Komunitet

Ngrehina prej druri e dashurisë

Nga: Artan Gjyzel Hasani

….është madhështore

veç si ndërtim pa leje...

mbi një truall gjithnjë të lëkundur
me mjete rrethanore të bëra vetë...

por unë i kam vrarë dashuritë e mia
duke dashuruar shumë
dhe sa herë përpiqesha t’i ringjallja
pa varr i lija…

ti me të drejtë sot dyshon në dashurinë time
në fjalët dhe premtimet që të thoja dje
shushatur në pyjet e vetmisë ti më pret
si kreshta rrezen, 
pikë e vesës agun
rrahje zemre që veç me heshtjen bën dashuri
në sqep laureshash niset drejt meje
flutura më e bukur që të shqetëson barkun…
.................................................................
rruazat e dashurisë si jetime shpërndarë
në fill të shpresës duhet t’i shkoj një nga një…

njeriu hyn e del lehtësisht
veç nëpër dashuritë që ngjasojnë…
por ne jemi unikalë
sherrxhinj të pandreqshëm
dashnorë të çmëndur
të pagjumët e mëdhenj
hyjmë lehtë në flirtet e të tjerëve
dhe s’dalim dot kurrë nga dashuria jonë…
gjenialë të një çasti...

eterne dashuria vetëm kur jepet pa kushte,
kjo ndodh veç nga nëna për fëmijë, thosh im atë,
të tjerat nuk janë dashuri,
janë lidhje dashurie
dhe unë kam një arësye më shumë ta besoj
të thënë nga dikush që e braktisi nëna e tij…

dhe unë s’jam biri yt, e dashur,
ndonëse në gisht një unazë nëne t’i mban
e shpesh më trajton si fëmijë
që i thinjur arratiset nga pleqëria e tij
për në inçestin e ëmbël
që akoma të turbullon gjinjtë…

dhe sa herë që ti më lë,
unë pres
sa herë që varrosim fjalën,
malli më mbyt
sa herë që ti e vetme flë
unë vdes
dhe një arkivol mbyll qepallën
si syri yt…

por ah sa i madh pylli kur dita përkulet e bëhet muzg
si malli yt kur unë vonohem e rrugën humbas
hutuar si nusepashke në tërfilin e prillit
ndrojtur si gishtërinjtë e erës në flokët e barit
dëborë e rënë nga pishat në supet e lisit
ku më pas sëpatën i lodhur do mbështesë druvari…

©artangjyzelhasani

Tagged under Artan Gjyzel Hasani