nga Ambasada Shqiptare në Ottawa, që është data 15 gusht. Kjo e fundit madje, e shtyu me dy javë afatin duke inkurajuar të gjitha shoqatat të propozojnë më shumë se një emër. Vetëm dy shoqata në Toronto janë ende në proces diskutimi.

Kujtojmë se procesi konform ligjit dhe rregullores për procedurat, nisi pas 9 korrikut 2018, dita kur Ministri i Diasporës Pandeli Majko iu drejtua zyrtarisht ambasadave të akredituara në shtetet ku janë të vendosur prej vitesh komunitete shqiptare. Ky fakt i bëri normalisht të pavlefshme propozimet e mëparshme duke e futur kësisoj procesin në rrugën e transparencës dhe gjithëpërfshirjes së aktorëve institucionalë.

Shumica dërrmuese e shoqatave i ka zyrtarizuar propozimet dhe ia ka adresuar ato ambasadës që do realizojë dhe përzgjedhjen bazuar në kritere për t'i përcjellë një listë me emra ministrit Pandeli Majko.

Lista e propozimeve paraqitet shumë e larmishme, me plot emra të spikatur profesionistësh e njëherazi aktivistësh të përkushtuar ndaj komunitetit. Emra që vërtetë i kanë të gjitha potencialet për të përfaqësuar me dinjitet diasporën shqiptaro-kanadeze, e cila ka përqindjen më të madhe të profesionistëve me kualifikim të lartë në raport me numrin total, krahasuar me vende të tjera.  

Në provincën British Columbia, shoqata e atjeshme ka propozuar kryetarin e saj, Ardian Lagji, profesionist mjaft i suksesshëm në sektorin e financave.

Në Alberta, shoqata me qendër në Calgary, ka propozuar Doktoren e Shkencave të Universitetit të Calgary-t dhe kryetaren e Bordit të shkollës shqipe Adriana Fishta-Bejko, profesioniste e mësimdhënies së gjuhës angleze me karrierë të shkëlqyer. Në këtë provincë, shoqata tjetër, ajo e Edmontonit, nuk ka bërë propozim konkret, çka ndoshta nënkupton se mbështet simotrën e Calgary-t.  

Shoqata e shqiptarëve në Regina të Saskatchewan-it ka bërë dy propozime. I pari është inxhinieri dhe informaticieni Kostandin Ristani, M.P.A George Washington University, funksionar i lartë i Ministrisë së Mbrojtjes Kanadeze dhe ekspert i NATO-s, ndërsa i dyti është piktori i mirënjohur me origjinë nga Kosova, me aktivitet shumë të spikatur në  Kanada, Zeqirja Rexhepi.

Provinca e Quebec-ut paraqitet vetëm me një kandidat të propozuar. Shoqata Bashkësia Shqiptare e Quebec-ut në Montreal e ka gjykuar të arsyeshme të mos bëjë propozim. Kandidatura e vetme në provincën frankofone vjen nga Shoqata Kulturore e Montreal-it. Eshtë pikërisht Gjergji Hasa emri i propozuar, i pari shqiptar i diplomuar jurist në Universitetin prestigjioz McGill, aktualisht anëtar i Dhomës së Avokatëve të Quebec-ut që ushtron profesionin pranë kabinetit të avokatëve Ferdoussi-Hasa në Montreal.

Shoqata shqiptare në Halifax të provincës Nova Scotia ka propozuar drejtuesen e Bordit të shkollës shqipe Mira Shehu, instruktore e gjuhës angleze pranë Immigrant Settlement Association of Nova Scotia.

Shoqata shqiptare në London të Ontarios, ka propozuar një tjetër emër të spikatur, mjekun e familjes që ushtron profesionin po në të njëjtin qytet prej vitesh, Dr. Lulzim Rrafshi, me origjinë nga Kosova.

Një tjetër kandidaturë me origjinë nga Kosova vjen nga Shoqata e Hamiltonit në Ontario, ndër me të organizuarat dhe aktivet në Kanada. Hamiltoni ka propozuar ish-kryetarin për dy mandate të shoqatës, poetin Shani Pnishi, diplomuar në McMaster University.

Vetëm në Toronto, ku është e përqëndruar shumica e komunitetit shqiptaro-kanadez, rezulton që nuk është mbyllur përfundimisht procesi i propozimeve.  

Nga tre shoqatat që jane ftuar të bëjnë propozime, vetëm RH Scholarship ka përcjellë tre emra të përzgjedhur profesionistësh të spikatur. Ata janë Augustin (Cin) Simoni, violinisti i mirënjohur me një karrierë të gjatë e të suksesshme në dy kontinente, inxhinieri i talentuar i Bashkisë Toronto, Ardian Radovicka si dhe gazetari e pedagogu Genc Tirana, i cili për një periudhë të gjatë ka ushtruar dhe funksionin e Konsullit të Nderit të Republikës së Shqipërisë në Toronto dhe ka vendosur bazat e njohjes së komunitetit shqiptar nga ana e autoriteteve të Ontarios.

Shoqata e Bashkësisë Shqiptaro-Kanadeze të Torontos me kryetar Ramazan Këllezin, ende nuk na ka konfirmuar zyrtarisht asnjë emër. Burime pranë saj, bëjnë të ditur se këtë fundjavë pritet një mbledhje e bordit që do të propozojë emrat e kandidatëve që do ti përcillen brenda afatit ambasadës në Ottawa. Urojmë që kjo shoqatë t'i referohet listës së madhe të potencialeve profesionale dhe kontribuesve në komunitet aq të shumtë që jetojnë dhe veprojnë në Toronto.

E fundit nga shoqatat e Torontos që ende nuk ka kandidat zyrtar të konfirmuar, është Albanian-Canadian Excellence Society. Kësaj radhe kjo shoqatë ka zgjedhur një rrugë shumë transparente. Përmes një email-i të dërguar mbrëmë gjithë listës së saj të kontakteve, ACE ka bërë një apel për kandidatura. Flasshqip beson gjithashtu që organizata, e cila ka marrë përsipër të promovojë ekselencën shqiptaro-kanadeze, i ka gjithë mundësitë të ofrojë emra po aq dinjitozë sa pjesa tjetër e shoqatave shqiptaro-kanadeze, që tashmë i kanë bërë publikë të përzgjedhurit e tyre.

Ndërkohë, kujtojmë se sipas ligjit, diaspora shqiptaro-kanadeze do të ketë dy përfaqësues në Këshillin Koordinativ të Diasporës që do të mblidhet për herë të parë në 18 dhjetor të këtij viti në Tiranë, në ditën e caktuar me ligj si Dita e Diasporës.

Gjatë ditëve në vazhdim, do të mësojmë më shumë në lidhje me vijimin e procesit të përzgjedhjes së kandidatëve. Nuk e dimë ende nëse do të ketë ndonjë konsultim të dytë nga ambasada me shoqatat përpara caktimit të listës përfundimtare të kandidatëve, e cila minimalisht duhet të jetë sa dyfishi i vendeve, por që ligji nuk e kufizon aspak. Ajo mund të përmbajë aq emra sa përmbushin kriteret. Madje sa më shumë të ketë, aq më shumë mundësi përzgjedhjeje do t'i ofrohen Ministrit Majko, i cili shpresojmë, do të ndjekë edhe disa kritere të tjera, përveç atyre të renditura në ligj. Ne besojmë se në rastin e Kanadasë, duhet marrë në konsideratë, për aq sa është e mundur, gjithashtu kriteri i shpërndarjes gjeografike, kriteri linguistik (zona anglofone vs zona frankofone), barazia gjinore si dhe përfaqësimi me kandidatë me origjinë nga Shqipëria dhe Kosova.

Në përfundim, nëse ambasada do ta shohë të arsyeshme të bëjë edhe një konsultim publik për kandidatët përmes rrjeteve sociale, kjo di t’i japë ngjyra akoma më transparente dhe demokratike këtij procesi që zhvillohet për herë të parë dhe që është një lloj procesi pararendës për atë që aspiron qeveria shqiptare, përfshirjen e diasporës në zgjedhje.

Në varësi të sasisë së informacionit dhe të dhënave që do na vihen në dispozicion, Flasshqip do vazhdojë paraqitjen e profileve të plota të të gjithë kandidatëve të propozuar.

@FlasShqip.ca