Komunitet

Dr. Alban Merepeza: Projekti Shtëpia e Shqiptarit, foleja e kulturës shqiptare në Toronto

  • Published in Komunitet

Intervistoi: Taulant Dedja

Dr. Alban Merepeza është një nga kandidatët për në Këshillin Koordinativ të Diasporës, i propozuar nga Shoqata e Bashkësisë Shqiptaro-Kanadeze Toronto, shoqatë  pranë  të  cilës ai drejton edhe Grupin e punës për realizimin e projektit për ngritjen e Qendrës Komunitare "Shtëpia e Shqiptarit".  Dr. Albani jeton prej 27 vitesh në Kanada. Historia e tij e emigracionit lidhet me eksodin e vitit 1990, kur Albani iu drejtua dyerve të ambasadave e më pas u trajtua nga Zyra e Kombeve të Bashkuara duke iu dhënë e drejta për të emigruar në Kanada. Rruga e emigrimit për të nuk ka qenë e lehtë, por e rëndësishme është që pas sakrificave e mundit të derdhur gjatë viteve, sot Alban Merepeza ka arritur çfarë ka dashur. Pas studimit të gjuhës angleze në Fleming College, më tej psikologjisë në Trent University, Albani mbaroi dhe doktoraturën për Kiropraktikë në Toronto duke i finalizuar studimet e tij në krijimin e qendrës të suksesshme shëndetësore Port Hope Health Centre. Në 10-vjeçarin e fundit ai ka punuar si mjek sporti për shumë skuadra e atletë shqiptarë apo kanadezë në shumë kompeticione në mbarë botën, përfshi Lojërat Olimpike si dhe Euro 2016, ku Kombëtarja shqiptare e futbollit arriti suksesin më të madh në historinë e saj, pjesërmarrjen në fazën finale.

Për të ditur më tepër rreth jetës së Dr.Albanit, historisë së tij të emigrimit, sfidat me të cilat ai është përballur dhe mendimet e tij mbi zhvillimet dhe aktivitetet e diasporës shqiptaro-kanadeze, ne ju ftojmë të ndiqni intervistën e mëposhtme:

Dr. Albani, nga pozitat e një emigranti me përvojë 28-vjeçare, do donim të dinim cilat kanë qenë për ju sfidat ose momentet më kyçe të rrugëtimit tuaj?

Alban Merepeza: Sfidat e emigrantëve janë të shumta dhe varen nga shumë faktorë si edhe rrethanat e emigrimit. Për mua personalisht sfida kryesore ishte mungesa a njohjes së gjuhës angleze dhe mungesa e arsimit të lartë. Kur erdha në Kanada nuk kisha asnjë të ardhur me vete pasi ika si refugjat nga ambasadat me duar në xhepa me një fjalë. Gjithashtu nuk kisha dhe të njohur përveç një xhaxhai të babait që e takova mbas 6 muajsh pasi kisha ardhur.

M’u desh ta filloja nga e para duke punuar si pjatalarës, guzhinier, bojaxhi dhe çdo punë tjetër që dilte pasi më duhet t’i paguaja qeverisë Kanadeze mbrapsht të ardhurat që shpenzoi ajo për të më sjellë në Kanada nga Italia si dhe për të më sistemuar ato ditët e para. Gjithashtu, duke pasur parasysh që erdha në moshë të re në Kanada dhe kisha pikësynim shkollën e mjekësisë, arsimi i lartë ishte një sfidë më vete dhe e vështirë pasi nga ana ekonomike nuk kisha asnjë të ardhur ose të afërm për të më ndihmuar. Për t’ju shtuar kësaj sfide, ashtu si shumë emigrantë të tjerë, m’u desh të punoja shumë vitet e para për të suportuar ekonomikisht edhe familjen në Shqipëri. 

Mendoni se këto vështirësi I kanë patur edhe emigrantët e tjerë në ato vite?

Alban Merepeza: Mendoj që sfidat e gjuhës dhe mungesa e arsimit të lartë ishte një fenomen kryesisht në vitet e para pas ’90-ës, pasi erdhën kryesisht refugjatë (si unë) të dokumentuar, familjarë që kishin familjet e tyre të vendosura në Kanada përpara viteve 90-të si edhe emigrantë jo me dokumenta të rregullta dhe që aplikuan për statusin pasi hynë në Kanada. Kam miq e shokë që i kam ndihmuar kur arritën në Kanada si azilkërkues dhe për këta emigrantë kjo ishte një sfidë akoma më shumë pasi nuk e dinin nëse do rrinin apo jo. 

Emigrantët pa aftësi gjuhe, arsim të lartë ose profesion përballen me këto sfida për t’i përmbushur këto nevoja që kërkojnë impenjime të ndryshme dhe se si zgjidhen këto sfida në një sistem multikultural dhe meritokrat varet nga faktorët personalë të çdo emigranti.

Ka ndonjë dallim mes emigrantëve që kanë patur në valixhe edhe një diplomë universitare dhe atyre që nuk kanë patur sa i përket arritjeve?

Alban Merepeza: Me kalimin e kohës dhe sistemin e përzgjedhjes së emigracionit vura re që në Kanada emigrantët me arritje ishin kryesisht emigrantë të arsimuar, me profesione të ndryshme të shumëkërkuara në Kanada, me eksperiencë pune si edhe me aftësi të mira të gjuhës.  Megjithëse shumë nga profesionet e emigrantëve në Kanada si inxhinier, avokat, mjek, etj.  që janë të organizuara e të liçensuara kishin sfidat e tyre me të cilat u përballën. Disa kanë patur vullnet dhe rrethanat i kanë lejuar që të ndjekin peripecitë e marrjes së liçensës, por disa të tjerë, për rrethana të ndryshme, nuk ia kanë dalë. Klisheja a taksixhiut që ka një PhD nga vendi i origjinës por që nuk i njihet në Kanada dhe detyrohet të punojë si shofer taksie është e njohur për të gjithë kulturat e komunitetet e ndryshme në Kanada.

Po emigrantët shqiptarë veçanërisht si i keni parë?

Alban Merepeza: Unë shikoj shumë emigrantë Shqiptarë nga të gjitha trevat që janë të suksesshëm në fushat e tyre. Kjo më gëzon pasi tregon potencialin e komunitetit tonë. Mendoj që të gjithë ne si emigrantë dhe anëtarë të komunitetit jemi të suksesshëm në jetën tonë private sido që ta masim këtë sukses, nga arritjet profesionale, të ardhurat, etj.  

Por sfida me të cilën ne duhet të përballemi aktualisht nuk është më ajo personale, por është ajo kolektive, se sa të suksesshëm dhe të ndërgjegjshëm do të jemi të kontribuojmë tek komuniteti ynë, në mënyrë që të kemi një komunitet më vibrant, më të zhvilluar, më të suksesshëm dhe që do të sigurojë ruajtjen e gjuhës shqipe, traditave, zakoneve dhe të rrisë emrit tonë si shqiptarë sa më lart edhe për brezat e ardhshëm.

Kur flisni për komunitetin dukeni sikur jeni i përfshirë në jetën komunitare dhe keni informacion. Na thoni në ç’pikë janë zhvillimet e komuniteti shqiptar në Toronto dhe në Kanada?

Alban Merepeza: Mendoj që ka një zhvillim të dukshëm të komunitetit nga viti 1991 kur arrita unë në Kanada. Atëherë nuk kishte as shoqata dhe as media që të promovonte aktivitetet siç janë sot Pasqyra Shqiptare, Flasshqip.ca, Radio e Diela, etj.  Janë rritur dukshëm numrat e Shoqatave, por edhe të aktiviteteve që ndërmarrin këto shoqata. Mendoj që është rritur dhe ndërgjegja civile që tërheq anëtarët në aktivitetet e këtyre shoqatave në mbarë Kanadanë. Kam qenë në disa aktivitete të ndryshme dhe kam pasur rastin të njihem me pjestarë të shoqatave simotra të London, Hamilton, Ottawa, Montreal, Calgary, Xhamia Shqiptare, Kisha Katolike dhe Ortodokse, ACE, etj dhe jam i lumtur që kemi një larmishmëri dhe njerëz të suksesshëm në të gjitha këto shoqata. Sfida është që të bashkëpunojmë më shumë në të ardhmen dhe të promovojmë e mbështetim aktivitetet e ndryshme që mbahen nga këto shoqata. Pra të jemi të bashkuar në misionin e promovimit të kulturës tonë në Kanada.

Po lidhur me zhvillimet e fundit mbi përpjekjet e shtetit shqiptar për të vendosur marrëdhënie me diasporën përmes ligjit të miratuar, ç’mendim keni?

Alban Merepeza: Më gëzon që shteti shqiptar vlerëson Diasporën dhe e shikon këtë si një partner në zhvillimin e Shqipërisë, por edhe e vlerëson atë për kontributin e rëndësishëm që Diaspora u jep vendeve ku jetojnë e punojnë. Mendoj që kjo duhet të ishte bërë më përpara pasi emigrimi masiv filloi 28 vjet të shkuara dhe ndoshta mund të kishte ndikuar në favor të Shqjpërisë në faktorin “brain drain”. Jam i lumtur që Shqipëria po punon për “brain gain” pasi kjo ofron një potencial të jashtëzakonshëm për zhvillimin e Shqipërisë.

Unë personalisht u jam përgjigjur thirrjes për “brain gain” dhe në 10-vjeçarin e fundit kam punuar si mjek sporti për shumë skuadra e atletë shqiptarë në shumë kompeticione në mbarë botën. Gjithashtu ju kemi afruar atletëve shqiptarë shërbime të specialistëve të ndryshëm në USA e Kanada kurdo që ka lindur nevoja. Në disa kompeticione të rëndësishme kemi mundësuar dhe pjesëmarrjen e mjekëve të sportit të Kanadasë me ekipet shqiptare duke ju afruar sportistëve shqiptarë një cilësi të lartë kujdesi ashtu siç e kanë dhe disa nga atletët më elitarë në botë. Uroj që ky bashkëpunim të thellohet dhe të ndërmerren hapa konkretë për përmirësimin dhe lidhjen e shtetit shqiptar dhe diasporës.

Çfarë mund të bëhet më shumë për ruajtjen e identitetit shqiptar në emigracion si dhe për promovimin e kulturës dhe trashëgimisë shqiptare për ta bërë atë më të prekshme për shoqërinë kanadeze?

Alban Merepeza: Kam vetëm një fjalë këtu; SHTËPIA E SHQIPTARIT! Një vizion i lindur tek SHBSHK që do jetë foleja ku do të promovohet kultura shqiptare. Kjo Shtëpi do të jetë një qendër komunitare e mirëfilltë që do të ofrojë shërbime nga më të ndryshmet që do të ndihmojë padyshim në forcimin e identitetit tonë për të gjithë shqiptarët në Toronto ku jeton dhe shumica dërrmuese e komunitetit shqiptaro-kanadez.

Dua të gjej rastin e të falenderoj mësuesit e organizatorët e Shkollave Shqipe. Është një iniciativë e mrekullueshme dhe uroj që këto shkolla të vazhdojnë shtohen në mbarë Kanadanë. Gjuha është një nga mënyrat më të rëndësishme për të ruajtur identitetin në brezat e ardhshëm.

Uroj gjithashtu që të ketë më tepër bashkëpunim e dashamirësi të sinqertë midis shoqatave të ndryshme pasi të gjitha kanë një mision dhe qëllim: Të ruajmë e të promovojmë kulturën tone.

 @FlasShqip.ca